Pas më shumë se 9 orë diskutimesh, Kuvendi i Shqipërisë ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës ligjet e rendit të ditës. Me 73 vota pro, 56 kundër, Kuvendi ka kaluar ligjin për akcizat, me 73 vota është kaluar edhe ligji për të ardhurat nga tatimet, si dhe me një votë më pak ligji i tarifës doganore. Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e rritjes së popullsisë në qarkun e Kukësit, si dhe propozimin e deputetes Kodheli për heqjen e TVSH-së për shërbimet shëndetësore.


Debatet për mandatet e Kukësit


Kërkesa e paraqitur nga Partia Socialiste për ngritjen e një komision hetimor për zbardhjen se çfarë po ndodh me listat e zgjedhësve në Qarkun e Kukësit, ka ngjallur jo pak debate në sallën e parlamentit. Gjatë prezantimit të kërkesës së tyre në Parlament, deputeti socialist Damian Gjiknuri tha se të gjitha të dhënat hedhin dyshime për pavërtetësi të listave të zgjedhësve, pasi sipas tij është e pamundur që qarku i Kukësit të shënojë rritjen më të madhe të popullsisë në tërësinë e qarqeve të vendit, duke u renditur i dyti pas Tiranës. Nga ana tjetër ai vlerësoi se shtimi i popullsisë në këtë qark është bërë në mënyrë të pa ligjshme e cila ka ndodhur vetëm në pak muaj dhe në disa zona të veçanta. Deputeti Gjiknuri kërkoi nga maxhoranca që të miratojë ngritjen e këtij Komisioni, pasi sipas tij, çdo refuzim do të thotë se qeveria ka futur duart në këtë çështje për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme.”Refuzimi i hetimit ka vetëm një shkak, transparenca për popullin është turpërimi për ju”- tha Gjiknuri.


I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeja, i cili tha se me këtë kërkesë PS po kërkon të krijojë një alibi për humbjen elektorale të radhës. Në debat është përfshirë edhe Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i cili e interpretoi kërkesën e PS-së si një dëshirë të kryetarit të PS-së për telenovela. Sipas ministri Noka, opozita kërkon tu hedhë hi syve shqiptarëve.


Ndërkohë kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi, deklaroi se me tre apo katër mandate në Kukës, mazhoranca e sotme do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme për shkak të varfërisë në të cilën e ka zhytur këtë qark. “Që të të votojë një qark, që të kesh 8 vjet në pushtet dhe 65 % jetojnë me asistencë sociale, vetëm nga ky tregues e keni të humbur Kukësin”, tha Ruçi.


Pas tij, kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi tha se PD është e gatshme e të pranojë çdo kërkesë të opozitës, por ato bien në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën siç tha ai. Sipas tij, PS kërkon të hapë alarm të rremë se gjoja do manipulohen zgjedhjet, sipas saj mazhoranca po prek hartën elektorale, tha më tej Patozi. “Ju qani sa herë afrohen zgjedhjet, ne mund të bëjmë gjithçka sot, por nuk ju heqim dot frikën nga humbja. Bëhuni burra dhe thoni që sot që e pranoni rezultatin. Ne kemi vuajtur gjithmonë nga mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve. Shpresojmë që të mos ndodhë më se do bëheni shumë qesharakë”, tha Patozi.


20 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)