Seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2012 është shoqëruar me debate dhe akuza mes mazhorancës dhe opozitës, për sa i takon arritjeve dhe dështimeve të të dyja palëve gjatë këtij harku kohor.
Statusi
Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi kanë replikuar për sa i takon refuzimit për të tretën herë nga BE për marrjen e statusit të vendit kandidat. Berisha ka akuzuar sërish opozitën dhe kryesocialistin Edi Rama për mungesë vullneti dhe bllokim të qëllimshëm të reformave që do i hapnin rrugë vendit për në familjen e madhe evropiane.
“Komisioni Evropian i dha Shqipërisë tre ligjet me qëllim marrjen e statusit, por të cilat qëndrojnë të bllokuara si mur për bllokimin e procesit të integrimit nga kreu i opozitës. Ky bllokim nuk ka ndodhur kurrë në historinë e BE, kurrë ndonjëherë një lider i një force kryesore politike nuk ka guruar të ngrihet kundër interesave të kombit të tij dhe të përdorë votën e qytetarëve që kanë si ëndërr kryesore integrimin, për të bllokuar ata. Për muaj të tërë dëgjuar avoketërit e këtij bllokimi se dhënia e statusit lidhet me zgjedhjet. Ato janë proces kryesor i demokracisë. Por, zgjedhjet e 2009 që përmbushen standardet e OSBE nuk lejuan që statusit të lidhet me zgjedhjet. Natyrisht hapja e negociatave është lidhur dhe do lidhet me zgjedhjet, por jo statusi. Shqipëria, demokracia, lufta kundër krimi dhe korrupsionit kishin bërë të mundur që KE, institucioni kryesor që merr në shqyrtim në këtë proces veprimtarinë e të gjitha ministrive dhe agjencive të vendit konkludoi se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat ndaj duhet të votohen tre ligjet. Jo se këto ligje kanë vakum, por si një dëshmi se të gjitha palët janë për procesin e integrimit. Kjo në mënyrën më paradoksale nuk ndodhi. KE në fillim të dhjetorit, po kështu Këshilli i Ministrave dhe me pas PE, tre institucionet themelore qartësuan se kushti i vetëm për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë ishte votimi i tre ligjeve dhe jo zgjedhjet e ardhshme. Makineria e dezinformimit qarkullon të njëjtat thashetheme dhe shpifje që qarkulluan në prag të marrjes së ftesës në NATO”, theksoi Berisha.
Duke iu rikthyer çështjes së qarkut të Fierit, kryeministri Berisha akuzoi Ramën se përdor kreun e grupit Gramoz Ruc sa herë i leverdis. “Pasi paraqiti Fierin si pretekst tjetër që nuk ja përligji as edhe një njeri i vetëm fajëson Gramozin, i thotë të huajve se nuk më lejon Gramozi, e shumëzon 10 herë me 0 sa herë do Gramozin e të tjerët. Kur i leverdis i thotë se janë më të mirët për mua. Nuk i kam personale por i them të vërtetat siç janë. Pra ligjet bllokohen dhe mbahet muri, por demokracia ndaj është janë për tu mësuar, dhe për ta fshirë nga faqja e dheut atë mur për të ecur drejt Evropës siç e meritojnë”,- tha Berisha.
Ndërkohë numri dy i opozitës akuzoi kryeministrin se refuzimi ndodhi për shkak të politikës së gabuar të qeverisë ‘Berisha”. Ruçi e ka cilësuar zgjedhjen e Presidentit Nishani si hapin e parë për mosdhënien e statusit. “Sa mirë do ishte që ti vërtet jo vetëm ta kishe hequr imunitetin, por të kishte veprim konkret që të fliste me shembuj konkret për luftën kundër korrupsionit që është plaga më e rëndë në qeverinë tënde. Po e di pse ndodh kjo se Berisha trumbeton se është hequr, ndërkohë që prokurorët veprojnë me kodin e procedurës që Kuvendi nuk e ka ndryshuar. E quani fitore zgjedhjen e presidentit, gabohesh. Këtu i dhe përgjigjen e parë dhe të fundit BE për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat dhe opozitës gjatë procesit të konsultimeve ai që ti ke shumë qejf ti zësh emrin në gojë, Edi Rama të propozoi tryeze bisedimesh që të zgjidhje presidentin, të bëjë reformë parlamentare dhe të dy bashkë të kërkonit statusin e vendit kandidat, por ti e refuzove pra je ti shkaktari për mos marrjen e statusit të vendit kandidat. E quan fitore të madhe atë që Kuvendi ka vendosur për institucionet kushtetuese, kjo është humbja më e madhe, pasi i ke kapur të gjitha institucionet kushtetuese. Si rezultat i politikës së gabuar quan sukses të madh reformat, nëse do kishe bërë reforma, do e jepnin efektin dhe sot nuk do ishim në krize dhe nuk do e rrisnim borxhin si rezultat i mosbërjes së reforma nuk ke rritje ekonomike”, deklaroi Ruçi.
Ndërkohë për çështjen e Qarkut Fier, kreu i grupit kuvendor socialist deklaroi se asnjë vendi i BE-së nuk pranon të shkelet karta e pushtetit vendor, ndërkohë deklaratat se ai akuzohet nga Rama për dështimet e opozitës, i cilësoi “flluskë sapuni”. “Nuk pranohet asnjë vend që të pranojë të shkelet karta e pushteti vendor. E gjithë akuza jote është flluskë sapuni, problemi është ajo që ke ti me zbatimin e gjykatave dhe të autonomisë së pushteti themelor”, tha Ruci.
Zgjedhjet
Kryeministri Sali Berisha e ka mbyllur fjalimin në foltoren e Kuvendit me urimin për mazhorancën për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013. “Çështja e zgjedhjeve është interes i gjithë shqiptarëve që ato të jenë të përsosura në Shqipëri, por përveç kësaj ne duhet të ulemi të përcaktojmë rregulla të pranueshme nga të gjithë dhe t’u japim mundësi shqiptarëve kudo janë, të jenë një komb. Se roli i tyre në zhvillimin e rajonit, do jetë shumë më i madh dhe i suksesshëm. Urim, së pari për zgjedhësit shqiptarë, janë deputetë, ministrat kryeministrat e vërtetë të Shqipërisë, gëzuar vitin e ri. Gëzuar ju deputetë, gëzuar ju kryetarja e parlamentit, një vit i mbarë, me fitore në vitin 2013”, u shpreh i entuziazmuar Berisha.
Ndërkohë sipas Gramoz Ruçit, zgjedhjet po rrezikohen pasi kryeministri po bllokon ndarjen e mandateve. “Jemi vendi i vetëm në Evropën Lindore që diskutojmë zgjedhjet e lira demokratike dhe rrezikohen zgjedhjet. Se të mungon vullneti për të ndarë mandatet dhe tendencat e tua për të marrë mandate në tavolinë e bëjnë KQZ që të ketë diskutime. Prova e dytë është vullneti yt i vonuar politik që nuk po votohen ZAZ dhe i çove në 100. Së treti QV dhe listat. Plus që ke dy detyra kryesore, Qarkun e Fierit dhe Tiranës. Njëra për matësat dhe tjetra për numërimin elektronik dhe kërkon ta sabotosh. Ti ngelesh po ti që ke qenë në manipulimin e zgjedhjeve”,- deklaroi Ruçi.
27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)