Kuvendi ka votuar me 72 vota pro dhe 60 vota kundër buxhetin 2013 seancës së sotme plenare, pasi e ka shqyrtuar nen për nen. Diskutimi është shoqëruar me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, e cila në fund ka votuar kundër këtij buxheti.
Kodheli: Financat në ditë e tyre më të keqe
Në mbylljet kësaj seance deputetja Mimi Kodheli u ka bërë thirrje qytetarëve të mos i besojnë më kësaj qeverie e cila sipas saj i ka katandisur financat publike në ditën e tyre më të keqe, duke e zhytur vendin në një borxh që ka dalë jashtë çdo kontrolli.
Mazhoranca hedh poshtë propozimet e opozitës
Mazhoranca ka hedhur poshtë përmes votimit disa propozime të opozitës lidhur me disa nene të buxhetit 2013, duke votuar nenet përkatëse pa i marrë parasysh ndryshimet e propozuara.
Kështu, deputetja e PS-së Mimi Kodheli propozoi disa ndryshime në nenin 9 të buxhetit, ku përfshihet edhe privatizimi i Albpetrol, pasi sipas saj, paratë që do të përftohen nga ky privatizim nuk janë parashikuar për qytetarët, por përdoren për qëllime elektorale.
Ndërsa deputeti bashkim Fino propozoi një ndryshim në nenin 15, i cili gjithashtu u rrëzua me votim nga mazhoranca. Sipas deputetit të PS, neni 15 bie në kundërshtim me kartën e autonomisë vendore, që qeveria e ka votuar në kuvend. Ai akuzoi qeverinë se ka përdorur dy standarde në shpërndarjen e granteve të bashkive, duke reduktuar ato për bashkitë majta.
Malaj: Buxhet jorealist, po shkelet kushtetuta. Bode: Tërësisht i ligjshëm
Që në nisje të seancës së sotme deputeti i PS, Arben Malaj ka shprehur shqetësimin e grupit të tij parlamentar se buxheti që do të shqyrtohet është jo realist, pasi sipas tij në raport me të ardhurat kemi një mosrealizim dhe një përkeqësim të deficitit me 48 mld dollarë. “Kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese. Vetëm parlamenti ka të drejtë ta ndryshojë buxhetin”, theksoi Malaj.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Financave, Bode i cila ka theksuar shkurt se, “nuk do të diskutojmë më në është realist apo jo ky buxhet, por do ta shqyrtojmë dhe votuar nen për nen”. Ky buxhet është tërësisht i ligjshëm dhe kushtetues, theksoi ministri.
Ky është cilësuar si një buxhet historik nga ana e mazhorancës, ndërkohë që ka hasur në kundërshtimin e opozitës, që pretendon se buxheti 2013 vetëm sa do të zhysë vendin më tej në krizë, nisur nga rritja pa kufi e niveli të borxhit nga ana e qeverisë.
Kryeministri Berisha, në seancën e një jave më parë, kur u miratua në parim projektligji për buxhetin e vitit 2013 vetëm me votat e mazhorancës, e cilësoi buxhetin prej 410 miliardë lekësh si më të madhin në histori, që do t’i shërbejë rritjes së mirëqenies së shqiptarëve.
17 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)