Seanca e sotme plenare ka pasur si kryefjalë të debateve, votimin e tre ligjeve të mbetura pezull, të kërkuara si kusht nga BE për dhënien e plotë të statusit të vendit kandidat. Në nisje të seancës, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli i ka bërë thirrje opozitës të bashkojë votat për miratimin e 3 ligjeve që i hapin rrugë integrimit të vendit në Bashkimin Europian. “Do ishte njollë e madhe, ndaj ju ftoj të votojmë ligjet e integrimit, sikur të kishim votat nuk do ju lutesha, pa votat tuaja nuk plotësohen kushtet. Është në dorën tuaj dhe do ishte e pajustifikueshme kur PE diskuton për ne, ne mos të votojmë ligjet”, bëri thirrje Topalli.
Replikat Berisha-Topalli
Pasi ka bërë një rezyme të rëndësisë së votimit të tre ligjeve të mbetura pezull, Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën të votojë pro, pasi sipas tij sytë dhe zemrat e shqiptarëve janë të drejtuar në sallën e Kuvendit. Ai akuzoi kreun e PS-së Edi Rama se po përdor si pretekst për të bllokuar ëndrrën e shqiptarëve qarkun e Fierit, duke krijuar një precedent të pa regjistruar më parë pikërisht në vigjilje të 100 vjetori të Pavarësisë. Berisha ka ftuar opozitën të diskutojnë dhe ofrojnë propozime për tre ligjet, në mënyrë që të votohen deri në datën 20 Nëntor.
“Ju nuk jeni kooperativistë, por njerëz me përgjegjësi të larta para njerëzve që ju kanë zgjedhur. Propozimi im është ky, nga sot deri më datë 20 jam i gatshëm të mbledhim parlamentin në çdo ditë për të votuar ato ligje. Që t’i çojmë Brukselit mesazhin që presin. Si mund ta kuptojnë atje në Bruksel këtë bllokim, atje kuptohet si papërgjegjshmëri. Ju nuk më dëmtoni dot mua, më dëmtoni aq sa më dëmtuat për zgjedhjet lokale. Mua më duket solidariteti juaj për vendin”,- theksoi Berisha.
Pas deklaratave të Berishës, ka reaguar kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Rucic, i cili i cilësoi gënjeshtra deklaratat e kryeministrit se ligjet që presin të votohen në kuvend janë prej tre muajsh në tryezën e parlamentarëve. Ruçi tha se hartimi i ligjeve është bërë në mënyrë të njëanshme, ndërsa për çështjen e Fierit nuk është ofruar asnjë zgjidhje të re. Sipas Ruçit, kryeministri është në hall sepse nuk di çfarë përgjigje të japë para Brukselit. Në mungesë të plotësimit të 8 rekomandimeve të mbetura siç tha Ruci, Berisha kërkon alibinë.
“Zoti kryeministër e kuptoj që jeni në hall, doni të shmangni në radhë të parë problemet ekomomike që ka vendi, jeni në shkelje të plotë të Kushtetutës, s’ke mbyllur ende buxhetin, duhet ta kishe mbyllur në datë 25 tetor. Je në hall se je në krizë. Je në hall se s’ke çi thua Brukselit për përmbushjen e 8 rekomandimeve. Duhet të përgjigjesh para tyre për zgjedhjet e lira, luftën ndaj krimit e korrupsionit, por s’ke ç’ju thua, tani po kërkon alibinë se nuk i plotësove dot kërkesat. Alibinë doni ta gjeni tek opozita dhe tek Edi Rama”, tha Ruçi.
Më tej kreu kuvendor socialist, Ruçi akuzoi se duke ndërhyrë në regjistrat e gjendjes civile, duke shtuar dhe hequr banorë, po parapërgatitet manipulimi i rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
15 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)