Vezhguesit-per-zgjedhjet-280x200Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka ngritur shqëtësimin për  zhvillimin e fushatës “pre-mature” zgjedhore si dhe mbi domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit dhe nisjes së një fushate korrekte në datën 24 Maj 2013.


Në këtë deklaratë Koalicioni ngre shqetësimin se “mbarëvajtja dhe mbikëqyrja e kësaj fushate prej autoriteteve përgjegjëse del jashtë kontrollit, pasi ligji e rregullon këtë mbikëqyrje dhe monitorim vetëm për një muaj nga rreth 6 muaj fushatë të zhvilluar tashmë”.


Për këtë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit dhe mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të vënë gjithë këtë proces në shina ligjore, duke marrë masa dhe vendosur sanksione administrative ndaj të gjitha subjekteve politike që kanë shkelur afatin e çeljes së fushatës zgjedhore, në zbatim të Nenit 171 pika 2 e cila përbën bazën e nevojshme ligjore.


Po ashtu në lidhje me ndalimin e përdorimin të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore, Koalicioni konstaton se kuadri ligjor i sotëm është i plotë dhe përbën një garanci që duhet të shfrytëzohet maksimalisht si një mjet efikas për të ndaluar përdorimin e burimeve publike nga subjektet zgjedhore.


Përveç Kodit Zgjedhor i cili mbulon vetëm periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 24 Maji deri më 21 Qershor, Koalicioni sjell në vëmendje garancitë që ofrohen dhe jepen nga Kodi Penal të cilat nuk janë të kufizuara në kohë dhe janë të vlefshme në çdo kohë.


Ndaj, Koalicioni nxit të gjithë aktorët politikë ose jo si edhe qytetarët që të denoncojnë pranë organeve kompetente të gjitha rastet e abuzimit me ligjin nga ana e subjekteve elektorale apo nga pushtetarë.


Madje Koalicioni tërheq vëmendjen se shqetësimet e ngritura në media deri më sot dhe në vazhdim duhet të përbëjnë indicie për Prokurorinë, si trupa përgjegjëse e të hetuarit në Republikën e Shqipërisë.


Gjithashtu Koalicioni ngre shqetësimin e transmetimit në mënyrë të jashtëligjshme të spoteve elektorale të parakohshme si dhe i një spoti (reklamë televizive) të Ministrisë së Mbrojtjes mbi “anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”.


D E K L A R A T Ë


 Fushata zgjedhore korrekte dhe zbatimi i ligjit domosdoshmëri për ushtrimin e lirë të vullnetit të votuesit


 Fushata zgjedhore është periudha me e rëndësishme e një procesi elektoral. Është kjo periudha kur nis gara mes subjekteve politike të cilat konkurrojnë midis tyre për t’i prezantuar votuesve platformat e tyre elektorale, mbi bazën e të cilave kërkojnë votën edhe besimin e publikut.


Është kjo periudha kur të gjitha subjektet që janë regjistruar për të garuar monitorohen nga një sërë mekanizmash dhe dispozitash ligjore në funksion të respektimit dhe zbatimit të një parimi themelor dhe kushtetues atë të barazisë në përdorimin e mundësive dhe burimeve.


Kodi Zgjedhor parashikon fillimin e fushatës zgjedhore më datën 24 Maj 2013 (30 ditë para datës së zgjedhjeve) deri në datën 21 Qershor 2013, pas së cilës fillon heshtja elektorale.


Koalicioni e ka bërë bërë prezent edhe më parë[1] se fushata ka muaj që ka nisur prej gati të gjithë subjekteve politike[2].


Në përvojat botërore, gjenden legjislacione që nuk e kufizojnë periudhën e fushatës zgjedhore. Por legjislatori ynë, me të drejtë, e ka parë me vend që ta kufizojë fushatën zgjedhore në një segment të caktuar kohor, për një sërë arsyesh ndër të cilat mund të përmendim lehtësitë që krijohen për: sigurimin e mbarëvajtjes së aktiviteteve elektorale; shmangien e politizimit të administratës publike; shmangien e shfrytëzimit të burimeve të administratës publike; vëzhgimin e financave të subjekteve politike apo mbikëqyrjen e mbulimit që i bën media fushatës zgjedhore, etj.


Pikërisht për të adresuar shqetësimet në lidhje me çështjet e sipërpërmendura, legjislatori ka hartuar dhe vendosur një numër të konsiderueshëm dispozitash në Kodin Zgjedhor. Janë 32 pika dhe gërma në këtë Kod, të cilat vendosin afate kohore në lidhje me fushatën zgjedhore dhe përcaktojnë zhvillimin e fushatës zgjedhore nga të gjithë aktorët pjesëmarrës pjesëmarrës[3] në proces si: Këshilli i Ministrave, Njësitë e Qeverisjes Vendore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mediat private dhe Radio Televizioni Shqiptar, Bordi i Monitorimit të Medias, subjektet politike, etj.


Koalicioni vëren se pikërisht infrastruktura zgjedhore e cila ndërtohet në disa etapa dhe në një raport të caktuar me fushatën zgjedhore zhbëhet automatikisht kur vetë periudha e fushatës nuk respektohet.


Për më tepër mbarëvajtja dhe mbikëqyrja e kësaj fushate prej autoriteteve përgjegjëse del jashtë kontrollit, pasi ligji e rregullon këtë mbikëqyrje dhe monitorim vetëm për një muaj nga rreth 6 muaj fushatë të zhvilluar tashmë.


Kjo situatë e jashtëligjshme adreson përgjegjësi të cilat duhen marrë dhe zhvilluar në zbatim të ligjit nga “qeveria” organizatore e procesit zgjedhor që është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.


Pavarësisht faktit se janë gati të tërë subjektet politike që e kanë injoruar dhe shkelur ligjin duke e goditur procesin zgjedhor, është përgjegjësia e KQZ-së për një “Maxi Proceso” apo gjykim të të gjithë palëve, duke ushtruar autoritetin e dhënë nga ligji.


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit dhe mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të vënë gjithë këtë poçes në shina ligjore, duke marrë masa dhe vendosur sanksione administrative ndaj të gjitha subjekteve politike që kanë shkelur afatin e çeljes së fushatës zgjedhore, në zbatim të Nenit 171 pika 2 e cila përbën bazën e nevojshme ligjore[4].


Nga monitorimi i bërë gjithë procesit para-elektoral të deritanishëm si dhe me shqetësimin për të filluar më datë 24 Maj një fushate zgjedhore në respekt dhe zbatim të plotë të ligjit, Koalicioni sjell në vëmendje të të gjithë aktorëve :


1. Ndalimin e përdorimin të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore


Koalicioni konstaton se kuadri ligjor i sotëm është i plotë dhe përbën një garanci që duhet të shfrytëzohet maksimalisht si një mjet efikas për të ndaluar përdorimin e burimeve publike nga subjektet zgjedhore.


Kodi Zgjedhor vetëm në periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 24 Maji deri më 21 Qershor, sipas Nenit 88 pika 1 parashikon se … nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota…”.


Kodi gjithashtu shpjegon se në kuptim të nenit të mësipërm,“…”burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit…”.


Vetëm gjatë kësaj periudhe dhe vetëm gjatë orarit zyrtar, sipas pikës 2 të Nenit 88, Kodi citon se ndalohet “… përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore…”.


Po ashtu vetëm gjatë kësaj periudhe, sipas Nenin 88 pika 3, jepet garanci për nënpunësit e administratës pasi “e ndalon gjatë fushatës zgjedhore marrjen në punë, pushimin nga puna, lirimin, lëvizjen dhe transferimin në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura“[5].


Pavarësisht se Kodi Zgjedhor ofron garanci në veçanti për mos abuzim me burimet e administratës vetëm gjatë fushatës zgjedhore, Koalicioni sjell në vëmendje garancitë që ofrohen dhe jepen nga Kodi Penal të cilat nuk janë të kufizuara në kohë dhe janë të vlefshme në çdo kohë.


Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë me ndryshimet e kryera me konsensus politik në vitin 2012, ka sjellë risi mbi mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, sidomos në nenet 328 dhe 328/a.


Në nenin 328/a, të shtuar në amendimet e fundit të Kodit Penal,në mënyrë “eskplicide” ndalohet detyrimi dhe përdorimi i nënpunësve të administratës shtetërore në aktivitete elektorale[6], madje sanksioni i parashikuar për këtë kryerje të veprës është dënimi me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.


Gjithashtu, neni 328 parashikon “dënimin” e shit-blerjes së votës në dyja kahet.


Konkretisht sipas tij, jo vetëm që ndalohet ofrimi i shpërblimeve apo premtimeve për “të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime“, por edhe “pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë“[7].


 


Këto muaj fushata zgjedhore “pre-mature” ka sjellë në vëmendjen e mediave dhe publikut shqetësime mbi veprimtarinë e subjekteve politike. Mediat dhe forcat opozitare ngrenë dita-ditës shqetësime për përdorim të burimeve të administratës shtetërore apo shkelje të tjera.


Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka informacione të besueshme, për raste ku administrata shtetërore imponohet për tu bërë pjesë e fushatës elektorale pas orarit zyrtar apo për të marrë pjesë në takime elektorale të liderëve politikë, apo për raste të tjera në shkelje të ligjit.


Koalicioni vëren me shqetësim dhe tërheq vëmendjen e titullarëve të institucioneve që të mos përdorin pozicionin shtetëror apo zyrat në varësi për t’i përdorur për fushatë politike të partisë ku aderojnë.


Në veçanti, Koalicioni i kërkon anëtarëve të Këshillit të Ministrave që të mos përdorin foltoret, zëdhënësit apo faqet zyrtare të ministrive të tyre për të bërë politika partiake apo denigruar kundërshtarët politikë[8].


Koalicioni nxit të gjithë aktorët politikë ose jo si edhe qytetarët që të denoncojnë pranë organeve kompetente të gjitha rastet e abuzimit me ligjin nga ana e subjekteve elektorale apo nga pushtetarë.


Madje Koalicioni tërheq vëmendjen se shqetësimet e ngritura në media deri më sot dhe në vazhdim duhet të përbëjnë indicie për Prokurorinë, si trupa përgjegjëse e të hetuarit në Republikën e Shqipërisë.


Është kjo e fundit, që mbart një përgjegjësi të madhe që një kuadër ligjor në këtë pikë të plotë, ta vendosë në mbrojtje të qytetarëve.


 


2. Pasqyrimi i fushatës zgjedhore nga media dhe pavarësia e saj.


Media, pavarësisht fillimit në mënyrë joligjore të fushatës, ka transmetuar gjerësisht takimet elektorale të subjekteve zgjedhore si dhe spotet elektorale të disa prej tyre, përmendim këtu spotin elektoral të Partisë Demokratike, i cili ka filluar të transmetohet përpara disa ditësh.


Transmetimi i parakohshëm i spoteve elektorale prek barazinë në kohën e transmetitmit të spoteve elektorale midis subjekteve zgjedhore, duke favorizuar në kohë mediatike subjekte të caktuara.


Transmetimi në këtë kohë ndodh në një boshllëk ligjor, pasi sipas Kodit Zgjedhor vetëm pas datës 24 Maj kur fillon zyrtarisht periudha e fushatës zgjedhore, Bordi i Monitorimit të Medias por edhe vetë operatorët mediatikë në zbatim të dispozitave dhe kohës së parashikuar për çdo subjekt, kujdesen që koha mediatike të jetë e barabartë dhe në respekt të dispozitave ligjore të parashikuara.


Transmetimi i parakohshëm i këtyre spoteve prek barazinë në garën elektorale, ndaj Koalicioni i bën thirrje Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të gjejë hapësirat që i ofron ligji dhe të marrë masa për ndalimin e menjëhershëm të transmetimit të tyre si dhe masat e parashikuara administrative ndaj subjektit elektoral përkatës.


Gjithashtu, Koalicioni ka konstatuar se në disa prej mediave audivizive prej ditësh po shfaqet një spot (reklamë televizive) e Ministrisë së Mbrojtjes mbi “anëtarësimin e Shqipërisë në NATO“.


Koalicioni vëren se ky transmetim është në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor, i cili në Nenin 84 pika 10 sanksionon se “institucioneve publike në nivel qëndror dhe vendor, 60 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, u ndalohen reklamat, me përjashtim të atyre që i shërbejnë qëllimit të ndërgjegjësimit të zgjedhësve për aspekte të procesit zgjedhor ose njoftime të tjera të parashikuara nga ligji“.


Ndaj Koalicioni i kërkon Ministrisë së Mbrojtjes që ta ndalojë urgjentisht këtë transmetim si dhe Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të marrë masat sanksionuese përkatëse.


 


Ndërkohë, pasqyrimi i fushatës zgjedhore që nis më datën 24 maj 2013, nga operatorët mediatikë shtetërorë dhe privatë zhvillohet me një bazë ligjore të përmirësuar nga reforma elektorale e Korrikut të vitit 2012.


Më synim mbarëvajtjen sa më të mirë të proçesit, Koalicioni fton Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të informojë nëpërmjet një Njoftimi për Shtyp të gjithë operatorët mediatikë , qëndrorë apo lokalë, shtetërorë apo privatë mbi risitë e këtyre ndryshimeve e në veçanti në lidhje me mbikqyrjen e mbulimit që do t’i bëjë media fushatës zgjedhore.


Ky njoftim duhet parë si një detyrim dhe përgjegjësi e KQZ-së për të rritur vëmendjen mbi zbatueshmërinë e ligjit, por sidomos për të shmangur goditjen e qëllimshme apo të njëanshme të operatorëve mediatikë, e cila përbën kërcënim serioz për lirinë dhe pavarësinë e medias në vend.


Instrumenti ligjor i parashikuar në këtë rast mund të kthehet lehtësisht nga instrument monitorimi në një mjet presioni.


Konkretisht, në rast të mos respektimit të raporteve kohore në minutazhin politik të edicioneve informative të operatorëve privatë, tashmë nuk është vetëm Bordi i Monitorimit të Medias që i propozon KQZ-së vendosjen e gjobave, por është vetë KQZ  e cila kryesisht apo me propozimin e KZAZ-ve, në çdo kohë, ka të drejtë gjobisë operatorin radioteleviziv[9].


Dispozita nuk përcakton limite të masës së shkeljes, pra mjafton që koha mos të jetë e barabartë, dhe një KZAZ ka të drejtë që t’i propozojë KQZ-së gjobitjen e një operatori televiziv.


Nga ana tjeter duke qene se KZAZ-të mund ta marrin një vendim të tillë në gjysmën e tyre vetëm me katër vota të mazhorancës dhe në gjysmën tjetër vetëm me katër vota të opozitës, ekziston hapësira e kanosjes apo goditjes për shkaqe me natyrë politike ndaj operatorëve të ndryshëm televizivë, me gjoba të cilat sikundër parashikohen në ligj janë në shifra të konsiderueshme.


Në Nenin 84 pika 1, legjitimohet tashmë përdorimi imaterialeve të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhorepër të përgatitur dhe transmetuar informacione mbi aktivitete të tyre gjatë fushatës zgjedhore, në edicionet informative të radio-televizioneve private[10].


Në këtë rast Kodi kërkon që këto informacione që do të transmetohen duhet të identifikohen qartë, në përputhje me udhëzimet e KQZ-së.


Ndaj Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet urgjentisht të miratojë një udhëzim në përmbushje të kësaj dispozite sa më parë, përpara fillimit zyrtar të fushatës më 24 Maj 2013.


Po ashtu Neni 84 pika 6 parashikon se “Për zgjedhjet në Kuvend radiot dhe televizionet private kombëtare dhe satelitore, të cilat pranojnë reklama me pagesë, sipas këtij neni, detyrohen që gjysmën e kohës totale të reklamës së parashikuar në pikën 5 të këtij neni t’ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore nga ana e radiove dhe televizioneve private llogaritet si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore.”


Në zbatim të kësaj dispozite Kodi i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit si dhe Ministrit të Financave që të nxjerrin udhëzimet përkatëse.


Sërish, Koalicioni iu kërkon institucioneve të lartpërmendura që të miratojnë udhëzimet përkatëse sa më parë, përpara fillimit zyrtar të fushatës elektorale.


 


Në përfundim Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nxit dhe mbështet Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve që të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe autoritetin e vet për zbatimin me përpikmëri të ligjit, duke siguruar një fushatë zgjedhore konform dhe në përmbushje të plotë të legjislacionit në fuqi.


Gjithashtu, Koalicioni iu kërkon të gjithë subjekteve politikë dhe institucionalë që në zbatim të Kodit Zgjedhor si dhe të Urdhrit të Kryeministrit të datës 8 Prill 2011, të zhvillojnë një fushatë të qetë dhe të qytetëruar duke iu siguruar të gjithë votuesve komoditetin dhe informacionin e nevojshëm në mënyrë që ditën e votimit ata të shprehin në liri të plotë vullnetin e tyre.


18 maj 2013 (gazeta-Shqip.com

)