Kreu i LSI-së
Meta: SHBA s’do të rrijë indiferente
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në një intervistë televizive deklaroi se kishte bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ishin spektatorë në kuadër të problematikës së zgjedhjeve shqiptare. “Absolutisht që SHBA-ja nuk mund të rrijë dhe nuk do të rrijë si spektator, pavarësisht se nuk mund të zëvendësojë rolin dhe vullnetin që duhet të tregojnë qytetarët shqiptarë dhe respektin qytetarët tanë duhet ta tregojnë në radhë të parë për veten e tyre, duke marrë pjesë me këto zgjedhje dhe duke u shprehur për të ardhmen e tyre”, siguroi Meta, duke vlerësuar dhe rolin e ambasadorit Arvizu në vend. Nga ana tjetër, Meta u shpreh i sigurt për fitoren e zgjedhjeve nga ana e opozitës së bashkuar.
Kreu i FRD
Topi: Qeveria, diskriminuese ndaj qytetarëve
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, u takua dje me simpatizantë e mbështetës të zonës së Kombinatit në kryeqytet. Ai u ndal fillimisht te problemet që hasin banorët e kësaj zone, të cilët sipas Topit, nuk janë trajtuar si pjesët e tjera të kryeqytetit.
Sipas tij, sot është koha që shqiptarët të mendojnë për hallet e tyre, të shohin se ku kanë shkuar taksat e tyre dhe ta ndëshkojnë keqadministrimin e qëllimshëm të parave të qytetarëve me votën kundër qeverisë. “Në Tiranë, politika zbaton standarde të ndryshme zhvillimi, ndërsa FRD-ja synon të ndryshojë këtë politikë diskriminuese për t’iu ofruar shqiptarëve një politikë të ndershme që ka në plan të parë qytetarin, pa shifra dhe premtime boshe”, tha Topi. Ndërsa kandidati për deputet i FRD-së, Albano Janku, falënderoi të pranishmit për mbështetjen që po i japin, duke shprehur besimin se ashtu siç është mësuar si sportist, të jetë gjithmonë fitues, edhe në 23 qershor do të jetë pjesë e skuadrës fituese të Frymës së Re Demokratike.
Fushata
Kryeministri në Shkodër: Edi Rama kërkon një republikë bananesh
Berisha: Taksa e sheshtë e mban shtetin në këmbë
Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një sërë takimesh në të gjithë vendin. Fillimisht ai ishte në Shkodër, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit. Në këtë ceremoni, kreu i qeverisë deklaroi se në katër vitet e ardhshme qëllimi më madhor për të dhe qeverinë është marrja e statusit, hapja e negociatave me BE-në dhe liberalizimi i vizave me SHBA-në. “Katër vitet që vijnë, me heqjen e taksave për çdo makineri, material dhe çdo gjë tjetër që ju nevojitet për prodhim ne jemi të sigurt se biznesi në Shqipëri do të zgjerohet me 40%. Jemi të sigurt se investimet e huaja në katër vitet që vijnë do të rriten më së paku 40 për qind, nga 4.2 miliardë, në 6 miliardë dollarë”, tha Berisha, duke shtuar se në këtë mënyrë rritet punësimi. Partia Demokratike zhvilloi dje një miting elektoral në Vaun e Dejës, ku prezantoi kandidatët për deputetë. Gjatë fjalës së tij përpara mbështetësve të PD-së, Kryeministri Berisha i ftoi banorët e Vaut të Dejës që të mbështesin PD-në, për t’u dhënë të djathtëve mandatin e tetë në Qarkun e Shkodrës. “Ne po ecim drejt zgjedhjeve dhe mbarë Shqipëria pret nga ju mandatin e tetë, mandatin e artë, mandatin e fitores sonë të thellë dhe të merituar. Rruga jonë nuk ka qenë bulevard dhe ende nuk do të jetë bulevard, por është një rrugë që çon drejt një ngjitjeje të sigurt, na çon drejt integrimit në BE, drejt mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit”, tha Berisha. Ndërsa gjatë takimit të pasdites, ku u prezantuan kandidatët e PD-së për deputet në Shijak, Berisha komentoi edhe deklaratat që kreu i opozitës, Edi Rama, bëri në takimin elektoral në Labinot. Ndër të tjera, Berisha u ndal edhe te debati i taksave, teksa nënvizoi se taksa që propozon mazhoranca mban shtetin në këmbë, ndërkohë që, sipas tij, taksa që propozon Partia Socialiste falimenton biznesin. Kryeministri Berisha tha se “premtimi i Ramës për heqjen e TVSH-së për 5 ushqimet bazë do ta kthejë Shqipërinë në një republikë bananesh, duke mos prodhuar asgjë vetë”, tha Berisha. Në vijim të aktiviteteve të tij, Kryeministri Berisha u ndal mbrëmjen e djeshme në Durrës, ku u inaugurua godina e re e kampusit universitar “Aleksandër Moisiu”. Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se do të bëhet gjithçka për të rritur cilësinë arsimore në vend, ku theksoi se Durrësi meritonte prej shekujsh universitetin e tij.
PDIU prezanton kandidatin
Drizi: Rakipi, deputeti ynë në Elbasan
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet prezantoi gjatë një mitingu në sheshin kryesor të Peqinit kandidatin e parë të kësaj force politike për Elbasanin, Aqif Rakipin. Në fjalën e tij, Idrizi shprehu bindjen e plotë se Rakipi do të arrinte të ishte zëri real i Elbasanit në Parlamentin e ardhshëm në vend. Kreu i PDIU-së foli dje dhe për çështjen e të përndjekurve politikë, se tallja 23-vjeçare që është bërë në Shqipëri me të përndjekurit është një turp mbarëkombëtar. “Shoqëria shqiptare u ka një borxh të madh atyre që u dënuan padrejtësisht, sepse mbrojtën ato të cilat sot i kemi të shenjta: lirinë. Dëmshpërblimi ndaj tyre duhet të ishte mbyllur. Ne kemi plan konkret dhe të qartë: 20% i çdo privatizimi të kalojë në fondin e kompensimit të ish të përndjekurve. Brenda dy viteve merr fund saga e tyre”, theksoi Idrizi, duke prezantuar kështu dhe një pjesë të programit të PDIU-së.