Qeveria rrit me 146 numrin e punonjësve me kontratë
Këshilli i Ministrave morri dje vendimin për të rritur numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014 në njësitë e qeverisjes vendore. Për këtë viti, ky numër shkon në 756 vetë, duke e rritur atë me 146 punonjës. “Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014, në njësitë e qeverisjes qendrore është 756 veta. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korrente të miratuara në buxhetin përkatës të institucioneve për vitin 2014. Përjashtimisht për Shtëpinë e Pushimit në Durrës, efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ky vendim është marrë pavarësisht faktit se ka një direktivë të qartë të Komisionit Europian, i cili i kërkon qeverisë shqiptare reduktimin e numrit të punonjësve me kontratë, si një formë e papërshtatshme për t’u përdorur në këtë nivel administrativ. Pavarësisht kësaj, në mënyrë të vazhdueshme qeveritë e kanë rritur numrin e punonjësve që punësohen me kontrata gjashtëmujore.
Krijohet Regjistri Noterial, ishte direktivë e BE-së
Qeveria miratoi dje vendimin që i hap rrugë krijimit të bazës së të dhënave shtetërore të shërbimit noterial shqiptar ose thënë ndryshe Regjistri Noterial Shqiptar (RNSH). Krijimi i një dokumenti të tillë ka qenë një kërkesë nga ana e Bashkimit Europian në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, që duhet të kryejë qeveria shqiptare dhe pjesë e udhërrëfyesit të palës shqiptare në përmbushje të pesë prioriteteve të BE-së. Në vendim thuhet se ky regjistër do të përmbajë të dhënat e akteve dhe veprimeve noteriale; të dhënat e testamenteve; të dhënat e dëshmive të trashëgimisë; dokumentet e skanuara të akteve dhe veprimeve noteriale; të dhënat për palët, individë dhe subjekte; informacione të tjera plotësuese për procese të punës së noterëve; të dhëna referencare për ndërveprimin dhe baza të dhënash të tjera; të dhëna referencare për komunikimin ndërmjet noterëve, dhomave dhe aktorëve të tjerë dhe të dhëna të raporteve dhe statistikave.