Premtimi


Rama: Taksën e biznesit të vogël do ta zerojmë


Lideri i PS-së, Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me biznesmenët që ushtrojnë aktivitetin në njësinë bashkiake 7, u premtoi atyre zerimin e taksës. “Gjithë të ardhurat e shtetit nga biznesi i vogël në total janë 30 milionë dollarë, që është 0.5% e të ardhurave nga taksat. Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël, do ta bëjmë zero dhe këto 30 milionë do t’i kompensojmë në rrugë tjetër, nuk do t’ia marrim biznesit të vogël, sepse vërtet janë 0.5% e buxhetit, por janë dhjetëra mijëra familje të vetëpunësuara me biznesin e vogël”, përfundoi kryesocialisti.


 


Majko


“PS në Vlorë më 28 Nëntor, absurd anashkalimi”


Opozita do të jetë në Vlorë më 28 Nëntor, jo për shkaqe konkurrence, por në respekt të protokollit të historisë. Konfirmimi vjen nga deputeti socialist, Pandeli Majko, pas publikimit të protokollit zyrtar nga Ministria e Kulturës. “Debati është absurd, por aspak i lehtë për këdo. Kjo shkelje bëhet edhe më e rëndë në kuadër të këtij përvjetori të madh të 100-vjetorit shqiptar. Nuk mund të ekzistojnë konkurrenca të tilla kaq idiote mes shqiptarësh që nxiten nga politikanë që mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme”, thotë Majko për “Top Channel”.