Rivalët politikë
Berisha dhe Rama, të ndarë në Bukuresht
Dy kundërshtarët politikë, Sali Berisha i PD-së dhe Edi Rama i PS-së janë në të njëjtin qytet, në Bukuresht. Lideri i PS-së ka shkuar për të marrë pjesë në hapjen e fushatës elektorale të socialistëve rumunë. Atje është takuar me Kryeministrin Viktor Ponta dhe me Kryeparlamentarin rumun, Valeriu Stefan Zgonea. Rama shoqërohet nga deputetët Taulant Balla dhe Blendi Klosi. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha ndodhet në Bukuresht për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullor Europiane. Ai ka zhvilluar disa takime të ndryshme, si me kancelarin dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë, z. Michael Spindelegger, ish-ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini dhe Lryeministrin e Finlandës, Jyrki Katainen.
Aleanca Kuqezi
Protestë në Bruksel kundër Kryeministrit

Aleanca Kuqezi proteston në Bruksel para selisë së KE-së, duke kërkuar kushtëzimin e statusit kandidat ndaj Shqipërisë me largimin e Kryeministrit Sali Berisha. “Niveli i brishtë i demokracisë, militantizmi në administratën publike, niveli i lartë i korrupsionit, aferat mafioze të privatizimeve dhe koncesioneve në Shqipëri nuk duhet të kalojnë pa u shqyrtuar nga PE. Apeli kryesor i Aleancës Kuqezi për Parlamentin Europian është sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri në vitin 2013, pasi koha ka treguar që shtetasi Sali Berisha ka grabitur dhe gllabëruar vullnetin e qytetarëve të lirë shqiptarë”, deklaroi Bajram Koboçi, koordinator i AKZ në Belgjikë.