Një ditë pas transmetimit të emisionit “Top Story”, biznesmeni kontrovers Nadir Çausholli është paraqitur në prokurori, për të dhënë shpjegime lidhur me dy kallëzimet e bëra ndaj tij.


Çausholli rezulton të ketë dërguar një letër anonime, duke keqpërdorur emrin e Autorit të Emisionit të Top Story dhe duke nxitur konflikt me një pronar media, zotin Ylli Ndroqi.


Letra kishte përmbajtje fyese, denigruese dhe shantazhuese ndaj Zotit Ndroqi.


Zarfi u dorëzua në Postën qendrore në Tiranë, më 17 mars nga shoferi i biznesmenit të barnave, Eron Koka. Ai pas zbulimit të skandalit nga Posta Shqiptare deklaroi në polici se kjo ishte porosi direkte e shefit të tij, Nadir Causholli.


Letra kishte si adresë Ministrinë e Financave dhe konkretisht, kreun e institucionit Anila Denaj, por “dërguesi” ishte autori i emisionit “Top Story”,  Endrit Habilaj, me adresë “Rruga 17 Nëntori”, Nr. 20 Mëzez.


Kjo adresë përkon me studiot e Top Channel në Kashar. Kështu, policia ka vërtetuar se biznesmeni Nadir Çausholli nëpërmjet letrës së dalë nga zyra e tij, ka keqpërdorur emrin e autorit të Top Story, pasi gazetari Habilaj nuk ka asnjë lidhje me këtë letër.


Edhe avokati Lulzim Alushaj ka deklaruar se “është tashmë e certifikuar nga komisariati 3, OPGj që kjo letër është dërguar nga ambjentet e një shoqërie tregtare që është bërë objekt i hetimit të barnave”.


Ndërkohë, “Top Story” zbërtheu të gjithë skemën e dërgimit të letrës nga Nadir Çausholli, i cili ka kryer plot 3 vepra penale.


Sipas Kodit Penal, nëse shpallet fajtor, Nadir Çausholli rrezikon sërish burgun nga 6 muaj deri në 3 vite.


Më herët biznesmeni është arrestuar për një skemë mashtrimi me rimbursimin e barnave.


https://youtu.be/yd4UqaMmH_Y