ALUIZNI jep 5 variante, trojet në zonat turistike


Herion Mesi


lamajAgjencia e Legalizimit dhe Urbanizmit të Zonave Informale i prezanton Kuvendit pesë variante për rregullimin e gjendjes aktuale kaotike të krijuar nga ndërtimet mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin. Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaroi para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve se nisur nga situata aktuale e ndërtimeve në këto zona, ALUIZNI ka menduar disa variante për zgjidhjen e këtij problemi. “Ne si Agjenci kemi menduar pesë opsione të ndryshme për parcelat e lira, ku sipërfaqja është 3 deri 5 hektarë të ndarë në tre fasha. Bëhet fjalë për ato zona, ku pavarësisht se nuk janë dhënë leje ndërtimi nga ministria apo ALUIZNI, këto leje janë shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme Pyjore. Dhe për zgjidhjen e këtij problemi, njëra mundësi është që këto zona t’ua kthejmë pronarëve duke përfshirë në këtë proces AKKP-në, e cila të operojë me të gjitha mundësitë e veta. Por nëse ua japim pronarëve, atëherë ne i kemi dhënë hapësirë atyre që të vijojnë ndërtimet në këto zona. Së dyti, këto ndërtime të mbeten në varësi të shtetit në situatën që janë edhe sot për të humbur tagrin e qiramarrjeve. Së treti, këto troje t’u jepen personave të stimuluar për menaxhimin e fshatrave turistikë. Së katërti, t’i blejë Asambleja e Banorëve që kanë blerë pallatin në këta fshatra turistikë. Dhe opsioni i pestë, është që po kjo asamble të marrë me qira këto troje”, tha Lame. Ndërsa duke iu referuar situatës së ndërtimeve në zonat me përparësi turistike, kreu i ALUIZN-it theksoi se nga 52 fshatra me kontrata të rregullta qiraje, janë 180 hektarë sipërfaqe që zënë ato. “Ky 180 hektarësh ndahet në dy blloqe: 3-4 fshatra që kanë sipërfaqe shumë të mëdha dhe 48 fshatra të tjerë që kanë sipërfaqe normale 3-5 hektarë. Këtë sipërfaqe të madhe e bëjnë 3-4 fshatra gjithsej. Personat e stimuluar që nuk u është lidhur marrëveshja, janë 63 ku dhe sipërfaqja e zënë është 40 hektarë, pra nën 1 hektar për secilin”, tha Artan Lame, për të cilin dy variantet e fundit ajo e bashkëpronarëve të këtij komuniteti në këto zona është dhe zgjidhja më e drejtë.


Debatet


Prezantimi i pesë varianteve për zgjidhjen e problemit të krijuar me zonat turistike nga ALUIZNI, shkaktoi debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Deputeti demokrat, Eduard Halimi, duke u shprehur kritik ndaj strategjisë së zgjedhur nga qeveria për zgjidhjen e këtij problemi. “Unë s’e kuptoj strategjinë e kësaj qeverie, të kapë çfarë të kapë. Kjo qeveri që bëka ligje me të kapë çfarë të kapë. Së dyti, ne këtu jemi Komisioni i Ligjeve. A e dini ju që kontratat nuk bëhen me detyrim, por me vullnet dhe bie ndesh me Kushtetutën. Nuk e detyroni dot askënd të bëjë një kontratë, ajo bëhet me vullnet”, tha Halimi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të komisionit, deputetit socialist, Fatmir Xhafaj, i cili theksoi, se me variantet e propozuara, ALUIZNI nuk detyron askënd, por sipas tij, janë variante për rregullimin e situatës së krijuar nga qeveria e mëparshme me anë të ligjit të 2009-s, situatë e cila për Xhafajn është “lesh arapi”. “Normal që nuk arrin të kuptosh ti, pasi me këtë lesh arapi që keni bërë ju me zonat turistike në vend me ligjin tuaj të famshëm të 2009-s, e vetmja gjë që mund të thuash, është që të shpëtojmë ç’ka mbetur pa u shkatërruar nga këto zona”, tha Xhafaj. Në të njëjtën linjë me kryetarin e Komisionit u shpreh dhe deputeti tjetër i PS-së, Armando Subashi, i cili tha se qeveria kërkon që t’i japë zgjidhje në terren të gjithë kësaj që ka ndodhur me truallin shtetëror. Ndërsa, theksoi se Komisioni duhet të jetë shumë i kujdesshëm me parimet kushtetuese dhe me ligjin. “Ajo që ju thatë që nëse ua japim ish-pronarëve këto parcela, por ia japim pa të drejtë ndërtimi s’kemi bërë asgjë. Edhe vetë ish-pronarët nuk do ta preferojnë këtë variant, sepse askush s’do donte që t’i kthehej një parcelë toke dhe të mos kishin të drejtë të ndërtonin, por ta mbanin lulishte. Nga kjo pikëpamje, varianti i parë nuk krijon zgjidhje për këtë kategori. Varianti i dytë që parcelat mes objekteve të ndërtuara të mbeten tokë shtetërore më duket ide e mirë. Nëse kjo vazhdon të mbetet tokë shtetërore dhe precizojmë që në këto parcela s’do lejohen ndërtime të tjera, kjo na e përmbush merakun që kemi që shteti të fillojë të kontrollojë territoret”, tha Armando Subashi. Pas këtij diskutimi, Komisioni i Ligjeve e miratoi në parim projektligjin e propozuar nga ALUIZNI edhe me votat e opozitës.