Qindra qytetarë, familjarë, të afërm dhe miq kanë nderuar sot kujtimin e Lirak Bejkos, martirit të grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë. Arkmorti me trupin e 47-vjeçarit ka mbërritur në orën 11:00 në strehën e ish-të përndjekurve politikë, ku do të zhvillohen homazhe deri në orën 13:00. Më pas, kortezhi u  zhvendos drejt varrezave të Sharrës ku Bejkos i’u dha lamtumira e fundit.


Miqtë e tij kanë organizuar çdo detaj për të nderuar siç duhet atë që e kanë quajtur heroin e tyre, dëshmorin e vërtetë të demokracisë, Lirak Bejko. Miku i tij i ngushtë, Gjergj Ndreca, nuk ka mundur të mbajë ngashërimet kur ka ngushëlluar nënën, gruan dhe vajzat e të ndjerit. Ndreca, i cili tentoi të vetëdigjej me benzinë vetëm pak ditë përpara se Bejko të ndërmerret aktin ekstrem, deklaroi  se amaneti i mikut të tij do të shkojë deri në fund.  Ai ka paralajmëruar vazhdimin e protestave, për të kërkuar dëmshpërblimin e viteve të burgut, dhe nuk përjashtoi vetësakrifikime të tjera nga ana e ish-të përndjekurve. “U bëj thirrje gjithë bashkëvuajtësve, gjithë shqiptarëve që amanetin e tij ta çojmë në vend. Nuk do të shuhet sakrifikimi i tij, sapo ka filluar revolta shpirtërore për këto padrejtësi që janë bërë. Do vazhdojmë protestat deri në pikën e fundit, deri kur asnjëri të mos mbetet gjallë nga ne. Ky është mesazhi për të gjithë ata që na baltosën, na përbuzën vuajtjet tona. Do vazhdojmë”,- tha ai për mediat.


Në homazhe kanë marrë pjesë përfaqësues të klasës politike, shoqërisë civile dhe medias. Kreu i PS-së Edi Rama ka qenë politikani i parë që ka marrë pjesë në homazhe. Ai  shoqërohej nga deputetë socialistë dhe drejtues të lartë të kësaj partie. Pas tij kanë shkuar kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, Kreu i PLL-së e njëherësh zv/ministër i Mbrojtjes Ekrem Spahia, kreu i PLD-së Spartak Ngjela, përfaqësuesit e FRD-së Gazmend Oketa e Aleksandër Biberaj.


Ora 11:20-Rama: Akti i Lirak Bejkos shërbeftë për një reflektim dinjitoz


Kryesocialisti Edi Rama ka qenë sot i pranishëm gjatë ceremonisë së homazheve për 47-vjeçarin Lirak Bejko. Kreu i PS-së i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të ish-të përndjekurit. Pak minuta më vonë, në profilin e tij zyrtar në “Twitter” kreu i socialistëve ka shkruar: “Lamtumira për Lirakun mes njerëzish të vrarë 22 vjet në çdo shpresë prej atyre që u morën votën dhe u ofruan veç një ferr të ri zhgënjimesh. E pashlyeshme pamja ëngjëllore e dy vajzave jetime që babanë e dalë gjallë nga ferri komunist ua treti në flakë ferri i ri i zhgënjimeve. E pamundur të harrohen nëna dhe gruaja e të ndjerit të ndarë forcërisht prej tyre nga fuqia shkatërruese e arrogancës së këtij pushteti! U prehtë në paqen që se gjeti dot asnjë sekondë në rrugën e vet nga një ferr në tjetrin dhe shërbeftë akti i tij për një reflektim dinjitoz”, tha ai.


Ora 12:05- Spahiu: Sot kemi një pishtar demokracie më pak


Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, e ka cilësuar vdekjen e Lirak Bejkos si një humbje të madhe për kombin shqiptarë dhe Shqipërinë. “Sot ne kemi humbur një njeri të mrekullueshëm. Sot Shqipëria ka një pishtar demokracie më pak. Në 100 vite pavarësi Shqipëria nuk kishte njohur kurrë një vdekje të tillë. Liraku është pishtar i cili nuk do të shuhet në zemrat e shqiptarëve dhe ne shpresojmë që në ndërgjegjen e popullit dhe kombit shqiptarë të ketë mbetur pak ndjenjë reagimi për të kundërshtuar me çdo kusht një regjim që vret. Për vite me radhë nën sistemin diktatorial njerëzit vriteshin nëpër burgje, ndërsa sot vriten në mes te bulevardit dhe ditës. Liraku dhe mijëra shokë të tij ishin dizidentët e një regjimi politik që mesa duket ende nuk është rrëzuar dhe ç’rrënjosur totalisht nga themelet e tij ogurzeza. Për vite me radhë ky njeri që sot drejton Partinë Demokratike drejtoi Partinë Komuniste e ndërkohë sot drejton partinë-shtet e cila shqiptarët po i vret. Ka ardhur koha që shtetasi Sali berisha të marrë përgjigjen e merituar dhe atë do t’ia japë populli masivisht”, u shpreh Spahiu.


Ora 12:20- Oketa: Sot ditë reflektimi, të kthehet vëmendja nga shtresat në nevojë


Pas homazheve në nderim të ish-të përndjekurit Lirak Bejko, deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa deklaroi se dita e sotme duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë.”Do të dëshironim t’i shprehnim ngushëllimet më të thella familjes dhe gjithë bashkëvuajtësve, atyre që ishin një simbol për gjithë qytetarët shqiptarë pas viteve 90’. Sot një ditë ku të reflektojnë të gjithë shqiptarët, humbjes së jetës së Lirak Bejkos nuk duhet t’i japim ngjyrime politike, sot të reflektojmë, të kthejmë vëmendjen jo vetëm tek ish- të përndjekurit, por edhe tek të gjitha shtresat në nevojë”, komentoi ai.


Lirak Bejko u vetëdogj me benzinë në datën 10 tetor, fare pranë çadrës ku ishte improvizuar greva e ish-të persekutuarëve politikë, në zonën e “Komunës së Parisit”. Në shenjë proteste për shurdhësinë e qeverisë ndaj kërkesave të tyre ekonomike dhe pas akuzave që iu adresuan nga kryeministri Berisha, në ditën e 19 të grevës së urisë ai u lye me benzinë dhe i vuri flakën vetes. Bejko pësoi dëmtime të rënda në më shumë se 50% të trupit. Ai u transportua në një klinikë në Bari për trajtim më të specializuar, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Megjithë përkujdesin e madh të bluzave të bardha ai ndërroi jetë pak para mesditës së datës 2 nëntor. Trupi i pajetë i babait të tre fëmijëve mbërriti në atdhe vetëm mëngjesin e djeshëm me një traget të linjës Bari-Durrës.


7 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)