Jemin Gjana


Reagimet


Deputetja zyrtarizon largimin nga partia më e madhe e opozitës, pritet bashkimi me PDIU


Largimi i deputetes, Mesila Doda, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike është përcjellë me reagime të pakta në radhët e kolegëve të grupit të saj, e aq më tepër nga kreu i kësaj partie, Lulzim Basha. Teksa deputetët e djathtë tregohen të matur në reagimin e tyre në lidhje me dorëheqjen e Dodës si deputete në radhët e PD-së, duke e konsideruar vendim personal të deputetes për të bërë zgjedhjen e saj, e tillë me sa duket është edhe për ish-deputetin e PD-së, Jemin Gjana. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, ish-deputeti demokrat e konsideron si një gjest, pjesë e politikës, e cila nuk duhet parë aspak në një këndvështrim shqetësues për njërën palë të politikës apo për një palë tjetër. Ai ka thënë se të tilla largime ka pasur edhe më parë në PD apo ashtu siç ka pasur edhe rikthime. “Është normale që në demokraci të ketë veprime të tilla, dorëheqje nga një parti e caktuar, pasi këto janë më tepër individuale si veprime sesa kolektive. Janë gjëra të zakonshme që ndodhin në politikë. Nuk e shikoj aspak si një veprim të jashtëzakonshëm këtë që ka bërë znj.Doda. Në parti ka pasur largime, por ka pasur edhe rikthime. Gjithsesi, çdo veprim është individual”, thotë Gjana duke shtuar se veprime të tilla, pra kundërshtime në parti kanë ndodhur edhe në kohën e Enver Hoxhës, e jo më tani në demokraci. Ndërkohë që deputetja e ka njoftuar largimin e saj nga grupi parlamentar i djathtë nëpërmjet një letre postuar në profilin zyrtar në Facebook, ku shpjegon dhe arsyet që e çuan në këtë vendim, i cili nuk është aspak surprizë referuar mungesave të saj në mbledhjet e grupit apo dhe qëndrimet kritikuese ndaj opozitës. “E gjetur në këtë udhëkryq ku mungon çdolloj komunikimi e bashkëpunimi reciprok, e përjashtuar de facto nga veprimtaria politike e deputetit, më duhet të lajmëroj veprimet e mia më të fundit të shkëputjes së marrëdhënieve formale me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Më duhet të siguroj të gjithë votuesit se çdo propozim që PD do sjellë në Kuvend e që do jetë në funksion të reformave dhe shtetit ligjor, në përkrahje të shtresave në nevojë dhe shtresave tradicionale të djathta, do përkrahet e votohet pa asnjë mëdyshje nga unë. Votimi im, ashtu si deri më sot do vazhdojë të jetë vetëm në përputhje me ndërgjegjen time qytetare, politike e njerëzore dhe nuk do ndikohet në asnjë rast nga vendime partiake, arbitrare a të ndikuara nga interesa”, shkruan Doda, duke mos kursyer as akuzat mbi klientelizmin në këtë parti. “Tash është klientelizmi mbret i situatës së re dhe shpresoj fort që njerëzit politikë që ende po rezistojnë edhe për pak, të arrijnë të kthjellojnë individët përgjegjës për dëmin e madh që po shkaktojnë”, shkruan ajo.