Vrasja e inspektorit Ibrahim Basha, zbardhet dëshmia e Xhuliano Malos dhe Klodian Selimit: Alikot na dhanë maskat dhe armët. Para se të qëllonim policinë thërritëm ‘Allahu Ekber’


AlikoDëshmitë e dy të arrestuarve fundosën vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko si organizatorët e grupit të armatosur që qëlluan në drejtim të policisë më 24 qershor, duke lënë të vrarë efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha dhe duke plagosur dy të tjerë. Drejtësia ende nuk ka gjetur armën e krimit, apo edhe plumbin që i mori jetën Bashës, ndërsa thotë se të tre, kanë marrë plagë nga i njëjti plumb. Ekspertizat e mëvonshme kanë zbardhur se 12 të arrestuarit kanë pasur faktorë plotësues të qitjes me armë, çka ka bërë që ndaj tyre të ngrihet akuza e vrasjes. Gjithsesi, provat e marra në vendngjarje, janë krahasuar edhe me dy dëshmi, pikërisht të të arrestuarve. Xhuliano Malo dhe Klodian Selimi janë penduar para hetuesve të çështjes, duke treguar detaje nga organizimi me armë në fshatin Lazarat, ku plani i tyre ishte që të kthenin gjendjen e anarkisë që mbizotëroi për vite me radhë, për kultivimin e kanabisit.


 


Plani disamujor


Xhuliano Malo ka treguar për hetuesit planin disamujor të vëllezërve Aliko, që u organizuan me të rinjtë e fshatit duke sulmuar edhe forcat e rendit në Lazarat. Para ngjarjes, Aliko ka bërë disa lëvizje në Sarandë, apo Tepelenë, ku dha ka siguruar armët e artilerisë së rëndë, ndërsa ka thirrur disa shokë. Armët e këtij grupi janë sekuestruar nga grupi hetimor në një puset në afërsi të shkollës së mesme, ndërsa mësohet se një pjesë tjetër kanë qenë të djegura. Malo ka pohuar për hetuesit se disa muaj para vrasjes së Ibrahim Bashës, Arbjoni i kishte treguar për planin që të sulmonin policinë, me qëllim largimin e tyre nga fshati për të kthyer përsëri mbjelljen e hashashit në Lazarat. “Arbionin dhe Albanin i kam shokë, me Albanin takohesha shpesh. Rreth 6 muaj më parë, Albani më tha se do të qëllonin me armë policinë, ideja e tij ishte që Lazarati të rikthehej siç kish qenë më parë, pa policë dhe që të mbillnim sërish drogë për të fituar. Unë pranova se do fitoja para, më pas këtë bisedë s’e kemi bërë më. Më datë 22, rreth orës 05:00, Albani më mori në telefon dhe më tha hajde në Lazarat për muhabetin që kemi folur. Shkova në Lazarat, prindërve u thashë do iki në plazh në Durrës, atje fjetëm në një shtëpi të braktisur mbi xhaminë. Në mesnatë shkuam te pika ku kishim lënë të bëhej lufta, vendi quhej ‘Shkolla e Re’, përballë pularisë, atje ishin dhe 8-9 persona të tjerë me maska dhe rroba ushtarake nga të cilët njoha Arbionin, vëllain e Albanit. Në tokë kishte armë, aty unë mora një kallash, ndenjëm rreth 6 orë dhe qëlluam disa herë në ajër. Arbjon Aliko qëlloi i pari, para se të qëllonte thërriti ‘Allahu Ekber’, pas tij thërritëm të gjithë dhe filluam të qëllonim në ajër, unë qëllova 15 plumba”, ka dëshmuar Malo. Sipas tij, në mëngjes vëllezërit Aliko më thanë të shkoja afër qendrës ku ata të dy kishin lënë aty një makinë me çelësa brenda. “Në gjysmën e rrugës më ndaloi policia, në momentin e prangosjes kam dëgjuar të shtëna armësh”, ka thënë dëshmitari.


 


Telefonatat me Arbjonin


Dëshmitari Klodian Selimi, i arrestuar pas sulmit me armë, ka rrëfyer telefonatat dhe planin për të sulmuar policinë. “Pas takimit më 21 qershor, dy ditë më vonë shkova në Gjirokastër dhe më merr në telefon Arbjoni dhe më tha të shkoja në fshat dhe ta merrja në telefon. Shkova, e mora në telefon, më thirri te dera e më tha të shihja nëse kish patrulla policie në qendër apo rrugës për në qendër dhe ta njoftoja në telefon. U afrova te makina dhe Arbjoni më tha: A do dalësh me grupin të luftojmë sonte? Unë i thashë po. Ai më tha ik tek grupi te depoja e ujit. Pas Arbjonit lëvizi edhe Endush Aliko me makinën e tij Smart. Kur shkova tek depo e ujit, ishin katër veta, ata ishin në këmbë të pamaskuar dhe ishin në pritje t’iu sillnin armët e zjarrit. Këta persona ishin Dervish Gaba, Elson Kazma, një djalë nga fshati me emrin Dhurim Kazma, Ani Hiri dhe Oltion Proko. Ata më thanë se po presim armët, pasi me to do gjuanin policinë”, ka thënë Selimi. Sipas tij, në atë moment mësoi se ata persona do qëllonin me armë në pjesën e poshtme të fshatit, do të qëllonin rreth orës 03:00 ose 04:00 të mëngjesit. “Gjatë kësaj kohe, Durimi foli në telefon me Arbjonin dhe mësova se fillimisht do qëllohej poshtë, pastaj do qëllohej nga depo e ujit e më pas do bashkoheshim poshtë. Pasi pashë që babai më kish marrë 32 herë në telefon, i frikësuar gjeta një pretekst për të marrë ujë te dyqani dhe u largova, rrugës takova e Sinan Rabin po s’i tregova për planin. Mbërrita në shtëpi, fika telefonin, e rreth orës 05:00 në mëngjes dëgjova të shtëna armësh, fjeta sërish dhe në 10:00 u zgjova. Kur dola në ballkon te zona e quajtur Pularia, pashë 4 persona të maskuar të armatosur me një maune, ata vendosën makinë kryq në rrugë për të penguar mjetet të futeshin në fshat dhe ikën sërish nga erdhën”, vijon dëshmia e tij, ndërsa ka treguar edhe telefonatën me Arbjonin pas vrasjes së Ibrahim Bashës. “Më telefonoi Arbjon Aliko, më pyeti se ku isha? I thashë jam në dasmë me familjen, ai më tregoi se u fut policia në fshat, por unë i thashë morëm fund, duke nënkuptuar se do kishim probleme, pasi ishte qëlluar policia”. Ai tha se në fshat ishin tre grupe zjarri, të cilat drejtoheshin nga Arbjon Aliko, Endush Aliko dhe Asqeri Basha, i cili ishte përgjegjës për grupin e zjarrit pranë xhamisë ku pjesëtarë ishin Dervish Gaba, Elson Kazma, Ani Hiri dhe Dhurim Basha.