Armët luftarake – Policia e ka të ndaluar të përdorë armë luftarake, ndërsa në Lazarat është kundërshtuar me kallashnikovë, mitraloza, snajperë, madje edhe armë më të rënda
Tërheqja e specialëve – Para pak ditësh, kreu i policisë paralajmëroi për ndërhyrje në Lazarat dhe Gjirokastra u mbush me specialë, por pas një incidenti mësohet se ato u tërhoqën
Dështimet dhe kundërshtimi me armë i banorëve pengon policinë për të ndërhyrë nga frika e pasojave
Bledi Gilaj
Që ka hashash me bollëk në Lazarat, e di i madh dhe i vogël në vendin tonë e jashtë tij. Edhe që ka persona të kërkuar në këtë fshat, dihet nga policia. Madje, ata mbrohen shumë mirë me armë luftarake, të cilat vetë policia nuk i disponon dhe nuk ka të drejtë t’i përdorë. Por, ajo që nuk dihet është frika, që shteti ka ndaj këtij fshati, i cili sfidon për të disatën herë e kërcënon për kundërshtim, deri në shantazh për pavarësi. E kjo frikë, jo pa arsye, bën që punonjësit e policisë të kërkojnë ndërhyrjen e ushtrisë, pavarësisht se një kërkesë të tillë nuk ua kanë drejtuar kurrë eprorëve të tyre. E gjithë kjo situatë sfiduese vjen vit pas viti për shkak të mosndërhyrjeve në zemër të fshatit më problematik në Shqipëri, duke e konsideruar atë të pathyeshëm, ose të paktën, kështu ka lënë përshtypjen që në vitin 2008, kur u realizua një operacion nga forcat speciale.
Specialët dhe vendorët
Konkluzionet mbi fshatin famëkeq i nxjerrin vetë oficerët e policisë, të cilët me vite kanë përgatitur plane masash, por pa arritur t’i realizojnë. Po të kthehemi në vite, vihet re një panoramë dështuese e policisë ndaj këtij fshati. Prej kohësh, policia nuk ka asnjë as një kontroll mbi Lazaratin dhe kjo vihet re si në shifra, ashtu edhe në operacionet e realizuara. Prej shumë vitesh, policia nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar që punonjësit e Qarkut të Gjirokastrës të kenë ndërhyrë në fshat për kontroll, apo për arrestimin e ndonjë personi të kërkuar, apo të dyshuar për ndonjë krim. Për më tepër, të kenë realizuar ndonjë operacion kundër kanabisit, pavarësisht se në shumë komunikata shprehet se u kapën kaq apo aq kilogramë kanabis, e kultivuar në Lazarat dhe që më pas shpërndahet brenda Shqipërisë, ose trafikohet jashtë saj.
Kundërshtimet me armë
Të vetmet operacione të realizuara në raste sporadike kanë qenë ato të forcave speciale, si të repartit RENEA, por edhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Megjithatë, sa herë ato kanë ndërhyrë në Lazarat, janë pritur me armë. Madje, vetëm pak vite më parë, u qëllua vetë komandanti i forcave RENEA me snajper, fatmirësisht pa dëmtime serioze, ndërkohë që në një rast tjetër, kur u ndërhy për kapjen e një personi të shumëkërkuar, fshati bëri luftë me forcat speciale, duke sjellë pasoja për ta, pasi disa efektivë u plagosën. Ndërkaq, nuk kanë munguar rastet, kur ata kanë qëlluar edhe helikopterët monitorues, siç ishte rasti i Interforce-s italiane, që po vëzhgonte zonën. Ndërsa rasti i fundit u shënua disa ditë më parë, kur disa efektivë të forcave speciale hynë në fshat për të studiuar zonën dhe u pritën me të shtëna kallashnikovi, armë luftarake, të cilën policia e ka të ndaluar ta përdorë, ndërkohë që jelekët antiplumb nuk japin siguri aq të lartë kundër tij.
Plehu dhe uji
Duke u ndier ngushtë nga të gjitha manovrat, policia para dy vitesh, ndryshoi mekanizëm dhe shpresoi të minimizonte fenomenin e kultivimit të kanabisit me metoda të reja. Një nga këto metoda ishte ruajtja e fshatit dhe rrethimi me forca policore, me qëllim që çdo kg kanabis që dilte nga Lazarati të sekuestrohej, ndërkohë që autorët të dërgoheshin para drejtësisë. Por, edhe kjo nuk e ndaloi fshatin në rrugën e tij të kultivimit. Më pas, një metodë tjetër ishte ajo e bllokimit të ujit dhe plehut që dërgohej në fshat, me qëllim që të mos plotësohen kushtet e nevojshme për mbjelljen. Kjo solli edhe ndalimin e ndihmësve nga ana e policisë, por nuk mund të akuzoheshin për ndihmë në kultivimin e kanabisit, pasi ata nuk e dinin nëse plehun e ujin, i dërgonin për domate, apo hashash. Madje, lazot filluan të ndiznin edhe ndonjë zjarr brenda fshatit, duke njoftuar zjarrfikësit dhe ujin që dërgonin, e depozitonin për nevojat e tyre kriminale.
Rrjetet sociale
Me këtë situatë, që e njeh gjithkush, pothuajse të gjitha tentativat e policisë, deri më sot kanë dështuar, por populli ka një shprehje që të kujton veprimet e fundit të banorëve të Lazaratit “Mirë që kali ngordhi, por nuk të lënë rehat edhe mizat”. Kjo shprehje vjen nga rrjetet sociale në internet, ku persona të paidentifikuar bëjnë presion ndaj shtetit, duke kërcënuar me autonomi të Lazaratit, nëse ndërhyhet me polici. Madje, kërcënimet në rrjete sociale shkojnë edhe më tej, pasi ata shprehen se forcat e rendit do të priten me armë e do të kthehen mbrapsht, ashtu siç kanë bërë edhe herët e tjera.
Deklarata e Burgajt
E kjo, deri diku, për fat të keq, duket se është realizuar. Para pak ditësh, kreu i policisë, Hysni Burgaj, deklaroi që policia do të ndërhyjë në Lazarat dhe do të shfarosë çdo bimë narkotike. Madje, forcat speciale u dislokuan në Gjirokastër në pritje të planit të masave, por bënë vetëm një ndërhyrje, në hyrje të fshatit, ku kapën burrë e grua dhe sekuestruan aq pak lëndë narkotike, si një “pikë uji në oqean”, kjo sipas informacioneve që disponohet në rrugë operative për kultivimin e lëndës narkotike në të gjithë fshatin. Forcat speciale, që u dislokuan në Gjirokastër, pritën me ditë të tëra, por nga informacionet e fundit ato janë tërhequr. Arsyeja nuk është bërë publike, megjithëse nuk dihet edhe arsyeja e deklaratës së kreut të policisë, i cili ka qenë vetë drejtor i Policisë së Gjirokastrës dhe në atë kohë nuk mbahet mend të jetë bërë ndonjë ndërhyrje zyrtare në Lazarat nga policët, që ai kishte në varësi.
Zgjidhja, ushtria
Duke u bazuar në të gjitha këto informacione, që nuk janë të panjohura për publikun, vetë punonjësit e policisë, tashmë ndihen disa të shtangur përballë fenomenit “Lazarat”. Sipas informacioneve të tyre, atje kultivohet kanabis nga shumë persona dhe në territor fshihen persona të shumëkërkuar të drejtësisë. Por, nëse ndërhyhet, ata janë gati të kundërshtojnë me armë luftarake, ndërkohë që e vetmja rrugë për të depërtuar në zemër të fshatit, është në disfavor të policisë, kur pritet që do të ketë kundërshtime me armë. Pra, kundër shtetit është edhe vetë territori, ku shtrihet zona famëkeqe. Në këto kushte, punonjës policie, të cilët e njohin shumë mirë situatën, shprehen se e vetmja zgjidhje mbetet ajo e futjes së ushtrisë. Kjo, jo për arsyen e pazotësisë policore, por për faktin se mund të ketë pasoja më të rënda në njerëz sesa në rastin e forcës ushtarake. Megjithatë, nuk ekziston një kërkesë zyrtare për këtë zgjidhje, pavarësisht se mes oficerëve, kjo mund të jetë diskutuar shpesh.
Analiza
Shpeshherë, policisë i janë dekonspiruar operacione për ndërhyrje në fshat
Gjirokastër, 10 për qind e policëve nga Lazarati
Ushtria do të ishte ndërhyrja ekstreme në Lazarat, por ekspertë të policisë shprehen se një zgjidhje duhet gjetur edhe për shkak të kërkesave të ndërkombëtarëve. Kohët fundit mësohet se edhe ndërmarrja e policisë, që për momentin ka mbetur pezull, ka ardhur pas disa ankesave të ndërkombëtarëve, megjithëse Lazarati nuk është e vetmja zonë e problematike, por në ndryshim nga të tjerat, është e paprekshme. Për çudi, nga Lazarati ka edhe shumë punonjës policie. Sipas të dhënave të besueshme, në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, pothuajse 10 për qind e punonjësve të policisë janë nga Lazarati. Ndoshta, ky fakt nuk është domethënës, por të lë të dyshosh, pasi policia ka njohur disa dekonspirime operacionesh, me objekt Lazaratin. Madje, për këtë fenomen, disa herë është menduar që këta punonjës policie të transferohen me detyra në qytete të tjera, me qëllim për të testuar besueshmërinë, megjithëse kjo lëvizje konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut. Ndërkaq, një tjetër fakt është se mbjellja e kanabisit ka qenë shqetësuese edhe në rrethe të tjera, siç ka qenë zona e Krujës, apo e Fushë-Krujës. Megjithatë, në këto zona, në ndryshim nga Lazarati, është ndërhyrë, janë arrestuar edhe kultivuesit dhe fenomeni është minimizuar. Ndërsa Lazarati vazhdon të mbretërojë me lulëzimin e kanabisit, kurse policia mbetet në ndjekje të mushkave apo gomarëve, të cilët kanë mësuar rrugën përmendësh për të transportuar thasët nga një zonë në tjetrën.