Hetimet e policisë
Artan Kuliçaj, akuzë për vrasje me dashje dhe jo me paramendim. Hiqet bashkëpunimi, s’ka armë për krimin
Policia thotë se nuk ka asnjë provë ndaj Edon Bajraktarit për vrasjen e Sonila Tafës, pritet lirimi
Arratia – Burimet policore, megjithëse ishin optimiste pas ngjarjes se do të arrestonin autorin e krimit, Artur Kuliçaj, pohojnë se nuk kanë asnjë informacion se ku mund të jetë 34-vjeçari
Vrasja – Balerina Sonila Tafa mbeti e vrarë mëngjesin e 6 prillit të këtij viti në një prej lokaleve të natës në periferi të Tiranës. E reja kishte shkuar atë natë që të shihte në skenë mikeshat e fëmijërisë
Hetimet për vrasjen e balerinës 26-vjeçare, mëngjesin e 6 prillit në periferi të Tiranës, kanë ngelur në vendnumëro, pasi autori i kësaj ngjarje, Artur Kuliçaj, ende nuk është arrestuar. Drejtësia është “kujdesur” që ky i pandehur të ketë edhe lehtësira ligjore, pasi mësohet se ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me dashje, në një kohë që vrasja mund të jetë edhe me paramendim, pasi 34-vjeçari, pas sherrit në diskotekë, ka shkuar në banesë dhe ka marrë prej andej një kallashnikov, duke qëlluar në drejtim të turmës. Plumbat lanë të vdekur balerinën, ndërsa lënduan edhe shoqëruesen e saj.
Mësohet se ndaj tij është hequr akuza e bashkëpunimit, pasi hetimet e mëvonshme rezultuan se ai nuk ka pasur bashkëpunëtorë. Megjithëse një person është i arrestuar për këtë ngjarje dhe gjykata ka vendosur burg me afat, pritet që ai të lirohet. Nuk ka asnjë provë që Edon Bajraktari të ketë qenë me Kuliçajn natën e krimit, apo të ketë marrë pjesë në ngjarje. Ai pretendon se ka qenë në gjumë, ndërsa arma që i është sekuestruar nuk ka lidhje me krimin.
Pretendimi i fundit duket se është konfirmuar edhe nga ekspertiza balistike, e cila ka përcaktuar se kallashnikovi i sekuestruar në banesën e Bajraktarit nuk kishte kryer qitje kohët e fundit, madje ai nuk ka pasur as shul. Pavarësisht se bëhet fjalë për akuzën ndaj Bajraktarit, indirekt përfiton edhe autori i vrasjes, pasi në këtë mënyrë i hiqet edhe akuza e bashkëpunimit, që në fund të procesit gjyqësor i shton edhe masën e burgut.
Kërkimet
Ndërkohë, burimet policore, megjithëse ishin optimiste pas ngjarjes se do të arrestojnë autorin e krimit, Artur Kuliçaj, për të cilin thoshin se e kishin lokalizuar, pohojnë se nuk kanë asnjë informacion se ku mund të jetë 34-vjeçari. Madje, pohojnë se ai mund të jetë larguar edhe jashtë vendit, një version që e kundërshtonin me forcë fillimisht. “Artur Kuliçaj ka vepruar i vetëm në vrasjen e balerinës. Ai nuk ka pasur bashkëpunëtor dhe gjatë hetimeve, të gjitha pikat na çojnë tek ai. Jemi në kërkim të vrasësit”, thonë burime nga policia. Kuliçaj, edhe pse është identifikuar menjëherë pas krimit, ka mundur që të largohet, pa u prekur nga askënd. Rreth tri javë pas vrasjes, 36-vjeçarin duket sikur e ka përpirë dheu. Policia nuk di të thotë nëse ai ka dalë përtej kufijve, apo ndodhet në Shqipëri.
Ngjarja
Balerina Sonila Tafa mbeti e vrarë mëngjesin e 6 prillit të këtij viti, në një prej lokaleve të natës në periferi të Tiranës. E reja kishte shkuar atë natë që të shihte në skenë, mikeshat e fëmijërisë, të cilat do të prezantonin për publikun performanca të ndryshme. Në ambientet e lokalit, mes dy tavolinave ka shpërthyer një sherr banal. Gjithçka nisi me shikime dhe fyerje. Situata degjeneroi deri në hedhjen e gotave nga njëra tavolinë tek tjetra. Brenda pak minutave, situata është neutralizuar nga rojet e sigurisë private, e cila i ka nxjerrë të dyja palët kundërshtare jashtë lokalit. Por gjithçka nisi nga e para, ku palët u përlesheshin edhe fizikisht. Sërish badigardët kanë ndërhyrë për t’i ndarë. Disa prej tyre i ka futur brenda dhe Artur Kuliçajn së bashku me shoqëruesit e tjerë, i lanë jashtë. Një gjë e tillë nuk është përtypur nga 34-vjeçari, i cili është rikthyer për të marrë hak ndaj badigardëve që i mbyllën derën e lokalit dhe personave që ishte konfliktuar. Nga mjeti me të cilin udhëtonte, ai ka qëlluar 6 herë në drejtim të klientëve që ishin bërë gati për të ikur nga festa, pasi ajo kishte përfunduar. Nga të shtënat Tafa mbeti e vdekur, ndërsa mikesha e saj, u plagos lehtë në këmbë. Pas “hakmarrjes”, Kuliçaj është larguar nga vendi i ngjarjes për t’iu fshehur drejtësisë me të njëjtën makinë që kishte shkuar në festë. Silvana Muça