Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cilësoi një skandal mbledhjen e fundit të Këshilit të Lartë të Drejtësisë që u drejtua nga Presidenti Ilir Meta dhe ku u miratua vendimi për t’i dhënë leje prindërore, sipas ministers “në mënyrë të fshehtë gjyqtarit Gjin Gjoni”.


Leja 2-vjeçare u dha me argumentin se Gjoni është bërë baba dhe i duhet të udhëtojë drejt Gjermanisë ku jeton bashkëshortja e tij në mënyrë të shpeshtë, por Gjonaj e cilësoi vendimmarrjen e KLD të paligjshme dhe kërkoi shfuqizimin e vendimit.


“Pa kuorum, duke përfshirë edhe votën e Gjin Gjonit, KLD i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave. KLD mbajti të fshehtë vendimin për gjyqtarin Gjin Gjoni, ndërsa në procesverbal zbulohet mjaft mirë leja prindërore e Gjin Gjonit. Do t’i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë vendimin e marrë në shkelje të ligjit, në të kundërt kërkesa do t’i drejtohet gjykatës”, deklaroi ministrja e Drejtësisë.


Por për këtë deklaratë të ministers ka reaguar edhe KLD, duke ironizuar fillimisht mospjesëmarrjen e Etilda Gjonajt në mbledhje dhe nënvizuar më pas se “vendimi për leje është marrë me kuorum të plotë”.


“Është i pavërtetë deklarimi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk ka patur kuorumin e nevojshëm për vendimarrje, pasi kuorumi vendimmarrës i KLD-së mbi këtë çështje pasqyrohet qartësisht dhe në mënyrë transparente në procesverbalin e mbledhjes të publikuar”, reagon KLD.


KLD sqaron se “ka zhvilluar mbledhjen e tij më datë 11.10.2018, në të cilën përveç dy çështjeve të caktuara në rendin e ditës është miratuar dhe përfshirja për shqyrtim në këtë mbledhje edhe kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë z.Gjin Gjoni për leje prindërore. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese KLD ka vendosur: “Të miratojë kërkesën për leje prindërore për një periudhë 2 vjeçare, gjyqtarit Gjin Gjoni, për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë’”.


Më tej në njoftimin për mediat të KLD shprehet “keqardhja për pasaktësitë në përmbajtjen” e deklaratës së ministres Gjonaj.


“Së pari duhet sqaruar se anëtarja e KLD-së zj.Etilda Gjonaj, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, megjithëse është njoftuar për zhvillimin e saj. Në kushtet kur Ministrja Gjonaj nuk ka qenë prezent në mbledhjen e zhvilluar, deklarata e saj për mungesë transparence nga KLD, nuk është objektive dhe aspak korrekte në citimet e saj”, nënvizon KLD.


KLD gjen kohë edhe të ironizojë deklaratën e Gjonaj duke thënë: “Çdo pretendim apo kundërshtim që mund të ketë, jo vetëm Ministrja e Drejtësisë, por dhe çdo anëtar tjetër i KLD-së, është i mirëpritur t’i paraqesë së pari me pjesëmarrje e tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përmbushur kështu funksionin e anëtarit të këtij organi përsa kohë ky organ do të jetë funksional”.


20 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)