Neni 67 – Sipas kodit, për çdo zonë zgjedhore, të paktën 30 për qind e listës shumëemërore duhet t’i përkasë gjinisë femërore
Kërkesa – Përveç kësaj kërkese, kodi sanksionon që një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë një femre
Gjobat – Partitë kryesore në vend, PS dhe PD, si dhe LSI, janë gjobitur për mosrespektimin e këtyre kërkesave
Listat
Mazhoranca pritet të zhvillojë konsultime për të shmangur problemet e lindura në disa degë
Tirana – Loja e shpërndarjes së mandateve në Tiranë, pas dorëheqjes së ministrave, pritet të sjellë dilema. Kjo sepse janë katër ministra që lënë mandatin, në një qark ku femrat kanë prioritet.
Elbasani – Damian Gjiknuri, i zgjedhur për ministër nga lista e deputetëve të Elbasanit i hap rrugën kandidates Luljeta Arapi, për të marrë këtë mandat
Dibra – Situata me deputetin e radhës së Dibrës, pas tërheqjes së Canit si pasojë e detyrës së ministrit, pritet të jetë e komplikuar, pas polemikave brenda strukturave të PS-së për mbështetjen e Hasan Cenit.
Durrës – Qarku i Durrësit gjithashtu pritet të sjellë në Kuvendin e Shqipërisë një deputete femër. Esmeralda Shkjau merr mandatin e deputetes, duke lënë jashtë Shkëlqim Troplinin.
Fatjona Mejdini
Zotimi i ministrave të rinj se do të lënë mandatin e deputetit, do të hapë në Partinë Socialiste një proces të ri, i cili pritet të zgjasë disa javë, por dhe të sjellë lëvizje konsistente në konfigurimin e Parlamentit të ri. Futja e deputetëve të rinj në vend të atyre që do të lënë mandatin pritet të jetë një proces i cili do të bazohet mbi kërkesat e Kodit Zgjedhor për barazinë gjinore, por edhe mbi tërheqjen e kandidatëve, të cilët do t’iu lënë vendin kandidatëve të cilët kanë qenë më afër zonës së fituesve. Qarqet ku dilemat janë të mëdha për kandidatët që do të marrin mandatin e deputetit, si pasojë e kërkesave të Kodit Zgjedhor dhe “meritokracisë” për kontributin e dhënë në fushatë, janë Tirana, Dibra, Elbasani dhe Durrësi. Në këto qarqe mandati i deputetit u kalon femrave në listë, pavarësisht se ato nuk janë në vijën që ndan fituesin nga humbësin. Por do të jetë në dorë të kandidateve femra, të vendosin nëse ato do të tërhiqen nga mandati apo do ta mbajnë atë. Një dilemë e tillë duket se është zgjidhur në Qarkun e Lezhës, ku si pasojë e emërimit të Mimi Kodhelit si ministre e Mbrojtjes, Kodi Zgjedhor parashikonte që mandatin e deputetit ta merrte kandidatja Mejreme Delishi. Por burimet bënë të ditur për “Shqip” se kjo nuk do të ndodhë dhe se Delishi pritet të tërhiqet nga mandati, për t’ia kaluar atë kandidatit të tretë në listën e Lezhës, Arben Ndokës. Mbetet për t’u parë se në cilat qarqe do të zbatohet kjo logjikë, por burimet bëjnë të ditur se dhe Qarku i Dibrës mund të jetë afër një tërheqje të tillë.
Femrat
Kodi Zgjedhor thekson në mënyrë të qartë se të gjithë qarqet të cilat kanë marrë penalitete nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mosrespektimin e kuotave gjinore në lista, në rast dorëheqje nga mandati, përfitojnë femrat, pavarësisht renditjes së tyre në listë. Një rast i tillë ka ardhur, me zotimin e Kryeministrit të ri, se të gjithë ministrat do të tërhiqen nga mandati i deputetit, duke e lënë tashmë çështjen të zgjidhet përmes Kodit Zgjedhor, por dhe vendimeve personale. Futja në lojë e së drejtës së çdo kandidati femër për t’u tërhequr nga mandati i deputetes dhe për t’ia lënë vendin kandidatit që vjen menjëherë pas fituesit e ndërlikon situatën. Në këto kushte, femrat të cilat përfitojnë të drejtën të marrin mandatin janë përballë dilemave dhe për pasojë, pritet që ato të marrin vendime individuale. Nga tërheqja e katër deputetëve të Qarkut të Tiranës për t’u bërë ministra, kodi i jep të drejtën, Blerina Gjylametit dhe Erjeta Alhysës për të marrë mandatin dhe lë jashtë kandidatët Alfred Dalipi dhe Sadi Vorpsi. Në Durrës, Esmeralda Shkjau merr mandatin përpara Shkëlqim Troplinit, në Dibër, Esmeralda Hoxhës i jepet kjo e drejtë përpara Hasan Cenit dhe po kështu në Elbasan, Luljeta Arapi e përfiton mandatin, duke lënë jashtë Arben Kamamin.
Tërheqja
Burimet bënë të ditur për “Shqip” se situata e ngjashme në Qarkun e Lezhës, ku si pasojë e tërheqjes së deputetes Mimi Kodheli, mandatin duhet ta marrte një femër, është zgjidhur përmes tërheqjes që pritet të bëjë kandidatja Mejreme Delishi. Në këtë rast, mandati i deputetit do t’i takojë kandidatit të socialistëve të renditur i treti në listë dhe shkon për Arben Ndokën. Nuk dihet nëse ky rast tërheqje do të përsëritet dhe në katër qarqet e tjera.
Mhill Fufi
PD, i pesti i Lezhës gati të jetë deputet
Partia Demokratike pritet gjithashtu të përfitojë të shtojë si deputet të ri për këtë legjislaturë, Mhill Fufin, kandidatin e renditur të pestin në listën e demokratëve për Qarkun e Lezhës. Burimet bëjnë të ditur se kjo lëvizje pritet të ndodhë gjatë javëve të ardhshme për shkak të tërheqjes së Vasil Bicaj, i cili ka marrë certifikimin si deputet nga ana e Kolegjit Zgjedhor. Në këtë mënyrë pritet që kjo të jetë tërheqja e dytë e kandidatëve për Qarkun e Lezhës, në kuadër të përfitimit të mandatit të deputetëve në legjislaturën e ardhshme. Mhill Fufi ishte ditën e zgjedhjeve më 23 qershor, pjesë e një incidenti të rëndë që ndodhi në Lezhë, ku humbi jetën një mbështetës i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe po kështu Fufi u plagos rëndë, por pa pasoja për jetën. Incidenti i krijuar paraditen e 23 qershorit, solli dhe një klimë të thellë mosbesimi ditën e zgjedhjeve dhe u pasqyrua dhe në raportet e ndërkombëtarëve.