Zv.ministri
Fundi i vitit dhe ceremonitë festive për mbylljen e tij kanë nxjerrë në pah edhe përplasjet e forta brenda qeverisë Berisha. Kështu, zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, njëkohësisht kreu i Lidhjes Demokristiane, Nikoll Lesi, refuzoi dje t’i bashkohet pritjes së fundvitit të organizuar nga Berisha për ministrat dhe zëvendësministrat e tij. Sipas Lesit, në këtë moment të vështirë që është vendi nuk është koha për darka, por për qëndrime serioze dhe ndryshime të thella në qeveri. “Nuk jam për dreka, por për reflektime në qeverisje. Është kohë për analizë e ndryshime në qeveri”, theksoi Nikoll Lesi, i cili në mënyrë të herëpashershme ka qenë kritik ndaj qeverisë dhe emrave që kanë pasur pozicione kyçe në të. Por, pavarësisht kritikave, Lesi nuk ka lëvizur nga pozicioni i zëvendësministrit, duke theksuar se qëndrimin e rëndësishëm për anësinë politike ai do e mbajë në prag të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.