“Në asnjë rast nuk janë raportuar financimet dhe burimi i tyre dyshime për shpenzimet”
Nenet – Sipas deputetit Blushi deri më tani janë shkelur këto nene të statutit: 3, 4, 6, 17, 24, 25, 26, 27, 29, 30, 32, 42 dhe 51
“Me shpresën e arsyeshme tek arsyeja!”. Kjo është fjalia mbyllëse e letrës së Ben Blushit të shpërndarë për deputetët e PS-së në mbledhjen e djeshme të grupit socialist ku renditen 15 shkelje të statutit, si dhe të Kushtetutës dhe të ligjit “Për partitë politike”. Prej shtatë vitesh, sipas Blushit, PS-ja po vepron në kundërshtim me statutin e partisë dhe me ligjet e vendit. Rivali i Ramës për postin e kreut të PS-së thekson se gjysma e anëtarëve në Kryesisë janë me mandat të papajtueshëm. “PS ka pesë apo gjashtë vjet që janë shkelur normat statusore, bilanci i financave nuk miratohen në kryesi financat e saja”, theksoi Blushi. Funksionimin e PS-së në shkelje të Kushtetutës, deputeti e sheh tek neni 9, ku sanksionohet se “partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike”. “Pra vetë Kushtetuta, nëpërmjet kësaj dispozite, e ka ngritur në nivel kushtetues detyrimin që kanë partitë politike për t’u organizuar në përputhje me parimet demokratike. Për pasojë, organizimi i një partie politike nuk është një çështje e brendshme e saj, por përkundrazi është një çështje që mbi të gjitha i përket vetë rendit kushtetues.
Si e tillë, si një çështje që i përket rendit kushtetues, organizimi i një partie politike nuk mund t’i nënshtrohet vetëm diskrecionit dhe votimit të organeve të partisë politike, por ai së pari duhet t’u nënshtrohet parimeve demokratike të cilat nuk votohen por thjesht respektohen dhe garantohen. Kjo, sepse demokracia parlamentare përfaqësuese nuk mund të paramendohet pa ekzistencën dhe funksionimin e partive politike mbështetur në parimet demokratike”, shkruan në letrën e tij Blushi. Ai shprehet se nuk do të ndalet në betejën e tij.
Cenimi i barazisë
Duke iu referuar nenit 7 të ligjit “Për partitë politike” ku jepen rastet e ndalimit të subjekteve, Blushi shkruan se nga 2013, organizimi i PS-së bie ndesh me këtë dispozitë. “Sa më sipër, është më se e qartë se që prej shtatorit 2013, datë kur duhej të mbahej Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste, organizimi i brendshëm i PS, jo vetëm që bie në kundërshtim me një sërë nenesh të Statutit të PS, por ka cenuar edhe parimin e zgjedhjes së brendshme demokratike për forumet e partisë, si dhe të drejtën e çdo anëtari për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.
Shkelja dhe cenimi i këtyre parimeve dhe të drejtave ka bërë që gjatë gjithë kësaj periudhe rreth 5-vjeçare të gjitha organet e brendshme qendrore të PS të mos kenë, pasi e kanë humbur, legjitimitetin për ushtrimin e funksioneve të tyre. Kjo sepse bazuar në Statutin e PS, në ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike” si dhe në parimin demokratik që të gjitha organet që zgjidhen nuk kanë dhe nuk gëzojnë një legjitimitet të përjetshëm, apo të papërcaktuar në kohë, por, përkundrazi kanë dhe gëzojnë një legjitimitet të përkohshëm, të përcaktuar në kohë, i cili rifitohet dhe rinovohet periodikisht nëpërmjet mekanizmit demokratik të zgjedhjeve të këtyre organeve”, shprehet Blushi.
Disa nga shkeljet e statutit
Neni 26
Po shkelet norma e zgjedhjeve për kryetarin e PS, pasi në Kongresin e pritshëm të datës 19 mars nuk po pranohen kandidaturat konkurruese me justifikimin se ky vendim do t’i lihet në diskrecion vetë Kongresit, i cili sipas statutit nuk ka të drejtë të vendosë nëse do ketë zgjedhje apo jo. Kongresi ka të drejtë të administrojë kandidaturat dhe të caktojë datën e zgjedhjeve sipas parimit ‘një anëtar, një votë’.
Neni 27
Mosmbledhja e Asamblesë dhe mosndryshimi i datës së Kongresit po nga Asambleja. Ky organ duhet të mblidhej një herë në tre muaj. Që nga viti 2013, Asambleja Kombëtare e PS është mbledhur vetëm një herë në korrik të vitit 2015 duke caktuar datën e Kongresit në fund të muajit janar, vendim i cili u shkel pa një vendim të dytë të Asamblesë Kombëtare, e cila e ka këtë të drejtë sipas statutit.
Neni 29
Kryesia mblidhet një herë në muaj
Është shkelur rëndë parimi i mbledhjes periodike të detyrueshme. Kryesia e PS-së, që prej vitit 2013, është mbledhur vetëm një herë dhe nuk është lejuar të miratojë projekt-programet, ndryshimet statutore dhe asnjë nga procedurat që shkojnë në shqyrtim në Asamblenë Kombëtare. Në të kundërt, Kryesia dhe vendimet e saj janë zëvendësuar në mënyrë jo legjitime dhe antistatutore nga një ekip prej 6 koordinatorësh të emëruar nga kryetari i PS, çka nuk parashikohet në asnjë nen të statutit dhe është një sajesë që zëvendëson Kryesinë me njerëz të emëruar pa mandat. Vendimet e koordinatoreve të emëruar për shtyrjen e Kongresit dhe ndarjen organizative të PS-së në gjashtë rajone, çka bie ndesh me ndarjen territoriale dhe sistemin zgjedhor në fuqi, janë ilegjitime dhe eksperimentale.
Neni 51
Është cenuar parimi i transparencës dhe llogaridhënies së detyrueshme pasi që prej vitit 2009 e në vazhdim, shpenzimet dhe donacionet që ka përfituar PS nga individë apo nga kuotat e anëtarësisë së saj nuk janë raportuar asnjëherë në kryesi dhe asamble. Po ashtu, buxheti vjetor i PS nuk është miratuar në asnjë rast nga këto forume, por është shpërndarë në mënyrë jotransparente në përputhje me statutin, duke i dhënë Partisë Socialiste profilin e një biznesi privat dhe jo të një bashkimi vullnetar individësh.
Pika 7
Përdorimi i burimeve të paligjshme për financimin e veprimtarisë së partisë ose në emër të saj dhe përdorimi për qëllime personale i burimeve materiale e financiare të partisë është i papajtueshëm me normat morale dhe organizative të PS-së. Sipas shkallës së përgjegjësisë për shkeljen e kësaj disipline ndaj anëtarit të partisë merren këto masa: a. zhdëmtimi i arkës së partisë. b. çregjistrimi nga partia. c. denoncimi ndaj organeve të drejtësisë. Në asnjë rast nuk janë raportuar financimet dhe burimi i tyre, duke shtuar dyshimet e opinionit publik dhe anëtarësisë për shpenzimet e PS dhe donatorëve të saj që, në disa raste, janë kthyer edhe në përfaqësues të PS-së jashtë çdo norme statutore.
Kryetari pa zgjedhje
Po ashtu, dhënia e fuqisë prapavepruese këtij ndryshimi cenon parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe të të drejtave të fituara, sepse si parim, ligjet, (në këtë rast Statuti i PS është ligji i saj), i shtrijnë efektet e tyre për kohën e ardhshme, ndërsa fuqia prapavepruese zbatohet vetëm në raste përjashtimore, kur justifikohet prej interesit të fortë publik, nëse paraqitet domosdoshmëria për të shmangur pasoja të rënda, negative ose të pandreqshme.