Galdini jep dorëheqjen si koordinator. Agasi: Rifillojmë në shtator


Lëvizja e Fatos Nanos, e cila ka si qëllim ofensivën e fortë në të majtën shqiptare për të marrë lidershipin e PS-së, ka pësuar një efekt stand by nga hapja e sezonit turistik. Dy nga përfaqësuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje, Bardhyl Agasi dhe Arjan Galdini, kanë dalë me deklarata për media, që bëjnë të ditur se “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve” do të vazhdojë punën e saj me të gjithë motorët. Por ndërsa Agasi përmend shtatorin si sezonin e ristartimit të punës së lëvizjes, Arjan Galdini ka dhënë dorëheqjen nga posti i koordinatorit të LNFS.


Agasi


Lëvizja “Nano për Fitoren e Socialistëve” ka vënë në lëvizje edhe mbështetësit e saj në Durrës. Bardhyl Agasi, ish-deputet i PS-së së bashku me Paqësor Zenelin, janë dy nga emrat që kanë dalë në mbështetje të kësaj lëvizjeje që nga bërja publike e saj.


Në një intervistë për “AS” ish-deputeti Bardhyl Agasi, është shprehur se bashkimi me këtë lëvizje ka qëllimin e shërimit dhe forcimit të Partisë Socialiste nga kjo që po vuan. “U bë kaq kohë që kjo parti nuk njeh asnjë fitore, në shkelje statutore, me gabime trashanike, siç ishte ndryshimi i Kushtetutës. Me një strategji që ka çuar në fërkimin e duarve të Berishës, sepse ka dalë gjithmonë ai fitues. Kjo është një lëvizje e inkuadruar brenda PS-së, ka shërbimin më të mirë për ta çuar Partinë Socialiste me një siguri të plotë në zgjedhjet e ardhshme për fitore”, u shpreh Agasi. Në lidhje me organizimin në Durrës, Agasi bën të ditur se edhe pse kjo lëvizje është në hapat e parë, ka marrë mjaft mbështetje nga socialistët durrsakë. “Qëllimi ynë i parë është që ne të kontaktojmë me bazën e socialistëve në mënyrë që t’u shfaqim mendimet, vërejtjet tona dhe për të marrë mendimet e tyre. Duke filluar nga shtatori të ndihet fuqishëm brenda PS-së kjo alternativë”, thotë ish-deputeti socialist.


Galdini


Ndërkaq, koordinatori i Lëvizjes “Nano për Fitoren e Socialistëve”, Arjan Galdini ka bërë të ditur se largohet nga ky post për arsye se ai i përket politikisht spektrit të djathtë politik dhe jo atij të majtë. “Tashmë kemi një President Republike të sapozgjedhur z. Bujar Nishani, i cili në pikëpamjen time bazuar edhe në njohjen e miqësinë personale që kam me të, është një njeri i ndershëm, personalitet i nderuar politik, i cili e meriton të mbështetet në detyrimin e tij kushtetues dhe aspiratën e tij morale e politike për të qenë mbi palët, si edhe simbol i unitetit kombëtar”, thekson Galdini, i cili më pas shton se ai ka kontribuar politikisht në dështimin e Ramës në betejat politike të presidentit dhe të fitores së të majtës. “Në sajë të këtyre dy lëvizjeve, Edi Ramës i ranë pendët e kinsepolitikës së re, kinsekursit të ri, sikurse po i bien edhe të gjitha vlerat politike bashkë edhe me germat e mbiemrit. Në sajë të këtyre dy lëvizjeve, Edi Rama u bë, Edi Ra”, thekson Galdini. Në deklaratën e tij, Galdini bën të ditur se meqë lëvizja që ai kontribuoi e arriti qëllimin, ai po largohej. “Fatkeqësisht, unë si aktivist politik i qendrës së djathtë për 22 vite, e si aktivist i lirë civil, nuk mundem më që të mbaj mbi shpatulla një përgjegjësi kaq të madhe, që do të më kërkonte të tjetërsohesha nga bindjet, idetë, aktivizimi koherent dhe vizioni im. Ndonëse i dua, nderoj dhe respektoj shumë socialistët si të gjithë bashkëqytetarët e mi pavarësisht ngjyrave politike, ideve, përkatësive të ndryshme fetare, kulturore apo etnike, unë nuk mund të jem pjesë e një beteje që më tjetërson mua”, thekson Galdini në deklaratën e gjatë për shtyp.


Agasi – “Qëllimi ynë i parë është që ne të kontaktojmë me bazën e socialistëve në mënyrë që t’i shfaqim mendimet, vërejtjet tona dhe për të marrë mendimet e tyre. Duke filluar nga shtatori të ndihet fuqishëm brenda PS-së kjo alternativë


Galdini – “Fatkeqësisht, unë si aktivist politik i qendrës së djathtë për 22 vite, e si aktivist i lirë civil, nuk mundem më që të mbaj mbi shpatulla një përgjegjësi kaq të madhe, që do të më kërkonte të tjetërsohesha nga bindjet”