Ambasadori amerikan në Libi, Chris Stevens, një zyrtar i ambasadës dhe dy marinsa janë vrarë mbrëmjen e djeshme kur persona të armatosur sulmuan konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Benghazi, qytet në Lindje të Libisë. Protesta ka nisur në shenjë pakënaqësie pas shfaqjes së një filmi, që popullsia vendase pretendon se ka fyer profetin Muhamed. Persona të armatosur me granata hynë me dhunë në ndërtesë e më pas i vunë flakën. Ende nuk bëhet i ditur identiteti i zyrtarit të vrarë.


Në një deklaratë menjëherë pas ngjarjes, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton u shpreh se ishte shumë e trishtuar për këtë humbje tragjike. “Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje të qëllimshme për denigruar besimin fetar të të tjerëve, por më lejoni të jem të qartë: Nuk ka justifikim për veprime të këtij lloji”,-tha ajo.


Një ditë më parë, një protestë e ngjashme ndodhi në Kajro. Filmi që ka ngjallur reagime të ashpra titullohet “Pafajësia e Myslymanëve” dhe është realizuar nga izraeliti 54-vjeçar, Sam Bacile, me banim në Kaliforni, i cili njihet për pikëpamjet e tij anti-islamike. Filmi ka shkaktuar reagime dhe në Kajro.


Një ditë pas këtyre trazirave regjisori ka deklaruar në një të përditshme amerikane “Islami është një kancer”. Pas ngjarjeve të fundit ai është detyruar të fshihet në një vend sekret. Duke folur në telefon për agjencinë “Associated Press” ka përsëritur qëndrimet e tij anti-islamike dhe se filmi i tij është një provokim politik për dënimin e besimit mysliman.


Presidenti amerikan Barack Obama dënoi sulmin në një deklaratë të shpërndarë përmes të gjitha ambasadave të SHBA-ve në botë.


“Dënoj me forcë sulmin mizor kundër selisë sonë diplomatike në Bengazi, i cili mori jetën e katër amerikanëve, përfshirë Ambasadorin Kris Stivens. Në këto çaste, familjet e atyre që humbëm janë në mendjet dhe lutjet e popullit amerikan. Ata mishëronin përkushtimin e Amerikës ndaj lirisë, drejtësisë dhe partneritetit me shtetet dhe popujt anekënd globit dhe qëndrojnë në kontrast të fortë me ata që iu morën jetën në mënyrë gjakftohtë,” thuhet në deklaratën e presidentit Obama shpërndarë nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë.


“E kam udhëzuar Administratën time t’iu ofrojë të gjitha burimet e nevojshme në mbështetje të sigurisë për personelin tonë në Libi dhe të rrisin nivelin e sigurisë në të gjitha postet tona diplomatike anembanë globit. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara refuzojnë përpjekjet për të denigruar besimet fetare të të tjerëve, të gjithë duhet të kundërshtojmë pa ekuivok atë lloj dhune të pakuptimtë që mori jetën e këtyre nëpunësve publikë.


Nga një pikëpamje personale, Krisi ishte një përfaqësues i guximshëm dhe i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara. Gjatë gjithë revolucionit libian, ai i shërbeu vendit tonë dhe popullit libian në misionin tonë në Bengazi në mënyrë vetëmohuese. Si ambasador në Tripoli, ai ka mbështetur tranzicionin e Libisë në demokraci. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë kudo ku qeniet njerëzore kërkojnë liri dhe drejtësi. Jam thellësisht mirënjohës për shërbimin e tij për administratën time dhe ndjej trishtim të pamatë për këtë humbje.


Amerikanët e guximshëm që humbëm përfaqësojnë shërbimin dhe sakrificat e jashtëzakonshme që civilët tanë ofrojnë çdo ditë kudo në botë. Teksa qëndrojmë në krah të familjeve të tyre, le të dyfishojmë përpjekjet tona për të çuar përpara punën e tyre,” thuhet më tej në deklaratë.


12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)