Sterkaj: Mund të përdoret për interesa meskine. Braho: Do pësojë ndryshime
HERION MESI
“Spiunët” në administratë, Ndreu dhe Stërkaj kundër ministrit Çuçi.
Në mungesë të deputetëve të opozitës në mbledhje, do të ishin vetë deputetët socialistë ata që i kanë dalë kundër projektligjit të ministrit Bledi Çuçi për mbrojtjen e sinjalizuesve të korrupsionit në administratën publike dhe në ndërmarrjet private me mbi 100 punonjës. Nisma parashikon mbrojtje për punonjësit që spiunojnë shefat e korruptuar qoftë në shtet, qoftë në privat. Por sipas deputetëve të PS-së në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ligji u lë shteg spiunëve dizinformues që të inkriminojnë dhe njerëz të ndershëm. Madje, sipas Pjerin Ndreut shumë prej këtyre spiunëve, po drejtojnë dhe shtetin. “Duhet të mbyllen hapësirat për njerëzit që mbajnë vendet e punës me spiunlliqe, sepse intrigantët, spiunët dhe servilët janë të parët e vendit në Shqipëri. Jo në mënyrë absolute, por këta njerëz janë të parët e vendit. Më të përkrahurit janë servilët dhe dizinformuesit”, tha Ndreu. Në vijim të kontestimit të tij të draftit të qeverisë, për deputetin Pjerin Ndreu një ligj i tillë do të shkaktonte kolaps edhe në sistemin e drejtësisë. Në të njëjtën linjë do të shprehej edhe deputeti tjetër i PS-së, Paulin Stërkaj, i cili tha se ky projektligj mund të bëhet shkak për dëmtimin e grupimeve të ndryshme të biznesit. “A keni menduar ndonjëherë se ky projektligj mund të kthehet në një aktivitet real kundër grupimeve të ndryshme në sektorë të ndryshëm e shoh me merak këtë pjesë”, iu drejtua deputeti Stërkaj. Zëvendësministrit të Drejtësisë, Idlir Peçi, që ishte i pranishëm në prezantimin e draftit në fjalë. Në përgjigje të shqetësimeve të shprehura nga deputetët e mazhorancës, zëvendësministri Peçi u shpreh se ky ligj është i domosdoshëm për të siguruar fakte, të cilat siç tha ai, shpesh i mungojnë prokurorisë për të vijuar hetimin e çështjeve. “Duhet të minimalizojmë justifikimin apo ankesën e prokurorisë se nuk nis dot hetime për shkak të informacionit që është i pamjaftueshëm”, tha Peçi. Pavarësisht votës pro në parim, nisur dhe nga kontestimet e deputetëve Ndreu dhe Stërkaj, të cilët u shprehën shumë skeptikë në lidhje me projektligjin e propozuar nga qeveria, për mbrojtjen e sinjalizuesve, një apel i fundit në adresë të qeverisë për të rishikuar draftin, do të bëhej edhe nga kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, të cilat rezervat e tij ia kaloi Komisionit të Ligjeve për rishikim, si komision përgjegjës për miratimin në tërësi të draftit. “Qeveria duhet ta shikojë mirë këtë ligj, pasi edhe te Komisioni i Ligjeve janë konstatuar disa vërejtje”, tha Braho, duke vendosur që të shtyjë miratimin nen për nen të draftit, deri në një përgjigje të Komisionit të Ligjeve. Gjatë diskutimeve të mëparshme të kësaj nisme, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur skeptike, por qeveria ka thënë se, me qëllim shmangien e keqpërdorimit, në ligjin e ri të qeverisë nuk parashikohet shpërblimi për sinjalizuesit, duke demotivuar sipas tij, keqpërdorimin për qëllim abuzive.