Gjykata Kushtetuese vendosi sot rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së “Qiramarrësve në shtëpitë shtetërore, ish-pronë private”. Shoqata kishte kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ të qeverisë “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuar”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij. Por pas shqyrtimit të kërkesës Gjykata Kushtetuese ka vendosur në unanimitet rrëzimin e kërkesës, së depozituar dy ditë më parë.
Vendimi i sotëm është përshëndetur nga ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Në një konferencë për shtyp, ai deklaroi se vendimi i gjykatës i dha fund padrejtësisë 68-vjeçare, kundër një shtrese që u shpronësua forcërisht nga regjimi komunist dhe tashmë po rivendoset një e drejtë bazike kushtetuese. Ai garantoi se akti normativ i kthimit të pronave do të zbatohet me përpikmëri dhe se i gjithë procesi do të mbikëqyret nga MPPT.
“I garantoj pronarët se gjithë administrata e Entit Kombëtar të Banesave në çdo degë rajonale do të jetë e gatshme për të ndjekur procedurat e parashikuara nga akti normativ dhe e gjithë procedura do të mbikëqyret nga MPPT në mënyrë që tërësia e saj të jetë një sukses që do të garantojë jo vetëm zbatimin e këtij akti të rëndësishëm, por edhe që do të çojë në vend një të drejtë të mohuar”, tha Olldashi. Ai ftoi të gjithë ish-pronarët që duke filluar nga dita e nesërme të aplikojnë për kthimin e pronës së tyre pranë Entit Kombëtar të Banesave.
Akti normativ i qeverisë, i miratuar në parlament në muajin shtator, parashikon lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Ky dokument përcakton lirimin e pronës, ish-pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut. Akti parashikon datën 1 nëntor si afatin final për nisjen e zbatimit të procesit të lirimit të banesave të ish-pronarëve.
31 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)