Cilat do të jenë dy formacionet e deputetëve të sigurt të partive të mëdha në Tiranë. Ndryshimet e pritshme në krye të listave në disa qarqe
FRD detyron Berishën të kandidojë në Durrës. Rama mund ta ndjekë për të pasur përballje
Berisha-Rama, dueli mund të zhvendoset në Qarkun e Durrësit
Lëvizjet e fundit të krerëve të listave. PD-PS, emrat në 12 qarqe
Kur mbetet një javë nga dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dy koalicionet e mëdha ende nuk kanë përcaktuar emrat që do të kryesojnë listat në disa qarqe të rëndësishme të vendit. Kështu, Partia Demokratike, ende nuk ka zgjidhur “nyjat” në Durrës dhe pritet që kjo lëvizje të ketë lidhje të gushtë me Qarkun e Tiranës, Partia Socialiste, ende nuk ka vendosur kryesuesin në Shkodër, Berat dhe po flitet në momentet e fundit që do të ketë ndryshime në Gjirokastër. Mundësia ndryshimit të qarkut nga ana e Kryeministrit Sali Berisha për t’u zhvendosur në Durrës, po bëhet gjithnjë e më reale, pasi ky qark shihet mjaft i rëndësishëm dhe po sulmohet fuqishëm nga ana e opozitës. Një arsye tjetër është edhe mungesa e figurave të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit dhe kandidimi i dy emrave të njohur nga FRD si Gazmend Oketa dhe Sami Gjergji në këtë qark. Nëse Berisha zhvendoset në Durrës, ka gjasa që edhe Rama të marrë drejtimin e listës së opozitës në këtë qark, pasi siç mësohet Edi Rama synon të zhvillojë një “duel e elektoral” me rivalin e tij politik.
PD
Mazhoranca e ka përcaktuar tashmë që anëtarët e qeverisë dhe drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike do të jenë edhe krerët e listave në 12 qarqet e vendit, ku thuajse në të gjitha zonat do të ketë hapësirë për 25 aleatët që kanë firmosur në një koalicion të përbashkët. Kështu, në Qarkun e Kukësit, listën e deputetëve të koalicionit “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” do ta drejtojë ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Në Qarkun e Shkodrës, listën e mazhorancës do ta kryesojë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në Dibër, lista do të ketë si primar, ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Në Qarkun e Lezhës, rikthehet shefi i diplomacisë, Aldo Bumçi, i cili ka rezultuar fitues në këtë qark në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Një tjetër anëtar i qeverisë do të drejtojë Qarkun e Elbasanit dhe bëhet fjalë për ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, i cili mori zonën e menaxhuar nga Lulzim Basha në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në Fier nuk do të ketë gjithashtu surpriza dhe lista e PD-së do të kryesohet nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Në Berat, sërish do të vazhdojë ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, të jetë drejtuesi i kandidatëve të mazhorancës, që kësaj here ka një betejë të fortë në një bastion të së majtës. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, për të tretën herë radhazi, do të jetë kryesues i listës së vogël të Qarkut Gjirokastër, ku do të përballet me një opozita të bashkuar PS-LSI plus PBDNJ. Në Qarkun e Vlorës do të kandidojë sërish i pari kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ministri i Financave dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, do të jetë edhe këtë radhë i pari i listës në Korçë.
PS
Opozita, gjithashtu, i ka mbyllur thuajse të gjitha emrat që do të drejtojnë listat në qarqe, por ende nuk është mbyllur Shkodra dhe flitet që mund të ketë zhvillime nëse Rama vendos të kandidojë në të njëjtin qark me Berishën, pasi ky i fundit të largohet nga Tirana në Durrës. Në Qarkun e Kukësit, listën e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane do ta drejtojë ish-prokurori i Tiranës, Vexhi Muçmata. Në Lezhë, kreu i kandidatëve të së majtës do të jetë deputetja Mimi Kodheli. Në Dibër, i pari do të kandidojë ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Në Elbasan dihet tashmë se është zhvendosur anëtari i kryesisë, Ben Blushi, ndërsa në Fier do të vazhdojë të drejtojë skuadrën e opozitës, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramor Ruçi. Në Korçë, lista pritet të kryesohet nga ish-kryeministri Pandeli Majko, ndërsa në Gjirokastër, deri tani qarkullon emri i sekretarit për marrëdhëniet me biznesin, Arben Ahmetaj. Në Berat, listën e opozitës pritet ta drejtojë anëtari i kryesisë, Eduard Shalsi. Në Qarkun e Vlorës, në krye të listës do të jetë kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, Valentina Leskaj. Në Durrës, fushata po drejtohet nga ana e sekretarit organizativ, Blendi Klosi, që pritet të drejtojë edhe listën, vetëm në rast të kalimit të kryetarit Rama në këtë qark, i cili mund të linte Tiranën për t’u përballur me Berishën. Po Tirana? Beteja në këtë qark pritet të marrë një formë dhe përmbajtje më specifike nëse mazhoranca kandidon vetëm emra jo nga politika, por persona me reputacion popullor dhe familje të njohura.
PD
Berat: Genc Pollo
Dibër: Myqerem Tafaj
Durrës? Berisha ose Halimi
Elbasan: Arben Imami
Fier: Sokol Olldashi
Gjirokastër: Genc Ruli
Korçë: Ridvan Bode
Kukës: Flamur Noka
Lezhë: Aldo Bumçi
Shkodër: Jozefina Topalli
Tiranë: Berisha ose ?
Vlorë: Astrit Patozi
Berat: Eduard Shalsi
Dibër: Shkëlqim Cani
Durrës: Blendi Klosi ose Edi Rama
Elbasan: Bend Blushi
Fier: Gramoz Ruçi
Gjirokastër: Arben Ahmetaj
Korçë: Pandeli Majko
Kukës: Vexhi Muçmata
Lezhë: Mimi Kodheli
Shkodër: Namik Kopliku ose Mimoza Hafizi
Tiranë: Edi Rama ose shoq. civile
Vlorë: Valentina Leskaj
Kreu i PS-së: Do të lënë mandatin pas hyrjes në qeveri
Rama: Ministrat, nga emrat e deputetëve të zgjedhur
Fatjona Mejdini
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, hoqi dje çdo mëdyshje duke theksuar se asnjë nga ministrat e kabinetit të koalicionit të drejtuar nga PS që mund të krijohej pas 23 qershorit nuk do të ketë mandat deputeti. Skemën që do të ndiqej dhe arsyet e një zgjedhje të tillë, Rama e bëri publike dje gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë e Partisë Socialiste. Kreu i socialistëve foli dhe për situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listat e votuesve, programin e PS-së, akuzat e Berishës, marrëdhëniet me aleatët, atë me Kreshnik Spahiun e Aleancës Kuqezi dhe faktin se PS ishte e hapur për rrjedhjet që mund të vinin nga kjo parti. Sipas Ramës, koalicioni i majtë do të ishte fitues i zgjedhjeve, pavarësisht pengesave të shumta që kishte si pasojë e infrastrukturës zgjedhore.
Mandatet
Rama shpjegoi dje se ministrat e rinj të qeverisë së tij do të përzgjidhen nga listat e deputetëve të dala nga votimet e 23 qershorit. Por sipas tij, në momentin që do të përzgjidhen ata do ta lenë mandatin e deputetit, duke ua lënë vendin kandidatëve të tjerë në listat për deputetë. “Ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandati të ministrit do të heqin dorë nga mandati i deputetit. Ata do jenë figura politike, që janë pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes, por do të bëjnë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe e kemi sanksionuar në marrëveshjen me LSI, por edhe në marrëveshje me forcat e tjera të koalicionit, duke bërë që pushtetet (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) të bëjnë funksionimin e tyre”, deklaroi Rama. Ai gjithashtu theksoi se vetë do të ishte pjesë e listës së deputetëve, duke lënë të kuptohej se gjithashtu do të hiqet dorë nga mandati kur të zgjidhej si shefi i ekzekutivit. Nga ana tjetër, Rama shpjegoi dhe arsyet se pse ndërmerret një nismë e tillë, duke lënë të kuptohet se në këtë mënyrë, Parlamenti funksionon si një kontrollor më i mirë i punës së qeverisë dhe po kështu rrethi i personave që do të marrin pushtet zgjerohet. “Kështu krijohet një ekuilibër i ri dhe hapësirë të madhe për kontrollin parlamentar, por edhe për t’i kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë, duke shtuar numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në këtë hapësirë që nesër do jetë e ndarë mes Parlamentit dhe qeverisë”, theksoi Rama.
KQZ dhe listat
Kreu i PS-së deklaroi se aktualisht mes PD-PS nuk kishte asnjë diskutim për sa i përket riformatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rama theksoi se opozita kërkonte kthimin në legjitimitet të këtij komisioni, duke shtuar se përgjegjësia dhe kostoja për këtë situatë i takonte Berishës. “Ne nuk po merremi fare me këtë çështje, nuk po humbasim asnjë sekondë për këtë çështje. Shqiptarët sot e kanë të qartë, KQZ-ja është e tëra e kontrolluar nga personalisht Kryeministri në ikje. Do të jetë edhe kryetar KQZ-je, do të jetë edhe anëtar KQZ-je, do të jetë edhe kryetar plus tre anëtarë ai vetë, le të jetë, le të rrijë, le ta mbajë. Nuk ka problem fare. Ne do ta mundim thellë, dhe kush do guxojë që fitoren e thellë ta prekë qoftë dhe një fije do të marrë përsipër të paguajë të gjithë çmimin e këtij guximi. Unë besoj që nuk do ta gjejë dot kush atë guxim. Historia nuk do të përsëritet më”, deklaroi Rama, por duke shtuar se PS do të merrte pjesë me anëtarë të saj në të gjitha nivelet e tjera të administrimit të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Rama theksoi se pavarësisht problemeve me listat e zgjedhësve, e majta nuk do të tutej dhe tërhiqej, por do të fitonte për t’i zgjidhur të gjitha këto probleme.
Edi Rama:
Lista e deputetëve
“Në raport me listat është e natyrshme që të ketë edhe ndonjë stonaturë në ndonjë dalje publike. Unë i mirëkuptoj edhe stonaturat, janë të evitueshme”
Marrëveshja me LSI
“Është përjashtuar edhe nga vetë kreu i LSI-së, pjesëmarrja e kësaj partie me prezencë të zgjeruar në listat tona. Ne do të paraqesim një skuadër konkurruese”
Prurjet nga AKZ
“Mirëpresim të gjithë ata patriotë, idealistë e njerëz të ndershëm, që u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuqezi”
Ndarja: Qarku i Tiranës përfshin kryeqytetin, bashkinë e Kamzës, të Paskuqanit, bashkinë e Kavajës, Vorës si dhe fshatrat përreth
PD: Përveç Selamit edhe Kosovës, Partia Demokratike pritet të sjellë edhe një emër të njohur në kryeqytet dhe me mjaft reputacion
Opozita: Opozita shqiptare pritet që të ketë në betejën e kryeqytetit dy nga krerët kryesorë të saj si Edi Rama dhe Ilir Meta
FRD: Në listën për deputetë në Tiranë do të konkurrojë edhe ish-Presidenti i Republikës, aktualisht kryetari i FRD-së
Kryeqyteti
Beteja e Qarkut Tiranë, Selami pritet të kopjojë modelin e Bashës
Emrat e mundshëm që do të konkurrojnë më 23 qershor
Fatjona Mejdini
Mazhoranca do të përsërisë në zgjedhjet e 23 qershorit në Tiranë, panoramën e zgjedhjeve të 8 majit 2011, ku nuk do të ketë një betejë të pastër politike ndaj opozitës, por një fushatë të qetë dhe me përmbajtje qytetare. Nëse në 2011, ikona në Tiranë ishte kandidati i PD-së për kryetar bashkie, Lulzim Basha, kësaj here një fytyrë e ngjashme politikisht, si ajo e Eduard Selamit do të drejtojë fushatën e mazhorancës. Ndërkohë, opozita edhe pse pritet që të sjellë emra me reputacion publik të zhvillojë kryesisht një fushatë të pastër politike. Lista e kandidatëve të Qarkut të Tiranës konsiderohet si tepër e rëndësishme për dy partitë e mëdha në vend. E para për shkak të faktit se ky qark ka dhe numrin më të madh të mandateve për deputet, plot 32, duke u dhënë partive një nisje të mirë për rezultatin final, nëse marrin një të tillë në Tiranë. Por lista e Tiranës shikohet e rëndësishme edhe për shkak të faktit se ajo përfshin kryeqendrën e vendit. Elektorati në këtë zonë shikohet si më pak militant dhe më shumë i përqendruar te kandidaturat që ju ofron për të votuar. Për këtë arsye, dy partitë e mëdha harxhojnë më shumë kohë, duke gjetur kandidatët e përshtatshëm dhe me reputacion të mirë për të qenë në këtë listë. Burimet nga PD bëjnë të ditur se është duke u diskutuar ideja e moskandidimit të Kryeministrit Berisha këtë vit në Tiranë, duke ia lënë këtë “vend nderi” një personaliteti të spikatur. Gjasat e mëdha janë që ky emër të vijë nga fusha e mjekësisë. Ndërsa në kampin e majtë, ka pak dilema për këtë çështje. Në krye të listës së këtij qarku do të jetë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili ka dhe një lidhje të veçantë me kryeqytetin për shkak se e ka drejtuar për 11 vjet.
PD
Partia më e madhe në mazhorancë duket se ka një dyzim të madh në lidhje me drejtimin e listës së saj për Qarkun e Tiranës. Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, kjo listë është drejtuar nga Kryeministri Berisha, por llogaritë elektorale të këtij viti mund ta ndryshojnë këtë skemë. Kështu, në krye të listës së PD-së mund të vendoset një personalitet i shquar që vjen nga radhët e intelektuale. Një nga opsionet mund të jetë drejtimi i listës nga ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami. I ardhur nga SHBA ku jeton prej vitesh ai është i pakonsumuar në qeverisje dhe pikërisht kjo do të jetë baza e fushatës së mazhorancës. Në listë do të përfshihet ministri aktual i Shëndetësisë, Halim Kosova, ose dhe ndonjë mjek tjetër i njohur gjerësisht në kryeqytet dhe në vend, por edhe ministri i Kulturës, Visar Zhiti. Më pas, lista pritet të vijojë me emra deputetësh si: Majlinda Bregu, Genc Starzimiri, Gerti Bogdani, Ilir Rusmali, Edi Paloka etj. Në këtë listë nuk është e sigurt nëse do të jetë kryetari i PD për Tiranën, Aldo Bumçi, pasi emri i tij përflitet për të qenë dhe i pari në Qarkun e Lezhës. Në listën e PD nuk do të mundojë as emri i kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Në listën e PD-së në kryeqytet pritet të kandidojë edhe ish-deputeti i PS-së, Asllan Dogjani.
PS
Socialistët do ta çelin listën e Tiranës me emrin e kryetarit të tyre, Edi Rama. Pavarësisht lidhjeve të forta të Ramës me Tiranën për shkak të drejtimit të bashkisë për 11 vjet, për të është hera e parë që kandidon si deputet në këtë qark. Më pas lista pritet të pasohet nga emra të rëndësishëm të PS-së, siç është Milena Harito, prurja e re e socialistëve, nga katedrat universitare të Francës. Në emrat e parë do të jetë natyrisht kryetari i PS-së për kryeqytetin, Sajmir Tahiri, si dhe nënkryetari i grupit, Erion Braçe, i cili e ka për herë të para kandidimin në kryeqytet. Një nga emrat e prezantuar si të sigurt në listën e Tiranës do të jetë edhe kreu i njësisë bashkiake nr.1, Lindita Nikolla, e cila është edhe anëtare e kryesisë. Gjithashtu, në 15 e parë do të kandidojnë edhe kreu i Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati, eksperti i njohur i territorit dhe publicisti, Artan Lame, deputetët aktualë: Ilir Gjoni, Artan Gaçi, Fatmir Xhafa, Auron Tare, Xhemal Qefalia. Në kryeqytet pritet të kandidojë edhe anëtarja e kryesisë Arta Dade, ish-kryetari i PS-së për kryeqytetin, Musa Ulqini, si dhe sekretari për koalicionet, Ndre Legisi. Pas një ndarje të mandateve në Tiarabë 15 me 15 mes PD-PS në zgjedhjet e vitit 2009, këtë vit socialistët synojnë ta rrisin përfaqësimin me deputet në qarkun më të madh në vend.
Aleatët
Një pjesë e mirë e kryetarëve të partive të vogla në vend pritet të jenë kandidatët e forcave të tyre politike në Tiranë. Kështu, kreu i LSI-së, Ilir Meta, me shumë gjasa pritet të jetë kandidat për deputet në Tiranë dhe po kështu kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në rast se emri i tij nuk do të përfshihet në listën e PD-së për këtë qark. Në Tiranë do të kandidiojë dhe kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, dhe po kështu një pjesë e kryetarëve të partive të vogla në aleancë me PS.
PD
Eduard Selami
Halim Kosova
Visar Zhiti
Majlinda Bregu
Dashamir Shehi
Ilir Rusmali
Edi Paloka
Gerti Bogdani
Gent Strazimiri
Viktor Gumi
Asllan Dogjani
PS
Edi Rama
Milena Harito
Erion Braçe
Sajmir Tahiri
Lindita Nikolla
Ilir Gjoni
Fatmir Xhafa
Ditmir Bushati
Artan Lame
Artan Gaçi
Auron Tare
Musa Ulqini
Arta Dade
Ndre Legisi
Xhemal Qefalia
LSI
Ilir Meta
FRD
Bamir Topi
PR
Fatmir Mediu
AK
Kreshnik Spahiu