PS e Durrësit denoncon formularin e shpërndarë në administratë me urdhër të Berishës


ps durres“Përveç presioneve ndaj administratës aktuale po vazhdojnë masivisht edhe punësimet elektorale”


Formulari – “Sali Berisha ka dhënë urdhër që çdo punonjës i administratës publike të sigurojë dhe dorëzojë një listë me emrat dhe numrat e kontaktit për të paktën 15 votues të Partisë Demokratike, në të kundërt rrezikon vendin e punës”


Vali Qyrfyçi


Partia Socialiste e qytetit të Durrësit ka denoncuar presionin e jashtëzakonshëm që po ushtrohet mbi administratën publike nga partia në pushtet, jo vetëm për përfshirjen e detyruar të saj në aktivitetet e fushatës elektorale, por edhe në sigurimin e votuesve të sigurt për PD-në. Sipas kreut të kësaj dege, Alfred Mullaraj, kryetari i PD-së, kryeministri Sali Berisha ka dhënë urdhër që çdo punonjës i administratës publike të sigurojë dhe dorëzojë një listë me emrat dhe numrat e kontaktit për të paktën 15 votues të Partisë Demokratike, në të kundërt rrezikon vendin e punës. Madje, për këtë, ai ka publikuar edhe një formular, me të cilin po punon partia e pushtetit, ndërkohë që kjo ka sjellë edhe reagimin e PD-së, e cila shprehet se socialistët po përdorin administratën e bashkisë.


Denoncimi i PS-së


formulari i shperndare nga PD ne administrate_1“Edhe në Durrës, Saliu me njerëzit e tij po i kërcënojnë me bukën e gojës. Pasi e përdhosi administratën publike, duke e rreshtuar në çdo miting të partisë, pasi e bëri dekor të qeverisë së tij të krimbur nga korrupsioni dhe pasi e spastroi nga profesionistët, Sali Berisha e sheh administratën publike si të vetmen shpresë për të zgjatur agoninë e tij politike. I pashpresë, Berisha ka lëshuar urdhrin ashtu si në të gjithë vendin edhe në Durrës, i cili parashikon që çdo punonjës duhet të dorëzojë te drejtuesit e PD-së një listë me 15 emra me banim në Durrës, të cilët të votojnë për Partinë Demokratike. Krahas emrave, adresës dhe numrit të kartës së identitetit, çdo punonjës i administratës duhet të japë edhe numrat e telefonit për çdo person në listë. Urdhri shoqërohet edhe me masat ndëshkimore për të gjithë ata që nuk i binden pushtetit. Kush nuk dorëzon këtë listë humbet vendin e punës”, deklaroi Alfred Mullaraj, kryetar i PS-së së qytetit Durrës. Në vlerësimin e socialistëve të qytetit bregdetar, presionet kanë arritur kulmin mbi të gjithë ata që shteti duhet t’i respektonte si shërbëtorë të popullit, “por që pushteti i Saliut i trajton si skllevër duke i kërcënuar në bukën e gojës. Mbi të gjithë mësuesit, mbi të gjithë personelet e spitaleve, mbi të gjithë rrogëtarët e shtetit, kudo ku janë, po bëhet një presion kriminal për t’i detyruar që t’i bashkohen fushatës së Partisë Familjare të Kryeministrit dhe për t’i dhunuar psikologjikisht me qëllim që t’u marrin votën”. Një përdorim barbar e skllavëror që arrin kulmin me sigurimin e detyruar të listës me 15 emra të cilët duhet të sigurojnë votimin për demokratët. Më tej socialisti Mullaraj, në emër të forcës politike që përfaqëson, ka denoncuar edhe punësimet masive elektorale me kontrata 3-mujore, si dhe presionin e mësuesve ndaj nxënësve për t’u anëtarësuar në strukturat e PD-së. Maturantëve që votojnë për herë të parë u janë marrë dhe numrat e kartave të identitetit, duke u diktuar votën e fshehtë dhe të drejtën për ta ushtruar atë. “Përveç presioneve ndaj administratës aktuale po vazhdojnë masivisht edhe punësimet elektorale”. Kontrata tremujore elektorale në këmbim të votës për riciklimin e Saliut në pushtet, dhjetëra vende pune fiktive, të sajuara në letër vetëm për zgjedhje, kjo është lëvizja më e fundit e Sali Berishës dhe e lukunisë së manipulatorëve në oborrin e pushtetit, për të deformuar votën popullore në zgjedhjet e 23 qershorit. Presionet e Saliut dhe njerëzve të tij nuk janë ndalur vetëm në administratën shtetërore, ato janë shtrirë masivisht edhe te nxënësit e shkollave. Nxënësve u bëhet presion hapur nga mësues të caktuar nga strukturat e PD dhe nga vetë drejtoria arsimore duke u dhënë atyre formularë anëtarësimi në FRPD. Nga ana tjetër, nxënësve u janë shpërndarë edhe formularë si ata të administratës ku gjimnazistët duhet të plotësojnë një listë me persona familjarë të tyre që votojnë PD. Po kështu, maturantëve që votojnë për herë të parë u janë marrë edhe numrat e kartave të identitetit duke u bërë presion hapur që të votojnë PD-në”, deklaroi Mullaraj, ndërsa fushata elektorale në Durrës rrit temperaturat e saj.


Ftesë demokratëve


Përballë kësaj situate, socialistët ftojnë qytetarët durrsakë që të votojnë për rilindjen e vendit më 23 qershor, për t’i dhënë fund pushtetit të Berishës dhe presioneve abuzive mbi administratën, mësuesit dhe nxënësit e shkollave, kryesisht ata votues për herë të parë. “Duke u sjellë në këtë mënyrë të pacipë me punonjësit e administratës, por edhe me nxënësit, Saliu po i trajton njerëzit si skllevër, duke harruar që ata kanë të drejtat dhe liritë e tyre, por një njeri si ai, natyrisht përpara pushtetit dhe familjes së tij, nuk ndalet për asgjë. Megjithatë, asgjë nuk mund ta shpëtojë Saliun dhe pushtetin e tij kokë e këmbë kriminal nga humbja në 23 qershor. Edhe Durrësi ashtu si e gjithë Shqipëria më 23 qershor do të votojë për rilindjen shqiptare, do të votojë për PS-në dhe frontin opozitar, do të votojë për të larguar nga pushteti një plak që ka rrënuar Shqipërinë për të hapur dyert për një epokë të re për qytetin tonë bregdetar dhe të gjithë Shqipërinë, epokën e rilindjes ku askush të mos ndihet i kërcënuar dhe të trajtohet si skllav, por si në një vend europian të gjithë shqiptarët do të ndihen të lirë dhe të pacenuar në dinjitetin e tyre duke shpëtuar njëherë e mirë nga kjo situatë e sotme skandaloze kur trajtohen si skllevër nga njeri me mentalitet skllavopronari si Saliu”, deklaroi dega e PS në Durrës.


 


 


Reagimi


 


PD: Socialistët përdorin


administratën bashkiake


 


Përmes kandidates për deputete, dekanes së Fakultetit të Edukimit, Kseanela Myderrizi, ka reaguar në mbrëmje Partia Demokratike e Durrësit, që nga ana e saj denoncoi fushatën e Ramës dhe autobusit të tij, si dhe përdorimin e administratës së bashkisë për fushatë. “Partia Socialiste ka gjetur alibinë e radhës për humbjen që e pret në Durrës dhe kjo qenka administrata publike. Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste të Durrësit nuk janë të reja, ai vetëm sa përsërit urdhrat e Edi Ramës. Ata njëherë akuzojnë se administrata është mbushur me militantë, e herën tjetër thonë se po u marrim votën me zor. Socialistët, njëherë i ofendojnë e i provokojnë mësuesit, mjekët e infermierët, duke u thënë deri edhe injorantë, ndërsa tani i marrkan gjoja në mbrojtje. Sot, ata i quajtën skllevër punonjësit e institucioneve të shtetit në Durrës, dhe kjo është fyerje shumë e rëndë. Edi Rama dhe sejmenët e tij fyen edhe një herë tjetër gjithë punonjësit e administratës. I fyen sepse, nga autobusi ku është, ai nuk e sheh dot qytetarinë. Partia Demokratike denoncon me forcë atë që ndodh me punonjësit e Bashkisë së Durrësit. Ne nuk na interesojnë aspak bindjet e tyre politike, por na intereson shërbimi ndaj qytetarëve. Administrata e Bashkisë së Durrësit ka harruar çdolloj detyrimi për t’iu shërbyer qytetarëve dhe është vënë në shërbim të plotë të partisë së kryetarit të bashkisë. Partia Socialiste nuk ofron alternativë dhe bën atë që ka bërë për tetë vjet: mohon e sulmon çdo arritje të qeverisë. Por, pa as më të voglin dyshim, asgjë nuk do ta ndalë uraganin blu të fitores në Durrës e kudo në Shqipëri”, thuhet në reagimin e PD-së.