Gjonçaj kërkon vendimet me pesë vota. Fleta e gjatë tradhton votën e zgjedhësve
BLEDAR HOTI
KQZ e gjen zgjidhjen e ngërçit të pesë votave duke vënë në zbatim vendimet e marra më parë nga ky institucion. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësuesi i ligjor i kësaj partie, Genc Gjonçaj, kërkoi miratimin e një akti të posaçëm për funksionimin e qendrave të votimit. Gjonçaj argumentoi se me ndryshimin e Kodit Elektoral është e nevojshme të ndryshojë edhe akti i funksionit të niveleve të dyta e treta të Qendrave të Votimit. Një akt i tillë parashikon votim me 5 vota. Në kushtet aktuale, KQZ-ja duket se ka të pamundur të marrë një vendime shumicë të cilësuar të votave. Ky propozim është kundërshtuar nga përfaqësuesi i PD pranë KQZ, Njazi Kosovrasti, i cili theksoi se nuk është i nevojshëm një akti i tillë, pasi kjo situatë rregullohet me aktin që është në fuqi, ai i zgjedhjeve të vitit 2009. Gjonçaj më pas ka insistuar në faktin se situata është e ndryshme me atë vitit 2009, pasi Kodi aktual kërkon marrjen e vendimeve të reja të akteve. Kryekomisionerja Lefterije Lleshi ka mbështetur idenë e hedhur nga përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti që të aplikohen vendimet nga KQZ-ja që drejtohej nga Ristani, e që u përdorën në zgjedhjet parlamentare të 2009-s. “Ne kemi filluar të kemi materialet e para nga KZAZ-të. Ju më çekoni mua ZAZ-të që kanë këto probleme. Nuk janë të gjitha. Të tregoj shkresat që më kanë ardhur nga ZAZ-të. Kemi shpërndarë udhëzimin e vitit 2009”, deklaroi Lleshi. Zbatimin e vendimeve të 2009 për zgjedhjet e 2013, si rezultat për shmangien e ngërçit të krijuar nga mungesa e votave, e paralajmëroi disa ditë më parë gazeta “Shqip”, e cila parashikonte skemën e PD-së për daljen nga kriza e 5 votave. Në lidhje me këtë çështje, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjinkuri, e komentoi për gazetën “Shqip” si “absurditet juridik me pasoja të rënda, pasi ligji ka ndryshuar në shumë çështje të rëndësishme. Sidomos në procesin e numërimit, duke i bërë udhëzimet në kundërshtim me ligjin dhe të pavlefshme. Pretendimi tjetër se do zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ligji, megjithëse vetë ligji përcakton detyrimin e nxjerrjes së akteve nënligjore, është hapësirë për abuzim në praktikë dhe thellim i shkatërrimit të standardeve zgjedhore”. KQZ-ja ka miratuar ngritjen e 25 vendeve të numërimit të votave, në Qarkun e Tiranës, Shkodrës dhe VNV 58 në Fier.
Problemet me fletën e votimit
Fleta e votimit të 23 qershorit pritet të shoqërohet me jo pak probleme. Përmasat e mëdha të saj, 297*600 mm do sjellin menjëherë rrezikun e identifikimit të votës së zgjedhësve, nëse ai do të votojë për PD-në apo për PS-në. Kjo për faktin se gjatë e madhe e fletës në 60 cm nuk do t’i sigurojë fshehtësinë e shprehjes së vullnetit të zgjedhësve. Problemi kryesor lidhet me tavolinat dhe dhomat e fshehta të zgjedhësve. Duhet të tavolinat duhet të jenë mbi 1 metër të gjata në mënyrë që votuesi të mos ketë probleme për shprehjen e votës. Gjithashtu dhe dhomat e fshehtësisë duhet të jenë në përmasa të atilla që mbulojnë gjatësinë e fletës së votimit. Zyrtarët e KQZ-së kanë shprehur shqetësimin në mbledhjet e mëparshme se ka mungesa në këto materiale që do të siguronin fshehtësinë e votës. Një tjetër problem lidhet dhe kutinë ku do të hidhet fleta e votimit, e cila me këto përmasa zvogëlon ndjeshëm kapacitetin e mbledhjes së 1000 votave që ka një QV. Drejtuesit e drejtorive të KQZ-së kanë bërë të ditur se me provat e realizuara kutia e votimit aktuale mban maksimumi 800 fletë, ndërsa lanë të hapur mundësinë e dërgimit të kutive shtesë nëse do të ketë votues ku nuk do të kenë mundësinë të hedhin fletën. Edhe pse ka vetëm një fletë votimi, KQZ-ja parashikon që të çojë dy kuti në çdo QV për të shmangur ndonjë situatë të pakëndshme që mund të bllokonte procesin e votimit.
KQZ: Fushata nis më 24 maj
Kryekomisionerja Lefterije Lleshi bëri dje të ditur se fushata zgjedhore hapet zyrtarisht më datën 24 maj. Në mbështetje të nenit 77 të Kodit Zgjedhor nesër më datë 24 maj fillon periudha e fushatës zgjedhore, e cila përfundon më datë 21 qershor 2013. Gjatë kësaj periudhe të gjitha subjektet zgjedhore të regjistruar tashmë në KQZ, sipas rregullave te Kodit Zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.