3.5 milionë euro – Qeveria i ka dhënë firmës austriake licencën për Lotarinë Kombëtare në një vlerë prej 3.5 milionë euro
100 milionë euro – Vlera reale për këtë licencë është disa herë më e madhe. Zërat zyrtarë thonë se ajo vlen të paktën 100 milionë euro
10 vjet – Firma austriake do ta përdorë të këtë licencë për një periudhë 10 vjeçare. Austriakët gëzojnë të drejtën e rishikimit pas 10 vitesh
2 firma – Pas procesit të vlerësimit, Komisioni shpalli renditjen përkatëse: 1. “Austrian Lottery” dhe 2. “LTO Consortium”
30 ditë – Aplikuesit kanë të drejtën e ankimit për këtë vendim, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes, tek Titullari i Autoritetit
Balla: Hetim për lotarinë, si në Tiranë dhe për kompaninë
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste paralajmëron se, me ardhjen në pushtet, do të anulojë tenderin e Lotarisë e Kombëtare, dhënë firmës shtetërore austriake. Një fakt i tillë u bë prezent nga sekretari i grupit parlamentar të Ps-së, deputeti Taulant Balla. Në fjalën e tij në Kuvend, Balla theksoi se “PS-ja do ta anulojë dhe do t’ia kthejë shqiptarëve”. “I them sot Sali Berishës që edhe licencën e Lotarisë Kombëtare, për të cilën more më shumë ti pata kesh në Vjenë, sesa do të marrë Ministria e Financave, ne do t’ia kthejmë shqiptarëve. “Austrian Lottery”, është nën hetim për korrupsion në vendin e saj, ndërsa në Shqipëri ble 100 herë më lirë licencën se sa në Austri. Pra, këtu jo vetëm që duhet hetuar, por duhet bllokuar me çdo kusht. Dua t’i drejtohem sot edhe kësaj kompanie dhe i them se ne do të kërkojmë një hetim të plotë për korrupsion ndaj këtij subjekti. Një hetim të plotë në Shqipëri, në Austri dhe kudo gjetkë janë zhvilluar biseda, janë bërë pagesa dhe janë dhënë ryshfete. Do të zbardhim të gjitha pazaret, të gjitha parakontratat. I them sot kompanisë “Austrian Lottery” që tender-komedia e Ridvan Bodes nuk vlen, ndërsa licencën që kanë ra dakord me Zenin, ne do ta anulojmë dhe do t’ia kthejmë atë shqiptarëve”, tha Balla në fjalën e tij. Më tej ai theksoi se “nuk mund të lejojmë që shqiptarëve t’iu merret një pronë publike prej më shumë se 100 milionë eurosh, se kështu ka ra dakord Zeni”. “I them edhe bosit të kompanisë “Austrian Lottery” zotit Friedrich Shtikler, se do të hetohet njëlloj edhe në Shqipëri, ashtu siç po hetohet aktualisht në vendin e tij në Austri, sepse vitin tjetër nuk do të jetë më Zeni me imunitetin e babit. I them sot edhe Ridvan Bodes, hiq dorë Ridvan nga tender-komeditë e paracaktuara, se nuk do të qasin as në Rakickë, me gjithë këto paudhësi që po bën”, theksoi Balla. Për çështjen e lotarisë diskutoi dhe deputetja e PS-së, Ermonela Felaj. “Ministri i Financave Bode, i fal Lotarinë Kombëtare një kompanie të huaj, të shpallur si të korruptuar, pa gajle, ka emrin të shkruar tek lista e Saliut. Aty nuk arrin kurrë dara e ligjit, paçka seç bëhet me imunitetet, hiqen a s’hiqen, edhe darën e ka në dorë Saliu. Ministri i Mbrojtjes, Imami, tregton armë, prona të ushtrisë, përgjon nga mëngjesi në darkë opozitën, nuk i tutet syri, se edhe ai e ka emrin tek lista”, tha Felaj.
Imunitetet
Deputeti Balla diskutoi dhe në lidhje me imunitetin, për të cilën mazhoranca u shpreh se opozita e ka bllokuar atë. “Në morinë e shprehjeve të urta të popullit tonë, njëra syresh: “I bie fyellit në një vrimë”, vlen të kujtohet më shumë këto ditë, teksa kur guxon të hapësh televizorin, nga ekrani buçet thirrja; “Berisha i bën thirrje Ramës të votojë imunitetin”. Mesa duket kjo do të jetë thirrja e radhës që Berisha ka vënë në repertorin e vet, një thirrje që fatkeqësisht do të zgjasë bashkë dhe po aq si vapa e bezdisshme e verës. Ne nuk kemi asnjë drojë prej imuniteteve, ashtu sikur nuk patëm asnjë drojë për të bërë dhe për t’ju dhënë juve të parëve, një tekst të ri, të denjë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën për kufizimin e imuniteteve”, tha Felaj. Më i ashpër për këtë çështje ishte socialisti Balla. “Paketa e sivjetshme e ndryshimeve kushtetuese nuk mund dhe nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit, sepse korrupsioni në Shqipëri nuk mbrohet nga imuniteti, po nga Saliu dhe nga drejtësia e marrë peng nga Saliu. Suksesi i luftës kundër korrupsionit nuk varet nga kufizimi apo nga heqja e imunitetit, por nga ditët e mbetura të Sali Berishës. Çdo ditë që kalon Shqipëria nën sundimin e Sali Berishës është një ditë më shumë nën sundimin e korrupsionit. E megjithëse pa imunitet, Shkëlzeni yt, në Shqipërinë e marrë peng nën sundimin tënd, është “mjelësi i lopëve të zeza të korrupsionit në Shqipëri, madje po mjel qumësht edhe nga demat”. Çfarë imuniteti e ka penguar Prokurorinë apo ILDKP-në të hetojë mënyrën e pasurimit të djalit të Sali Berishës, i cili fiton brenda një viti sa buxhetet e përbashkëta të bashkive Librazhd, Përrenjas, Bulqizë, Gramsh. Nuk ka qenë imuniteti, por dhuna institucionale dhe kërcënimi banal i Sali Berishës për lavire dhe horra bulevardi”, tha Balla.
Dyshimi – Media dhe opozita hodhën dyshime se ishte paracaktuar fituesi i Lotarisë Kombëtare. Ato aluduan për kompaninë shtetërore austriake
Hetimi – “Austrian Lottery” kompania që mori licencën e Lotarisë Kombëtare në Shqipëri është tashmë nën hetim zyrtar për korrupsion
Shtikler – Bosi i saj Fridrich Shtikler është thirrur për të dëshmuar para Komisionit Antikorrupsion të Parlamentit austriak