Pas takimit zyrtar që ka zhvilluar ditën e sotme në Tiranë me homologun kosovar, Hashim Thaçi, kryeministri Sali Berisha ka folur përpara mediave edhe për tenderin e lotarisë kombëtare, duke e cilësuar këtë proces si “transparent” dhe duke ftuar Komisionin Hetimor të opozitës ta hetojë atë.


“Procesi ka qenë publik dhe transparent, i botuar në të gjitha mediat ndërkombëtare me kritere rigoroze të përcaktuara nga qendra europiane dhe ajo botërore e lotarive. Kriteri i parë është licenca e transparencës, që këto qendra ua lëshojnë vetëm disa kompanive që plotësojnë disa kritere që ju ftoj t’i lexoni. Natyrisht, Shqipëria nuk mund ta shmangte këtë kriter dhe ky kriter përjashtonte një seri kompanish. Nuk impresionohem nga reagimet e bixhozxhinjve. Ftoj komisionin hetimor të opozitës të kontrollojë procesin e tenderit të lotarisë”, – u shpreh Berisha.


Ndërkohë që nga ana e opozitës kanë vijuar akuzat në lidhje me tenderin për lotarinë kombëtare, duke e cilësuar si kriminale mënyrën me të cilën po realizohet shitja e saj. Kështu, pas deklaratave të Ministrisë së Financave se kompania që fitoi licencën e lotarisë kombëtare do të paguajë taksa, deputeti socialist dhe nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës, Erion Braçe, shprehet se kjo përgjigje është fyese për të gjithë shqiptarët.


Sipas Braçes, të gjitha taksat që do të paguajë kompania e lotarisë janë të njëjta si për çdo biznes, pa asnjë ndryshim tjetër, por në kushtet kur kjo kompani është monopol në treg, ky është një skandal që nuk fshihet dot.

Ndërkohë, Braçe rreshton edhe një tjetër argument të çmimit, që sipas tij përforcon skandalin e qeverisë Berisha. Sipas Braçes, licenca e lotarisë kombëtare kushton të paktën 100 milionë euro, por qeveria po e shet me vetëm 3 milionë euro, rreth 30 herë më pak, dhe ky sipas Braçes është krim. Këto fakte të hapura, thotë deputeti socialist, nuk kanë nevojë për hetim, pasi qartazi duken se janë korruptive duke kërkuar kthimin e licencës në pronësi shtetërore.


24 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)