Rama: PS do i bëjë thirrje Austrian Lotteries që të tërhiqet nga ky proces
Kryesocialisti, Edi Rama, i ka shkruar një letër Shkëlqesisë së tij, kancelarit austriak, Werner Faymann, për t’i shprehur shqetësimin me atë që e ka cilësuar skandalin e Lotarisë Kombëtare. Rama shkruan në këtë letër drejtuar Kancelarit të Austrisë Faymann se mbrojtja e interesit publik është themelore: “Duke pasur parasysh mbrojtjen e interesit publik si prioritetin tonë më të lartë, unë do të dëshiroja të sillja në vëmendjen Tuaj se, në disa raste të ndryshme, muajt e fundit, unë kam denoncuar publikisht procesin që është ndjekur nga Qeveria aktuale Shqiptare, për të dhënë një Licencë të Lotarisë Kombëtare, si një proces qartazi të manipuluar kundër interesit publik.”
Lideri i opozitës po ashtu në letrën dërguar Kancelarit të Austrisë e informon se PS do i bëjë thirrje Austrian Lotteries që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, i cili shkon kundër interesave të Shtetit Shqiptar dhe publikut Shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri.
“Partia ime dhe unë, synojmë që të ndërmarrim çfarëdo veprimi të mundur ligjor për të hetuar të gjithë procesin, trukimin e pretenduar dhe për të riparuar dëmin që i është shkaktuar publikut Shqiptar përmes këtij akti të rëndë papërgjegjshmërie. Unë shpresoj të kem mirëkuptimin tuaj për qasjen tonë, pasi besoj se edhe ju do të kishit vepruar në të njëjtën mënyrë në një rast ku interesi i publikut Austriak do të ishte kompromentuar apo abuzuar nëpërmjet një akti korruptiv. Unë dëshiroj t’ ju informoj mbi qëllimin tonë për t’i bërë thirrje Austrian Lotteries që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, që shkon kundër interesave të Shtetit Shqiptar dhe publikut Shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri. Duke u përfshirë në një proces të tillë ata janë duke i tradhtuar po ato parime të paanshmërisë, përgjegjshmërisë sociale dhe transparencës që ne do të prisnim të shikonim nga një kompani e këtij standardi”, thuhet në letrën e Ramës.
1 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)