Propozimi


Për të gjithë pronarët apo posedues të tokave bujqësore të të gjitha kategorive të bonitetit, miratohen leje zhvillimore të veçanta, për objekte të karakterit bujqësor të përkohshëm si: serra, linja prodhimi, përpunimi, magazine etj. Është ky propozimi që vjen nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila, përmes deputetit të saj, Robert Bitri, duke u shprehur në mbështetje të skemave që përfitojnë nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, i propozon Kuvendit që të bëjë disa ndryshime në ligjin nr. 8752 “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”. Në projektligjin që tashmë është depozituar në Kuvend, theksohet se afati kohor për miratimin e lejes zhvillimore është deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi. “Për çdo rast të miratimit të lejes zhvillimore të veçantë, ruhet fondi bujqësor i tokës”, thuhet në projektligj. Ndërsa pas përfundimit të lejes, subjekti detyrohet të kthejë tokën në gjendjen e mëparshme. “Procedurat, kriteret dhe dokumentacioni përkatës për dhënien e lejeve zhvillimore të veçanta, përcaktohen nga MBZHRAU”, theksohet më tej në këtë projektligj të propozuar nga LSI-ja. Kjo nismë, sipas Bitrit, ka për qëllim që të përcaktojë strukturat pranë organeve të qeverisjes vendore për ruajtjen dhe administrimin e tokës.