Ndryshojnë rregullat edhe pse u premtua nga Meta për një kufi prej dy mandatesh
BLEDAR HOTI
Lëvizja Socialiste për Integrim ndryshon statutin e partisë për t’i dhënë të drejtën Ilir Metës të marrë një mandat të tretë si kryetar. Një nga ndryshimet e LSI-së në konventën e saj ka qenë pikërisht neni që ka të bëjë me kufizimin e mandatit të kryetarit. Në statusin aktual në kapitullin XI. Organizimi i LSI–së në nivel qendror, përcaktohet qartë se kryetari i partisë nuk mund të mbajë më shumë se dy mandate. “11.23. Kryetari është drejtuesi kryesor politik i LSI–së. 11.24. Kryetari zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet votimit nga anëtarësia. 11.25. Kryetari i LSI–së nuk mund të zgjidhet në funksion më shumë se dy mandate radhazi. 11.26. Kandidatëve për kryetar të LSI–së u krijohen kushte të barabarta infrastrukturore, financiare dhe aksesi në shtypin apo publikimet e LSI-së. 11.27. Procedura e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar, mënyra e paraqitjes së programeve nga kandidatët, mënyra e zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjen e kryetarit të LSI–së, miratohet me vendim të Konventës Kombëtare”, thuhet në statusin aktual të kësaj partie. Përpara katër vitesh kur u bë statuti u cilësua si një nga arritjet e mëdha të kësaj partie, pasi ishte ndër të vetmet forca politike që po aplikonte një model të partive perëndimore, pra që një kryetar të mos mbajë më shumë se dy mandate. Rikandidimi dhe marrja për herë të tretë të kreut të LSI-së e ka nxjerrë jashtë përdorimi këtë statut të LSI-së. Konventa zgjedhore ka aplikuar dje edhe votimin elektronik për zgjedhjen e 120 anëtarëve të këshillit te ri drejtues. Pas këtij votimi kreu i LSI-së, Meta, tha se kjo formë votimi që do të përdoret në zgjedhjet e vitit 2013 në Tiranë dhe Fier, do të mundësojë shpejtimin e daljes së rezultateve. Kreu i LSI-së vlerësoi edhe ndryshimet në statut për barazinë gjinore dhe uljes së moshës së anëtarësimit në këtë forcë politike. “Falë edhe ndryshimit të statutit e zbriti moshën e anëtarësimit nga 18 në 16 vjeç dhe kjo është e drejtë e motivuar për një forcë e së ardhshmes që bazën e ka te rinia dhe shpresa për të ardhmen. Një arritje maksimale është vendimi për të garantuar një barazi gjinore në LSI. Është një hap madhor i cili do të jetë i plotë deri në konventën e ardhshme zgjedhore. Ne duhet ta fillojmë me forumet më të larta në Tiranë, Korçë, Durrës për ta zbatuar në mënyrë reale edhe në komunat më të thella dhe më të larta të vendit”, tha Meta. Në ditën e dytë të Konventës Kombëtare të LSI-së, është miratuar platforma politike e kësaj partie ‘Të ecim më shpejt’, e cila pritet të marrë jetë në zgjedhjet e 2013-s, si dhe statuti i saj. Ndërkohë, delegatët morën vendimin që 16-vjeçarët e LRI-së të kenë të drejtë vendimmarrje në LSI. Konventa Kombëtare e LSI-së vijoi edhe sot punimet ku 2210 delegatët, votuan për herë të parë në Shqipëri me sistemin elektronik. Konventën e ka përshëndetur dhe patriarku i PS-së, shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli. Në mesazhin e tij, Agolli denoncoi atë që e quajti, mikrobi i shumëfjalësisë, ku sipas tij për një çerekshekulli dëgjojmë ata që bëjnë të njëjtën hyrje në fjalim, arrogante dhe mendjemadhe. Në mesazhin e tij u ndal edhe te festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë. Shkrimtari i madh i quajti çmitizues, ata që sipas tij i thurin lavde Ahmet Zogut dhe ulin atë të Ismail Qemalit. Ndërsa në këtë konventë ka rënë në sy se edhe pse ka qenë i ftuar kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, si aleati kryesor në qeverisje, ai nuk e ka përshëndetur fare këtë konventë.