ralf gjoni, LSILSI ka reaguar në lidhje me manipulimin e deklaratës së Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore nga ana e kompanisë lobuese të qeverisë, Podesta Group. Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në LSI-së, Ralf Gjoni, duke folur në një konferencë shtypi, u shpreh se manipulimi i qëllimshëm dhe skandaloz nuk mund të pengojë të vërtetën e situatës reale. Ai është shprehur se LSI do të komunikojë me SHBA-të për këtë çështje.


“Pavarësisht korrigjimit të mëvonshëm nga ‘Grupi Podesta’ të deklaratës për shtyp, pas shprehjes së shqetësimit nga Tirana, kemi arsye të forta të besojmë se ky ishte një manipulim i qëllimshëm nga kompania e lobimit për të keqinformuar opinionin publik ndërkombëtar”, u shpreh Gjoni.


Sipas Gjonit, janë thyer disa nene të Kodit të Etikës dhe ngrihen pikëpyetje të mëdha mbi ligjshmërinë e aktivitetit të ‘Grupit Podesta’ në lidhje me obligimet kontraktuale që ka ndaj Republikës së Shqipërisë


“Kjo kompani punon në të kundërt të interesave shqiptare. Ne si LSI do të marrin të gjitha hapat ligjorë për të komunikuar me SHBA për të vënë në dukje këtë fakt. Kjo që ka ndodhur me manipulimin e Podesta është skandaloze. Përse kompania e lobimit nuk mori parasysh të shpërndante deklaratën e ambasadës për përplasjen me SHBA, pse nuk shfaqi shqetësimin e Brukselit për pasojat që ka votimi në Parlament në besueshmërinë e procesit zgjedhor”, tha Gjoni.


19 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)