ilri metaLSI i dërgoi mbrëmjen e sotme një letër trojkës së ambasadorëve, ku shpreh doza të forta shqetësimi për iniciativën e PD-së me zëvëndësimin e LSI-së në KQZ.


Në përmbajtje të kësaj letre thuhet se, LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese, e cila politizon hapur KQZ-në dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në proçesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013.


“Kjo frymë pritet të shpërndahet edhe në komisione të niveleve të tjera. LSI do të reagojë politikisht dhe në mënyrë proporcionale dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për bllokimin e këtij akti të dhunshëm dhe shqetësues politik”, thuhet në letër.


“Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që politika të ndërhyjë në çështjet e brendshme të KQZ-së dhe nuk do të tolerojmë asnjë tentativë për kompromentimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor”, vijon më tej mesazhi.


LSI: Të miratohet sa më shpejt paketa për sistemin bankar. Kush prek KQZ, ka prekur zgjedhjet e lira


Lëvizja Socialiste për Integrim apelon që klasa politike të  mbështesë paketën e propozuar një ditë më parë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Numri dy i kësaj partie, Ylli Manjani, në dalje publike theksoi se paketa duhet të mbështetet me çdo kusht.


“U bëjmë thirrje të gjitha partive përfshirë ato parlamentare kryesisht të cilat duhet të lënë mënjanë axhendën e ditës dhe të merren me këtë pjesë. Bëhet fjalë për një ndryshim në Kodin e Procedurës Civile dhe së dyti një projektligj për procedurat tatimore dhe ne nxisim qeverinë ta sjellë këtë projektligj në parlament që ti japim vëmendjen maksimale kësaj çështjeje. Është situatë që provokohet nga të dhëna statistikore delikate”, u shpreh Manjani.


Ai theksoi se është koha të dëgjohen institucionet e pavarura dhe të mos neglizhohen kërkesat e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. “Nxisim Bankën e Shqipërisë të ushtrojë edhe më fort se deri më sot kompetencat mbikëqyrëse ndaj bankave të nivelit të dytë që të përmirësohet dhe çlirohet sistemi bankar nga mbetje të sistemit aktual të ngrirjes së kolateraleve”, theksoi Manjani.


I pyetur për kërkesën e PR-së dhe të PD-së për rikonfigurim të KQZ-së pas largimit të LSI-së nga qeveria, Manjani e cilësoi atë si të papajtueshme me ligjin.


” Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë emëruar në bazë të Kodit Zgjedhor dhe shkarkohen për arsye të ndryshme që janë në nenin 18 të këtij kodi dhe tregohet se si shkarkohen dhe kur shkarkohen. Pra është një çështje tërësisht institucionale dhe juridike dhe nuk ka punë fare politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Politikisht mund t’ju them që Komisioni Qendror të Zgjedhjeve është standardi numër një i garancisë së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.


Kështu që tendenca për të politizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aq më keq tendenca për ta ndryshuar përbërjen e këtij institucioni është pa diskutim një standard i cenuar i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky është një koment që vjen në mënyrë të natyrshme sepse Komisioni Qendror të Zgjedhjeve funksionon mbi bazën e Kodit Zgjedhor konsensual dhe si i tillë partitë politike duhet vetëm të zbatojnë këtë kod. Do të ketë kohë për debate politike kur të ndërtohen komisionet e nivelit të dytë dhe më poshtë dhe aty do të shikohet se si do të jenë konfiguracionet politike.


Tashmë e kemi një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë ndërtuar komisionet e nivelit të dytë. Pra është miratuar formula politike në në qoftë se do të ketë debat mund të ketë për këtë nivel dhe jo për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sepse ky është një standard ligjor, standard kushtetues, standard i gjithë pranuar dhe kush e prek atë do të ketë probleme me zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike në këtë vend “,- tha Manjani.


10 prill 29013 (gazeta-Shqip.com)