Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë thirrje ditën e sotme që të zhbllokohet situata në KQZ lidhur me ndarjen e ZAZ-ve.
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili u ka bërë apel palëve politike që të lënë mënjanë divergjencat dhe të mos bllokojnë procesin në KQZ në një kohë që zgjedhjet e përgjithshme janë afër dhe nuk ka kohë për të humbur.
“Nuk duhen përsëritur situata dhe gabime të së shkuarës. Administrimi zgjedhor nuk ka nevojë për protagonizëm politik. Duhet të trajnohet sa më shpejt stafi i organizimit të zgjedhjeve”, theksoi Vasili.
Më tej nënkryetari i LSI siguroi se kjo parti në asnjë rast nuk do luajë rolin e bllokuesit, ndërkohë që u përgjigj edhe lidhur me atë çfarë është pasqyruar kohët e fundit në media pas votimit të LSI pro ngritjes së komisionit për rishikimin e shpërndarjes së popullsisë në zona zgjedhore me rastin e zgjedhjeve të përgjithshme, duke mbajtur të njëjtin pozicion me PS. vasali sqaroi se LSI nuk është duke i bashkuar votat me PS, siç pretendohet në media, por thjesht ka mbajtur qëndrimin e vet për hir të transparencës.
22 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)