Zbulohet ndërhyrja e ndërkombëtarëve për kandidaturën e kreut të ILDKP-së
BLEDAR HOTI
Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të votojë pro Adriatik Llallës, si kandidaturë e dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani për postin e kryeprokurorit. Sipas burimeve mësohet se dhe katër deputetët e LSI-së, si aleatët kryesorë të PD-së, do të votojnë pro, duke mos pasur rezerva ndaj kësaj kandidature. Pritet që të zhvillohet një takim i kryesisë së LSI-së për të marrë vendimin përfundimtar. Ministri i Shëndetësisë, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, në një prononcim për “Shqip” shprehet se “unë do të votoj pro dekretit të Presidentit për kryeprokurorin e ri”. Mësohet se dhe deputetët e tjerë të LSI-së, Nasip Naço dhe Lefter Koka janë pro emrit të kreut të ILDKP-së për ta caktuar si Prokuror të Përgjithshëm. Në mbështetje të kësaj kandidature janë shprehur dhe aleatët e tjerë të PD-së, si PR-së dhe dy deputetët e PDIU-së. Llalla pritet të rrëmbejë dhe votat nga deputetët e pavarur apo dhe të opozitës si Kastriot Islami dhe Dritan Prifti, Tom Doshi i PS-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Gazmend Oketa i FRD-së. Mbi bazën e kësaj përllogaritjeje mësohet se Llalla të enjten e ardhshme mund të marrë 78 vota pro, ndërsa 63 deputetët e opozitës mund të abstenojnë me votën e tyre. Llalla mund të marrë jo vetëm votat e mazhorancës, por edhe të 5 deputetëve që janë jashtë saj, si Doshi i PS-së, Oketa i FRD-së, Dule i PBDNJ-së, të pavarurve Islami dhe Prifti. Dekreti për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm votohet nga Kuvendi me një shumicë të thjeshtë, maksimumi ai mund të votohet 71 kartonë jeshilë, ndërsa minimumi me 36 vota pro.
Ndërkombëtarët pro Llallës
Zbulohen disa prej prapaskenave të emërimit të kryeprokurorit të ri. Presidenti mësohet se ka pasur konsulta jo të pakta me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Tiranë në lidhje me procesin e emërimit të kreut të ri të organit të akuzës. Nishani, sipas burimeve, i ka paraqitur një listë me emra përfaqësuesve më në zë të faktorit ndërkombëtar. Në preferencat e Presidentit ishte përzgjedhur dhe kreu i ILDKP-së. Llalla mësohet se ka qenë më i preferuari i ndërkombëtarëve në krahasim me emrat e propozuar. Partnerët ndërkombëtarë i kanë mëshuar së tepërmi zgjedhjes së një kryeprokurori të ri pa ndikim politik. Mazhoranca mësohet se ka pasur një tjetër emër të preferuar, të listuar nga Presidenti Nishani, porse ata janë tërhequr pas “këshillimit” dhe bërjes publike të preferencës së partnerëve të huaj për kreun e ILDKP-së. Nishani kishte programuar firmosjen e dekretit më 23 nëntor, porse ai u tërhoq me argumentimin se nuk donte të prishte atmosferën e festës së 100-vjetorit. Ndërsa janë bërë publike faktet kreu i shtetit ka zhvilluar takime dhe me ambasadorin amerikan, Alexander Arvizu. Një gjë e konfirmuar publikisht dhe nga vetë diplomati i lartë amerikan. Nuk dihet ende nëse kjo vonesë e Presidentit ishte si shkak i festimeve të 100-vjetorit apo për shkak të konsultimeve me ndërkombëtarët.
Votat pro ndaj kandidatit për kryeprokuror
66 deputetë PD
4 LSI- Ilir Meta, Vangjel Tavo, Lefter Koka e Nasip Naço,
2 PDIU- Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri
1 PR- Fatmir Mediu
1 FRD, Gazmend Oketa
2 të pavarur, Kastriot Islami dhe Dritan Prifti
1 PS- Tom Doshi
1 PBDNJ- Vangjel Dule
Abstenim
62 votat e PS-së
Kuvendi
PS: Dekreti antikushtetues, do të abstenojmë Komisioni i Ligjeve shqyrton dekretin e Presidentit
Komisioni Parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dje dekretin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. I pranishëm në këtë mbledhje, ishte kandidati i propozuar në këtë post Adriatik Llalla. “Prioritare është lufta ndaj fenomeneve antiligjore të organit të akuzës. Ky do të jetë hapi i parë dhe më i rëndësishëm që do t’i japë përforcimin e besimit të publikut lidhur me aktivitetin e prokurorisë. Jam në dijeni të rasteve, dhe situatave, ku disa prokurorë në vend që të luftojnë krimin dhe korrupsionin, bëhen palë me të duke luajtur më tepër rolin e avokatit se të prokurorit gjatë hetimit të çështjes. Ju garantoj se këta janë pak”, tha Adriatik Llalla, kandidat për kryeprokuror. Më tej ai u shpreh se “Ne nuk do të presim që pavarësinë të na e japin ata, ndaj të cilëve ne duhet të jemi të pavarur dhe këtë pavarësi duhet ta fitojmë vetë me punën tonë. Nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse prokurori merr vendime dhe të bazuara në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi është i pavarur nga politika, është i lirë të marrë çdo vendim që i dikton ligji dhe bindja e tij e brendshme”. Ndërsa Partia Socialiste ka bërë të ditur qëndrimin e saj se do të abstenojë në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri. “Ne e konsiderojmë dekretin e Presidentit të Republikës antikushtetues, kjo dhe pa pasur objeksione lidhur me kandidaturën e zotit Llalla, ndaj për këtë shkak, pra pse proceduralisht dekreti i Presidentit është antikushtetues, pse nuk duhet të vinte në këtë kohë, por në kohën kur i takon ne abstenojmë në këtë votim”, tha deputeti socialist, Sajmir Tahiri.