Mëngjesin e sotëm, rreth orës 8:00 kanë nisur zgjedhjet për kreun e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku do të votohet mes dy kandidatëve tashmë të prezantuar Ilir Meta dhe Luan Rama.


LSI ka premtuar zgjedhje transparente dhe të ndershme, ku do të votohet në 159 qendra votimi, të cilat do të kenë komsionerët e tyre, por edhe vëzhguesit për të monitoruar procesin.


Votimi i sotëm për kreun e LSI pritet të mbyllet rreth orës 17:00, ndërsa nga burime pranë LSI thuhet se numërimi i votave do të bëhet sipas një sistemi elektronik dhe do të jetë tërësisht i hapur dhe transparent për mediat.


10:30-Luan Rama: LSI institucionalizoi debatin dhe ballafaqimin e mendimit ndryshe


Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili është në garë me Ilir Metën për kreun e ri të LSI ka hedhur rreth orës 10:30 votën e tij në kutitë e votimit. Në një prononcim të shkurtër për mediat pas këtij momenti, Rama vlerësoi se procesi zgjedhor në LSI ishte një garë që “institucionalizoi debatin dhe ballafaqimin e mendimit ndryshe, vlera këto që jetësojnë dhe rrisin dimensionet e demokracisë në jetën e partisë”.


“Kurorëzojmë sot një proces shumë të rëndësishëm të rikonstrukturimit të kësaj partie. Konfirmojmë që LSI ka bërë të vetat vlerat fondamentale që lidhen me respektimin dhe garantimin e votës së fshehtë në Shqipëri si dhe realizuam një garë të ballafaqimit të ideve dhe alternativave të ndryshme”, – tha ai.

20 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)