Sfidanti i Ilir Metës për kreun e ri të LSI dhe njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama ka shpalosur platformën dhe vizionin e tij në lidhje me drejtimin e LSI në të ardhmen, gjatë një takimi që ka zhvilluar me Forumin Rinor të LRI-së.


Duke nisur kështu në mënyrë zyrtare fushatën për zgjedhjen e kreut të ri të LSI, Luan Rama kërkoi kontributin e të rinjve të LSI që së bashku të luftojnë konformizmin dhe ngopjen nga pushteti të LSI, duke mbajtur një qëndrim kritik sa i përket disa përfaqësuesve të kësaj partie që janë pjesë e kabinetit qeveritar, por që ndërkohë sipas Ramës i kanë humbur lidhjet dhe marrëdhëniet me bazën,  Ramës.


“Duhet ta shkundim LSI-në nga konformizmi, pasi kjo nuk mund të jetë pjesë e LSI-së. Gjendja “të mos i prishim qejfin kryetarit, X apo Y”, duhet të marrë fund në radhët e LSI-së, pasi LSI-ja ka lindur si një reaksion kundër dukurive negative. LSI-ja lindi si anti-tabu dhe le ta kthejmë në moton tonë luftën kundër atij që mbyll sytë ndaj dukurive negative”, – shtoi Luan Rama.


Sekretari i përgjithshëm i LSI ofroi një ridimensionim të LSI duke u nisur edhe nga fakti se ndodhemi në një situatë parazgjedhore, në mënyrë që kjo parti të arrijë suksese të reja.

24 shator 2012 (gazeta-Shqip.com)