Pastrimi


Kryebashkiaku Veliaj e nis nga Farka. U kërkon banorëve të kontribuojnë një orë të vetme në aksionin e pastrimit. Në qendër të nismës, çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Mobilizohen edhe mjete të ushtrisë



Të gjithë njerëzit që janë me ndihmë ekonomike dhe kanë dëshirë të punojnë mund të rekrutohen më pas me një rrogë të plotë në ndërmarrjet e pastrimit dhe gjelbërimit


Aksioni i madh për pastrimin e Tiranës në të gjithë territorin e saj, i paralajmëruar prej disa javësh nga kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, ka filluar dje që në orët e para të ditës. Një aksion vullnetar që, për nga komentet e shumta nëpër rrjete sociale, nuk do t’u shpëtonte etiketimeve të ndryshme, si “Dita e Enverit” apo “Java e Enverit”. Megjithatë, mijëra qytetarë që iu bashkuan kësaj iniciative, ishin të vendosur të pastronin territoret e lagjeve të tyre, për t’u fokusuar më pas tek institucionet arsimore; çerdhet, kopshtet dhe shkollat.


 


Apeli ndaj qytetarëve


Në krye të këtij aksioni vullnetar kanë qenë të 24 administratorët e territorit të Tiranës, 4 nënkryetarët e bashkisë dhe vetë kryetari Erion Veliaj. Kryebashkiaku është ndalur në mëngjes në Farkë, ku ka ftuar qytetarët që të mos ngurrojnë, por të japin ndihmesën e tyre për pastrimin e Tiranës.


“Në të gjithë 24 njësitë tona kemi pasur dalje masive të qytetarëve. Pastrimi që kërkohet në zona të ndryshme është i ndryshëm. Në disa zona po ndërhyjmë me mjete të rënda të ushtrisë, në vende të tjera mjafton vetëm kontributi qytetar. Dua të ndërgjegjësoj qytetarët; na duhet vetëm një orë kohë, ku secili të dalë poshtë pallatit të vet, poshtë shtëpisë së vet, te shkolla, kopshti apo çerdhja ku çon fëmijët. Besoj se nëse secili jep një dorë, ne mund të kemi një qytet më të pastër”, tha Veliaj.


 


Nga Farka, në njësi të tjera


Pas Farkës, kryetari i Bashkisë, i cili ka inspektuar në vijimësi aksionin, ka vijuar në njësinë administrative nr. 8, ku në qendër të aksionit të pastrimit ishin shkollat dhe çerdhet. “Në njësinë 8, fokusi kanë qenë institucionet arsimore dhe një pjesë e madhe e pastrimit ka ndodhur në kopshte, çerdhe dhe rreth e rrotull shkollave. Jemi ndarë në 6 grupe, kryetari i Bashkisë, 4 nënkryetarët dhe kryetari i Këshillit Bashkiak. Secili prej nesh po prek të gjitha njësitë. Deri më tani më rezulton një sukses. E di që aksionet vullnetare kanë shumë cinizëm dhe skepticizëm, por gjithë bota kështu funksionon”, u shpreh Veliaj.


Pasi iu bashkua vullnetarëve të njësisë nr. 8, në shkollën “Misto Mame”, kryebashkiaku theksoi se puna është ndarë me disa prioritete. “Në Farkë, ku kalon Unaza e Madhe, fokusi kanë qenë anët e rrugës, që janë imazhi i parë për dikë që hyn në Tiranë nga juglindja. Në njësinë nr. 8, fokusi është te qendrat arsimore dhe një pjesë e madhe e aksionit ka ndodhur nëpër kopshte, çerdhe dhe rreth e rrotull shkollave, njësoj si pastrimi që kryem pas shkollës ‘Misto Mame’ me lëvizjen e inerteve, duke i dhënë më shumë frymëmarrje zonës”, sqaroi Veliaj.


“Tirana do të ngryset shumë më e pastër se ç’u gdhi, por kjo nuk mjafton. Kjo është arsyeja pse në Këshillin Bashkiak kemi shumëfishuar gjobat dhe dëmshpërblimet që duhet të paguajnë ata të cilët i shkaktojnë dëme qytetit tonë”, deklaroi Veliaj.


 


Projekti pilot


Në njësinë numër 8 u pilotua për herë të parë edhe projekti “Puna në komunitet”. Ndaj kreu i Bashkisë u dërgoi një ftesë të gjithë personave që marrin ndihmë nga shteti për të dalë në aksione të ndryshme vullnetare pastrimi. “Kemi ftuar qytetarët që marrin ndihmë ekonomike të përfitojnë nga bujaria e taksapaguesve shqiptarë nëpërmjet ndihmës ekonomike dhe për herë të parë u kemi kërkuar që edhe të vijnë e të japin një dorë në komunitet, të japin disa orë pune”, tha Veliaj. Ai shtoi se ky projekt do të vijojë dhe ambicia e Bashkisë është që, për të gjithë njerëzit që janë me ndihmë ekonomike dhe kanë dëshirë të punojnë, të rekrutohen më pas me një rrogë të plotë në ndërmarrjet e pastrimit dhe gjelbërimit.


“Për njerëzit nevojtarë, që nuk ia përtojnë punës, duhet t’u ofrojmë mundësinë e një pune, ndaj edhe ju falënderoj që edhe pilotimi që bëmë sot me punësimin në komunitet, me disa orë punë vullnetare të atyre që marrin ndihmë ekonomike, deri tani rezulton një eksperiment i suksesshëm”, tha Veliaj, i cili në një mënyrë a një tjetër iu përgjigj edhe zërave të ditëve të fundit për penalizim të atyre që nuk do të merrnin pjesë në aksion. Veliaj ishte më pas i pranishëm edhe në njësinë nr. 4 ku u takua me vullnetarët që iu bashkuan aksionit.


Aksioni për pastrimin e Tiranës u mbështet edhe nga disa prej ambasadave të huaja në Shqipëri, ushtria shqiptare, Policia e Shtetit, disa nga gratë që vuajnë dënimin në Burgun e Tiranës, bizneset vendase dhe grupe të ndryshme të rinjsh vullnetarë.