moisiu-per-brendaMinistria e Mbrojtjes ka dekoruar sot ish-presidentin Alfred Moisiu. Atij i është dorëzuar “Medalja e Mirënjohjes”, për kontributin e dhënë në mbrojtjen e  vendit. Ky vlerësim i është bërë ish-Presidentit me rastin e 85-vjetorit të lindjes. Ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Bazo ai që i dorëzoi medaljen Moisiut.


“Moisiu trupëzon në vetvete ushtarakun e suksesshëm të karrierës, njeriun me integritet të pacenueshëm dhe modelin e burrit të shtetit”,-tha Bazo. Në falënderimin e tij, Moisiu tha: “Shpresoj që unë vërtet të kem bërë kaq shumë për vendin tim. Do të punoj për vendin tim sa të kem frymën time gjallë, sepse kështu e do Atdheu, kështu e do Shqipëria, kështu e meriton populli im. E kam mbajtur uniformën më shumë se 40 vjet, kam pasur ulje – ngritje, por kalitja më bëri t’i kaloja të gjitha.


Ndaj, unë uroj që Ushtria Shqiptare, në rrugën e NATO-s, qoftë me armatime, qoftë me dije, të vazhdojë të ecë në gjurmët e Ushtrisë së krijuar që në vitin 1912. Gjithashtu, nëpërmjet ministres, dëshiroj t’i përcjell qeverisë mesazhin që të ketë më shumë kujdes për ushtarakët tanë”,-ishte falënderimi dhe kërkesa që ish-Presidenti i bëri ministres Kodheli


1 dhjetor 2014 (gazeta-Shqip.com)