Ish-kryeministri Pandeli Majko, në një qëndrim të tij nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka komentuar aksionin e shpallur nga qeveria për të ndëshkuar nga 1 shtatori ata që pinë duhan nëpër lokale dhe bare. “Dëgjova në media se të hënën fillon një ‘sulm’ i qeverisë për pirësit e duhanit nëpër lokale. Komenti ishte se ‘këtë radhë’ nuk do të falin(?!) Buxheti në vështirësi për fonde duket se ka sjellë radhën e duhanpirësve për të paguar… pas shoferëve! Gjobëvënësit e ‘vonuar’ vinë, pas kaq kohësh, të cilat e bënë ligjin kundër pirjes së duhanit në ambiente publike një humor të moszbatimit të ligjit në vend. Nuk e kuptoj, pse nuk ndahen lokalet në atje ku ‘lejohet’ dhe ‘nuk lejohet’ duhani. Tek të parët të paguhet një taksë shtesë dhe kaq. Ky sezon i paralajmëruar gjobash për ‘zbatimin e ligjit’ është qesharak! Nën tymin që ka mbuluar vendin në një emergjencë të plotë nga djegia e pyjeve, shpallet lufta kundër pirësve paqësorë të ‘tymit’ të duhanit!”, shkruan Majko. Deputeti socialist shkruan më tej se “Kjo ‘task-forcë’ e tymit në qytet padyshim është ironia e pamundësisë për tymin në mal!…”.