Ish-kryeministri: Marrëveshja për detin mund të zgjasë për disa dekada


Fatjona Mejdini


“Mirëserdhët në krizën me Greqinë”! Kështu e përkthen ish- kryeministri i vendit, Pandeli Majko, dokumentin e Ministrisë së Jashtme shqiptare që shpjegon situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, si pasojë e gabimeve në marrëveshjen e parë të ndarjes së ujërave territoriale. Në një intervistë për “Shqip”, deputeti socialist, Pandeli Majko, shprehet pesimist për marrëdhëniet e mëtejshme mes dy vendeve, duke theksuar se qeveria shqiptare, e drejtuar nga Kryeministri Berisha, nuk ka më moral të vazhdojë negocimin e marrëveshjes. Ai thekson se tashmë Shqipëria është në një tunel dhe se kjo është situata më e komplikuar e krijuar me fqinjët, duke nisur nga viti 1990. “Për faj të një negocimi idiot, kjo çështje mund të pasohet në disa dekada”, thotë Majko. Por, sipas tij, përpara se Ministria e Jashtme të na tregojë se me shtetin fqinj kemi hyrë në krizë, duhet të bëhen publikë personat të cilët bënë që vendi të shkonte në një situatë të tillë.


Z.Majko, si i gjykoni qëndrimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme shqiptare, se pala greke mund të na bllokojë procesin e integrimit, në rast se kërkohet rinegocim i marrëveshjes së ndarjes së kufirit ujor?


Raporti i Ministrisë sonë të Jashtme është korrekt. Gjuha e saj është “e akullt” dhe nuk vendos asnjë dilemë me dy kuptime. Ajo pohon krizën e zyrtarizuar që kemi me fqinjin tonë, Greqinë. Kjo sjell, nga ana tjetër, pamjen më të plotë të një historie të papërgjegjshme dhe kaotike të qeverisë aktuale në negociatën që duhet të mbyllte një kapitull të rëndësisë së dorës së parë midis dy vendeve tona. Ndodhi e kundërta. Raporti shpreh pasojën e një papërgjegjshmërie, me të cilën u përcoll negociata e “pompuar” dhe e firmosur në prani të dy kryeministrave…


Vështirësia për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje, e detyroi dje ministrin Panariti të deklarojë se kjo ndarje e territorit ujor mund t’i kalojë për zgjidhje qeverisë së ardhshme. Çdo të thotë kjo?


Është pohim profesional dhe korrekt! Qeveria aktuale nuk ka asnjë mundësi edhe “morale” për të ridiskutuar një marrëveshje, ku garant është i njëjti Kryeministër nga pala shqiptare. Më keq nuk ka ku shkon! Është dorëzim zyrtar që shpreh thellësinë e problemit dhe deri diku pasojat që ende nuk kanë marrë pamjen e plotë…


Cili duhet të jetë qëndrimi i opozitës në këtë situatë, kur zyrtarisht qeveria deklaron se rinegocimi është tepër i vështirë?


Nuk di të them gjë tjetër veç asaj që është thënë deri më sot… Jemi në një situatë, e cila duhet parë e ndërlidhur me atë rajonale, por edhe me rritjen e radikalizmit si fenomen politik. Në Greqi, në Parlament kanë hyrë neonazistët që do ta nxisin këtë histori edhe me britma “patriotike”. Pas viteve ’90, kjo është situata më e komplikuar që është krijuar me një fqinj për faj të negocimit idiot në një marrëveshje thelbësore për fqinjësinë. Jemi në tunel! Na futi me këmbët e veta një qeveri që dikur në opozitë “ulërinte” për marrjen nga grekët të bazës së Bishtit të Pallës (Kepi i Palit) dhe me një të rënë lapsi hapi sot një histori që duket ende si ëndërr e keqe… Kam frikë se nuk do të duhet një qeveri pasardhëse, por disa të tilla. Do të harxhohet energji dhe nerva që nuk ka çudi të vazhdojnë edhe me dekada. Nuk dua të bëj opozitarin “pesimist”, por kjo që ka ndodhur është aktualisht një vrimë e zezë në marrëdhëniet fqinjësore të Shqipërisë. Raporti i Ministrisë së Jashtme veç na thotë: “Mirëserdhët në krizën me Greqinë”… Sigurisht, pa na thënë se kush janë shkaktarët!


 


“Është dorëzim zyrtar që shpreh thellësinë e problemit dhe deri diku pasojat që ende nuk kanë marrë pamjen e plotë…”


 


Situata


“Pas viteve ’90, kjo është situata më e komplikuar që është krijuar me një fqinj, për faj të negocimit idiot në një marrëveshje thelbësore për fqinjësinë. Jemi në tunel!”


 


 


Skenarët



  1. Sipas Ministrisë së Jashtme, politikisht pak mundësi ka që pala greke të pranojë rinegocim, të paktën në afate të parashikueshme. Arsyet janë të lidhura me debatin e brendshëm politik në Greqi.

  2. Skenari i dytë është ai që po zbatohet prej vitesh, i marrëveshjes detare, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka rrëzuar, duke e cilësuar si antikushtetuese.

  3. Skenari i tretë është cilësuar si më ekstremi nga ana e Ministrisë së Jashtme, ai i acarimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve fqinje dhe bllokimi që mund t’i bëjë Greqia proceseve integruese në vend.