Ish-kryeministri


Berisha nuk duhet nënvlerësuar, po prish debatin


Majko PandeliDeputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, parandien një fushatë të ashpër elektorale në vend, si pasojë e trazirave që, sipas tij, kërkon të shkaktojë Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Këtë opinion ai e ndau dje, përmes një analize për mediat. Sipas Majkos, ky qëndrim i vjen nga retorika e fundit politike në vend dhe fakti se Berisha nuk po pranon një përballje në debat me kundërshtarin e tij, Edi Rama. “Sali Berisha po përgatit një strategji elektorale, ku nuk do të ekzistojë ai lloj ballafaqimi që shohim në fushatat e demokracive perëndimore. Me një mënyrë të foluri ku mungon edhe kultura e ironisë, Kryeministri fton kreun e opozitës të bëjë debat televiziv me zëdhënësen e partisë së tij(?!) Fushata e qershorit të 2013-s do të jetë tipike pikërisht për dimensionin e nënvleftësimit të opozitës dhe shfaqjen e saj si një rrezik kombëtar. Thelbi i kësaj strategjie veç sa ka filluar me deklarimet e zëdhënëses politike të Partisë Demokratike. Fushata elektorale do të jetë një furtunë sharjesh dhe ofendimesh, të cilat do të zhvendosin vëmendjen e publikut dhe shikimin e saj si të një sherri të rëndomtë bordellosh. Kjo do të rrisë tensionin politik në Shqipëri dhe do t’i japë krizës politike dimensionin e anarkisë”, argumenton Majko. Ai deklaron se Berisha nuk duhej nënvlerësuar dhe se kreu i qeverisë kishte treguar se nuk mund ta dorëzonte pushtetin “pa çmimin” e rrëmujës pushtetin që zotëron. “Ai nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira në vend, megjithëse vendi është në prag të një rrëzimi të dytë moral dhe financiar. Ky fakt nuk është pesimizëm, por realizëm. Pa pohuar vërtetësinë e dramës shqiptare është e kotë të diskutojmë zgjidhjen e saj. Sali Berisha nuk duhet nënvleftësuar. Ai është pamja më e qartë e dramës shqiptare. Ai është cilësia e mosmirëkuptimit që shqiptarët kanë me të metat e veta. Ai është cilësia e refuzimit për t’u çliruar nga problemi dhe për të mos e zgjidhur atë. Këto dhe të tjera e bëjnë plakun e politikës aspak të lehtë për t’u llogaritur si një çështje e mbyllur në zgjedhjet e qershorit 2013”, bën të qartë Majko. Ai i ftoi të gjithë shqiptarët të bënin më 23 qershor një referendum kundër Berishës. “Politikani më i vjetër i lindjes ish-komuniste po përpiqet të na ofrojë rregullin e tij të parë dhe të fundit në politikë për zgjedhjet elektorale të qershorit. Kjo është paturpësi! Ai nuk refuzoi vetëm një debat ‘rutinë’ me kundërshtarin politik. Ai realisht refuzoi debatin me publikun e vendit të tij, duke e trajtuar atë si një turmë që duhet vetëm të dëgjojë dhe kaq! Këto dhe shumë arsye të tjera po e sjellin 23 qershorin si referendumin më të arsyeshëm për ndryshimin e munguar të shoqërisë shqiptare. Ky referendum është mes Sali Berishës dhe të ardhmes së vendit pa atë në pushtet”, deklaroi Majko.