Janë shtatë, gratë shqiptare, të cilat janë arrestuar ditën e sotme nga policia greke në Athinë, pasi ishin kthyer në makthin e dyqaneve të shtrenjta në kryeqytetin helen.
Shtatë “skifteret” kishin krijuar një bandë, aktiviteti i të cilës daton në vitin 2016 dhe së bashku me metoda të sofistikuara, evitonin kontrollet e sigurisë dhe vidhnin materiale e sende me shumë vlerë.
Të arrestuarat janë Majlinda Duka, Kristina Cacaj, Anila Mukaj, Rezarta Prastaj, Athina Bitri dhe Gjinovefa Kashari.
Raportohet se shqiptaret përdornin aparate për çaktivizimin e mekanizmave kundër vjedhjes. Më pas sendet e grabitura si veshje dhe këpucë firmato, vendoseshin në çanta të posaçme, që i kishin faqet e brendshme të veshura me alumin, në mënyrë që mos të diktoheshin nga skaneri i alarmit në dalje të njësive tregtare.
Ato funksiononin si një grup i mirëfilltë kriminal, pasi sendet e grabitura i shisnin në Shqipëri. Policia tha se fitimet e mëdha që nxirrnin nga biznesi i paligjshëm ato i investonin në blerje banesash dhe makinash të shtrenjta.
Mësohet se asgjësimi i grupit filloi në mesin e muajit maj, por dosja penale është plotësuar vetëm ditët e fundit, pas vënies në pranga edhe të personave që ishin shpallur në kërkim.
Shtatë të arrestuarave policia iu sekuestroi më shumë se 4.000 artikuj veshmbathje, si dhe mbi 1.000 pajisje shtëpiake dhe produkte që shiten në supermarkete.
9 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)