Arben Malaj ka zgjedhur rrjetin social “Facebook” për t’iu kundërpërgjigjur publikisht atyre që ka i ka cilësuar kërcënime publike të kandidatit për deputet, Edi Rama.
“Për akuzat tuaja z. Rama kam një përgjigje të drejtpërdrejtë: Ju dhe Berisha jeni bashkuar disa herë kundër socialistëve. Berisha dje, dhe ju sot u bashkuat përsëri, duke i’u kërkuar së bashku vlonjatëve që të mos i japin asnjë votë djalit të tyre, Arben Malajt.
Harroni se bashkë me shumë socialistë progresistë dhe të përkushtuar jam bashkëthemelues i PS-së së Vlorës, pikërisht atëherë kur ju me Berishën ishit bashkëthemelues të PD-së. Në vitin 1992, në atë situatë terrori të Berishës, konkurrova si përfaqësues i socialistëve të Vlorës për kryetar bashkie duke lënë karrigen e drejtorit të bankës. Kam 4 mandate që përfaqësoj me dinjitet dhe profesionalizëm Vlorën në parlamentin shqiptar.
Berisha nuk më nxori dot nga politika, edhe pse luftoi për këtë; as ju nuk do të arrin të më nxirrni, dhe as të dy bashkë! Ndryshe nga ju, nuk ka punuar kurrë për një karrige. U angazhova si ministër i financave atëherë kur gjithçka ishte shkatërruar dhe bashkë me të gjithë kolegët e tjerë rindërtuam ekonominë dhe rikthyem shpresën. Për asnjë karrige qeveritare nuk do ta tradhtoja kurrë Vlorën, dhe kjo është më se e qartë në kontributet e vlerësuara publikisht. Është në të mirë të fitores së PS-së dhe shqiptarëve që t’u largoheni instikteve të hakmarrjes primitive, të cilat dëmtojnë jo vetëm fitoren e domosdoshme të opozitës, por vrasin edhe shpresën për të ardhmen”, shkruan Malaj. Ai thekson më tej se nuk e ka kushtëzuar detyrimin dhe përkushtimin ndaj Vlorës dhe shqiptarëve me ndonjë karrige të caktuar.
“Nuk kam kërkuar dhe nuk do të kërkoj ndonjë karrige, ndërsa Vlorës, PS-së dhe njerëzve të mirë të vendit tim, do t’ju shërbej përherë me dashuri e me përkushtim. Eshtë momenti të reflektoni thellë. Mos e sill sherrin tënd të përhershëm edhe në Vlorë. Shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë, rrotacioni do të ndodhë. Jeni i vetmi kryetar opozite në botë që e përdorni kohën tuaj të fushatës elektorale kundër kolegëve. E di që jeni frikësuar nga mbështetja publike per kandidimin tim, por ndryshe nga ju, unë i dua dhe i respektoj njerëzit e vendit tim, dhe kurrë nuk i trajtoj si statistika elektorale.
Unë do të vazhdoj të jem i përkushtuar për të merituar një mandat në Vlorë, të cilin nuk do ta këmbej kurrë me asnjë karrige qeveritare, por ashtu siç vlerësojnë edhe analistët shqiptarë, do të krijojmë së bashku me të rinjtë modelin e ri në politikën shqiptare, ku mandati vjen nga puna e përkushtimi i përhershëm dhe jo nga pushteti abuziv i një kryetari partie. Sërish, ju kërkoj ndjesë votuesve të vendit tim, që më duhet t’i kthej përgjigje kërcënimeve të Ramës. I garantoj votuesit se fushata ime do të jetë vetëm pozitive dhe fitorja ime veçse e bën më të plotë dhe më dinjitoz përfaqësimin e Vlorës në parlamentin e ardhshëm”, përfundon Malaj.
20 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)