Sërish zi në familje Shkreta nga Fushë-Mamurrasi. Pasditen e sotme dy djemtë e Mark Shkretës, i cili u ekzekutua në korrik të këtij viti në Tiranë, kanë rënë pre e një atentati me armë zjarri. Për pasojë njëri prej djemve, Gentiani, ka gjetur vdekjen, ndërsa i vëllai, Leli Shkreta, është plagosur rëndë. Dyshohet se shkak i ngjarjes së dyfishtë është hasmëria e lindur pak muaj më parë me fisin Llani. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal, por më pas si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Nga hetimet paraprake mësohet dy vëllezërit Shkreta po ktheheshin nga Serbia, kur kanë rënë pre e atentatit, pranë një pike karburanti në afërsi të urës së Lumit Droj. Policia lokale bën të ditur se dyshohet se autorë të ngjarjes janë Muharrem dhe Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në një atentat në qershor të këtij viti, çka u bë burim hasmërie ndërmjet dy fiseve. Policia ka shpallur në kërkim 2 autorët e dyshuar dhe po punon për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes së dyfishtë.
Hasmëria mes fiseve Llani dhe Shkreta e ka zanafillën në 5 qershor të këtij vitit, kur Emanuel dhe Altin Shkreta, vranë djalin 9-vjeçar të Jetmir Llanajt, gjatë një atentati që kishte për objektiv babain e viktimës. Në ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe xhaxhai i tij, Muharrem Llani, i cili dyshohet se është një nga autorët e atentatit të sotëm mbi djemtë e familjes Shkreta. Por megjithëse dy të rinjtë Shkreta u ndaluan nga policia dhe po përballen me drejtësinë për krimin e kryer, Jetmir Llani nuk e ka lënë me kaq. Në 20 korrik të këtij vitit, babai i dy autorëve të vrasjes së 9-vjeçarit Endri Llani, u vra me dy plumba në një atentat në rrugën “Hoxha Tahsim”, në kryeqytet. Viktima, 71-vjeçari Mark Shkreta, është ekzekutuar sapo ka dal nga shtëpia, ndërkohë që si autor i vrasjes u akuzua 33-vjeçari Jetmir Llani.
4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)