Ishin ftuar për gëzim, po humbën jetën të helmuara. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Dukagjin i Ri të Thumanës në rrethin e Krujës dhe policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve.
Paraprakisht mësohet se Mrika Gega, 45 vjeçe, nga fshati Dukagjin dhe Nusha Ndoja, 55 vjeçe me banim në Pukë, kanë qenë dje në një dasmë. Ato kanë fjetur në një dhomë bashkë me nusen, 21-vjeçaren Pashke Gega. Mëngjesin e sotëm, familjarët e kanë gjetur nusen dhe dy gratë që ndodheshin në dhomë, në gjendje të rëndë. Tre gratë janë dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, por megjithë përpjekjet e mjekëve dy gratë kanë humbur jetën, ndërsa 21-vjeçarja që sot do vishte fustanin e nusërisë ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe po vijon këqyrjen e vendit të ngjarjes pranë banesës, lokalit ku u zhvillua darka, si dhe pyetjen e personave që kanë dijeni mbi rrethanat e hetimit. Helmimi nga ushqimi paraprakisht është përjashtuar, pasi dasmorët e tjerë nuk kanë shfaqur probleme. Një pistë hetimi është dhe ajo e një helmimi të qëllimshëm për të ndërprerë dasmën në familjen Gega. Priten konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së dy grave.
28 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
