Berisha: Ulemi në tryezë, Rama: Zgjidhim Fierin, apel i përbashkët për statusin


Reagimi i Ramës


Rama lëshoi sërish dje apelin e tretë ndaj Kryeministrit Berisha për t’u ulur në tryezë mes mazhorancës. Kryetari i opozitës shpreh gatishmërinë e plotë për të përmbushur çdo detyrim të opozitës, por në të njëjtën kohë Kryeministri nuk duhet t’i shmanget kurrsesi përmbushjes së detyrimeve të qeverisë. “Zgjidhja e problemit të Qarkut të Fierit, përveçse do t’i hapte rrugë miratimit të tre akteve, do të ofronte edhe një shembull kuptimplotë për BE-në se qeveria dhe opozita shqiptare kanë vullnet të mirë për të miratuar por edhe zbatuar ligjet. Duke dhënë zgjidhjen, qeveria dhe opozita mund t’i drejtohen pastaj me një apel të përbashkët të gjitha vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimmarrjes për statusin e kandidatit për Shqipërinë”.


Zhvillimet


Ruçi – Kreu i grupit të PS-së u shpreh se qeveria, me anë të Ministrisë së Brendshme, po tenton marrjen e tre mandateve në tavolinë


Listat – PS-ja ka nisur verifikimin e shtetasve mbi bazën e të dhënave të ofruara nga Ministria e Brendshme për numrin e popullsisë


Votimi – KQZ-ja e voton me shumicë të cilësuar ndarjen e re të mandateve, por Kuvendi e kalon atë për votim me një shumicë të thjeshtë


Berati – Qarku i Beratit cenohet, pasi kërkohet t’i hiqet një mandat, për t’ia kaluar zonës ku PD ka mbështetje të madhe, Qarku i Kukësit


1 dhjetor – KQZ-ja duhet të marrë një vendim për ndarjen e re të mandateve brenda 1 dhjetorit


134 mandate – Sipas formulës së Kodit Zgjedhor, 134 mandate ndahen në mënyrë të plotë


6 mandate – Mbi bazën e presjeve dhjetore, ndahen 6 mandate të tjera, ku përfitojnë Tirana e Durrësi


SHBA


Ekspertë të USAID, me mision monitorimi në KQZ


Ndërkombëtarët nisin monitorimin nga afër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mësohet se tre ekspertë të USAID-it që nga 1 nëntori po vëzhgojnë punën e KQZ-së së re, me synim për hartimin e një raporti mbi sigurinë dhe stabilitetin gjatë periudhës parazgjedhore. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Lleshi (Luzi) zhvilloi takime me katër ekspertët e USAID, Adam Schmidt, Marc Ellinstad, Tess McEnery dhe Carrie A.Gruenloh. Vetë KQZ-ja bën të ditur se “këta ekspertë do të jenë në Tiranë për një periudhë trejavore dhe do të finalizojnë qëndrimin e tyre me një raport vlerësimi mbi sigurinë dhe stabilitetin gjatë periudhës zgjedhore, duke përfshirë në të udhëzime koncize, si dhe duke ofruar strategji “zbutëse” për aktorët vendas dhe ndërkombëtare”. Katër ekspertët kanë kryer takime si me kryetaren e KQZ-së dhe me anëtarët e tjerë në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


Zgjedhjet, dyshimet për manipulime i detyrojnë socialistët të nisin verifikim me anë të strukturave


BLEDAR HOTI


Beteja më e re mes mazhorancës dhe opozitës pritet të jetë ajo për mënyrën e ndarjes së 140 mandateve të deputetëve. Alarmi i lëshuar ditët e fundit nga lidershipi i PS-së për heqjen e një mandati të deputetit të Qarkut të Beratit ka vënë në lëvizje motorët e selisë rozë. Drejtues të saj, deputetë, kanë nisur kontaktet me strukturat në bazë për verifikimin e listës paraprake të depozituar në KQZ nga Ministria e Brendshme për numrin total të popullsisë, e cila shërben si bazë për ndarjen e 140 mandateve të deputetëve sipas 12 qarqeve. Mësohet se një grup pune pranë selive të PS-së po shqyrtojnë listat sipas qarqeve. Përveç deputetëve, socialistët kanë angazhuar dhe drejtuesit vendorë të tyre për të verifikuar listat. Në seancën e fundit parlamentare, kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, hodhi akuza ndaj qeverisë për manipulimin e numrit të popullsisë me qëllim marrjen e tre mandateve në tavolinë. Ai u shpreh se po tentohet t’i hiqet një mandat Qarkut të Beratit për t’ia dhënë atij të Kukësit. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, pas një takimi në qytetin e Beratit me strukturat e PS-së, u shpreh se “po ndërhyhet në regjistrat e gjendjeve civile për të reduktuar numrin e banorëve të Qarkut të Beratit, në një kohë kur gjatë dy muajve të fundit ka rritje me 137 banorë”. Ndarja e 140 mandateve realizohet nga ana e KQZ-së, ky institucion merr të dhënat nga Zyra e Gjendjes Civile (Ministria e Brendshme) mbi numrin e popullsisë. Vendimi i KQZ-së merret me shumicë të cilësuar, ku 5 anëtarët duhet të votojnë pro. Më pas ai kalon në votim me një shumicë të thjeshtë nga Parlamenti.


Ndarja e mandateve


Nga llogaritjet e bëra, duke aplikuar formulën e parashikuar në Kodin Zgjedhor, rezulton se 134 mandate ndahen të plota. Tirana do të ketë 33 mandate, me një popullsi 1 020 013 banorë, koeficienti (numri i mandateve) rezulton 33.4. Në zgjedhjet e kaluara, kryeqyteti kishte 32 mandate, në 2013-n do të ketë një më shumë. Tirana shihet si torta e madhe e përfitimit për partitë, veçanërisht për ato të vogla, për shkak të pragut më të ulët të përfitimit të një mandati. Kjo vetëm favorizohet më shumë nëse ato dalin në një koalicion politik. Qarku i Korçës do të ketë një mandat më pak, pasi nga përllogaritja rezulton se do të  ketë 11 deputetë (koeficienti 11.4). Pika e 5 e Kodit Zgjedhor përcakton se “në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe”. Presjen më të madhe e ka Qarku i Lezhës, me një koeficient 6.98, duke bërë që të përfitojë 7 deputetë, aq vende sa ka aktualisht. Më pas e përfiton Qarku i Fierit me një koeficient 15.94, duke përfituar të njëjtin numër mandatesh, 16 gjithsej. I treti, sipas presjes dhjetore, renditet Qarku i Dibrës me një koeficient 5.820, duke marrë 6 deputetë. Qarku i Shkodrës renditet me një koeficient 10.72. Nga kjo llogaritje, ky qark përfiton 11 deputetë, i njëjtë me atë që përfitoi në legjislaturën aktuale. Qarku i Durrësit do të përfitojë nga presjet dhjetore një mandat më shumë, duke bërë që në zgjedhjet e ardhshme të përfaqësohet me 14 deputetë. Koeficienti për Durrësin llogaritet 13.584. Për mandatin e gjashtë janë në lojë dy qarqet, ai i Kukësit dhe i Beratit. Të dyja këto janë bastione të veçanta të PD-së dhe PS-së. Kukësi me një numër popullsie 108 750 banorë, rezulton se e ka koeficientin e mandateve 3.5306, ndërsa Berati me një popullsi 231 414 banorë, rezulton ta ketë koeficientin e mandateve 7.513.