Debati


Subashi: Puna jonë mbaron 9 muaj para zgjedhjeve parlamentare


BLEDAR HOTI


Mandati i anëtarëve të KQZ-së pritet të jetë loja e re politike mes mazhorancës dhe opozitës. Deklarata e lëshuar nga kryekomisioneri Arben Ristani, se mandati i tyre mbaron në shkurt të vitit 2013, është pasuar me një reagim të vetë anëtarëve të tjerë të KQZ-së. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, në një prononcim për gazetën “Shqip”, deklaroi se “mandati i anëtarëve të KQZ-së përfundon 9 muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Kjo deklaratë rrëzon qëndrimin e bërë publik nga Ristani dy ditë më parë, se “për sa i përket zgjedhjeve për vitin e ardhshëm, mandati i KQZ mbaron në shkurt të 2013-s”. Afati i mbarimit të 7 anëtarëve të KQZ-së mund të jetë edhe beteja e re mes dy kampeve politike, për faktin se mazhoranca mund të përdorë KQZ-në aktuale në marrjen e disa vendimeve të rëndësishme për zgjedhjet e ardhshme, e kjo, në rast se palët nuk bien dakord për rikompozimin e këtij institucioni.


Neni që “djeg” Ristanin


Kodi Zgjedhor, në nenin 13, pika 1, përcakton se “anëtari i KQZ-së ka mandat 4-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje”. Të shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së janë zgjedhur nga Parlamenti në shkurt të vitit 2009. Në bazën e kësaj logjike, i bie që Ristani ka të drejtë kur deklaron se “mandati i tyre do të skadojë në shkurt të vitit 2013”. Por një klauzolë tjetër ligjore, e përcaktuar në Kodin aktual Zgjedhor, e rrëzon qëndrimin e kryekomisionerit Ristani. Klauzola përcakton se mandati i 7 anëtarëve mund të përfundojë para kohe, kur vendi do të përfshihet në zgjedhjet parlamentare. “Nëse mandati i KQZ-së përfundon në 9 muajt e fundit të mbarimit të mandatit të Kuvendit, atëherë Kuvendi, jo më vonë se 9 muaj nga data e mbarimit të mandatit të tij, zgjedh anëtarët e rinj të KQZ-së, sipas procedurave të parashikuara në nenet 14 dhe 15 të këtij Kodi, duke ruajtur kurdoherë raportet e barabarta të përfaqësimit politik. Anëtarët e zgjedhur e marrin detyrën jo më vonë se 24 orë pas bërjes së betimit”, thuhet në pikën 5, të nenit 19, të Kodit Zgjedhor. Mandati i Kuvendit aktual mbaron në shtator, 9 muaj para këtij mandati duhet të realizohet zgjedhja e shtatë anëtarëve të KQZ-së. Mbi bazën e këtyre llogaritjeve, i bie që Kuvendi i Shqipërisë duhet të realizojë rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve midis muajve nëntor apo dhjetor të këtij viti. Pra dy-tre muaj përpara se sa ka deklaruar kryekomisioneri Ristani. I pyetur për këtë çështje, mbi afatin e mbarimit të mandatit të 7 anëtarëve të KQZ-së, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm zgjedhor, socialisti Damian Gjiknuri, tha për gazetën “Shqip” se “mandati i 7 anëtarëve mbaron në dhjetor”. Neni 19, pika 1, përcakton se “anëtarët e rinj të KQZ-së zgjidhen jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve që largohen. Anëtarët e rinj fillojnë detyrën ditën e nesërme, pas përfundimit të mandatit të anëtarit që largohet ose pas bërjes së betimit në rastin e përfundimit të parakohshëm të mandatit”. Sipas kësaj, në nëntor, Kuvendi duhet të nisë procedurat për zëvendësimin e 7 anëtarëve të KQZ-së. Reforma zgjedhore e nisur prej kohësh nga Kuvendi ka ngecur pikërisht te rikompozimi i KQZ-së. Formula e propozuar nga opozita nuk po pranohet nga PD-ja, e cila po mban pezull dhe përfundimin e kësaj reforme. Mazhoranca nuk tërhiqet nga ideja e aplikimit të skemës aktuale të KQZ-së, ku kreu i saj të propozohet nga shumica parlamentare. Kjo po kontestohet fuqishëm nga opozita, e cila kërkon zbatimin e rekomandimit të OSBE-së dhe ODIHR-it për riformulimin e KQZ-së.


 


Përplasja


Ristani – Kreu i aktual i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se mandati i 7 anëtarëve mbaron sipas ligjit, në shkurt të vitit 2013


Subashi – Nënkryetarja e KQZ-së, Subashi, ndan një mendim ndryshe nga Ristani. Sipas saj, “puna” e tyre varet nga mandati i Kuvendit


Dhjetor – Sipas përllogaritjeve të përcaktuara nga neni 19, pika 5, mandati i 7 anëtarëve të KQZ-së mbaron në muajin dhjetor të këtij viti