Ministri maqedonas i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se në vend u shënuan edhe katër raste të reja me koronavirus.
Numri i të prekurve në Maqedoninë e Veriut shkon kështu në 13. Filipçe njoftoi se qeveria do të shpallë gjendje krize në Dibër dhe Qendër të Zhupës.
“Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi që në këto zona të shpallet gjendja e krizës. Sot pacientët janë në gjendje stabile, përveç pacientes së parë nga Dibra, e cila mund të vendoset në aparate të frymëmarrjes. Sot kanë ardhur rezultate nga Dibra për 10 pacientë, ndërsa 4 kanë rezultuar pozitiv”-tha mes tjerash Filipçe.
Ministri njoftoi se gjatë ditës së sotme një udhëtar ka arritur nga Gjermania, shtetas i Maqedonisë me simptoma dhe i njëjti po testohet.
Sakaq, një numër shumë i vogël turistësh sot mund të shihej në Ohër. Kjo u konfirmua dhe nga kapitenët e anijeve, të cilët thanë se me orë të tëra presin në portin e qytetit.
Ata nuk e mbajnë mend që Ohri të ketë qenë ndonjëherë kaq i boshatisur në këtë periudhë të vitit. Të dhënat e sektorit turistik tregojnë se pothuajse të gjitha prenotimet e rezervuara më parë janë anuluar deri në maj. Probleme shtesë paraqet edhe vendimi për mbylljen e kafeneve në orën 18, thonë hotelierët.